Esiela Karanxha, vetëm 8 vjeç, humbi jetën gjatë tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor.
Vogëlushja humbi jetën pas shembjes së pallatit gjashtë katësh në qytetin e Durrësit, ku ajo banonte së bashku me nënën e saj, Diena, e cila ndërroi jetë në spital.
Mësuesja e Esielës, Eda Katroshi, rrëfen momentin e vështirë kur bashkëmoshatarëve të vogëlushes iu desh të fillonin mësimin pa shoqen e tyre të klasës.
“Sot, me datë 09.12.2019 rifilluam jetën. Rifilluam aty ku e kishim lënë. Më rrethuan duart e vogëlushëve të mi.
Nuk kishte gëzim më të madh kur u takuam. U perqafuam fort, u puthëm. Poooooor….
Ah kjo zemër dhe këta sy nuk guxuan të kthejnë shikimin e mjegulluar nga lotët drejt bankës tënde, e dashura Esielë.
E ëmbla jonë Esielë. Cfarë tu thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e mbante dot ngashërimin.
Nuk duroi dot që ti u bëre engjëll me krahë për të na parë nga lart.
Shokët dhe shoqet e patën të vështirë të të mos përmendnin. E zgjuara, e shkathëta, Esiela jonë.
Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të mbetesh një vogëlushe e mrekullueshme për të gjithë grupin tonë të klasës së tretë.
U prehsh e qetë pranë prindërve të tu”, shkruan Katroshi, mësuese në shkollën 9 vjeçare “Marie Kaçulini”.