Ernest Gjoka po bën mirë në krey të Shkëndijes së Tetovës, teksa prej momentit kur ka marrë drejtimin e kuqezinjve i ka kthyer ata në luftën për titull kampion duke i renditur të dytët pas Vardarit që kryeson me tetë pikë diferencë. Në një intervistë për RTSH Sport, Gjoka thekson se është një krenari të drejtojë Shkëndijen ndërsa shprehet se klubi shqiptar ka një projekt afatgjatë. Ndërkaq, nuk mungon edhe një mendim për Superioren, të cilën Gjoka e njeh mjaft mirë.
“Krenari të jem trajner i Shkëndijes. Kontakti im parë ka qenë prej momentit kur u shkëputa nga Kukësi pas Europa League. Prita, patëm bisedime më kërkuan edhe pak kohë por gjithë kohës ishim në kontakt. Patëm bisedime me drejtuesit e rinj që ishin në atë moment dhe që janë edhe tani dhe arritëm akordin. Shkëndija është krenari, është e ndërtuar jo vetëm për futboll por edhe për të përfaqësuar shqiptarët në të gjitha trevat. Skuadra kishte kaluar një traumë, pas kupave të Europës. Kjo bëri që faza e parë të shkonte keq, u desh shumë punë. Me bordin drejtues punuam shumë, për të parë se çfarë mungon. Shkëndija ka futbollistë të mirë brenda të cilët kanë bërë histori. U desh për të ndryshuar psikologjikisht dhe taktikisht. Tani jemi në rrugë të mbarë dhe po nxjerrim vlerat e skuadrës dhe individëve”.
Ecuria pozitive? “Është një kënaqësi të bësh hap cilësor që në start. Është fat i madh, dhe ingranohesh menjëherë. Kjo është meritë e futbollistëve pasi më pritën shumë mirë. Arritën që javë pas javë futbollistët nisën të më kuptonin”. Projekt afatgjatë? “Mendoj është ndërtuar për një sukses të madh, jo vetëm në kampionat por edhe në Kupat e Europës. Është ndërtuar për të qenë dominant, të shkojmë sa më larg në Europë pse jo edhe në grupet e Ligës së Europës”.
Imazhi i trajnerëve shqiptarë? “Është një hap ndryshe. Trajnerët shqiptarë i ka ardhur momenti që të trajnojë edhe jashtë. Josa, Daja, Cungu kanë ecur jo vetëm në kampionat por edhe në Europa League. Po ashtu edhe Mezani në Kosovë, të përcjellim kulturën tonë për të dalë edhe jashtë trevave shqiptare. Në futbollin maqedonas ka shumë cilësi. Federata e ka ndërtuar që duhet të hyjnë dhe aktivizohen futbollistë të rinj. Ne kontrollojmë nivelin fizik, në çdo seancë stërvitore. Nga ana institucionale është si një klub europian”.
Superiorja? “Sivjet është bërë pak ndryshe. Surpriza është Bylisi. Nuk habitem me Kukësin pasi është projektuar si kampion. Partizani ka pasur luhatje, trajneri duhet të jetë patjetër shqiptar. Do të bëjë mirë në fazën e tretë dhe të katërt. Laçi është e rrezikshme dhe kërkon maksimumin. Tirana e ndërtuar me zhurmë akoma nuk ka hyrë në ritmin e duhur. Teuta me të mirat dhe të këqijat e saj por është ndërtuar mirë”.
Trajnerët e larguar nga Superiorja? “Presidenti nuk ndërron dot të gjithë lojtarët, ndërsa trajneri është pjesa më e lehtë. Është një gjë e vazhdueshme. Gjëja e parë që kërkon një president në Shqipëri janëlojtarët më pas trajnerin, duke qenë se trajnerë gjen. Por është e kundërta në Europë. Fillimisht është trajneri më pas lojtarët. Trajneri zgjedh lojtarët. Në futboll duhet të zgjidhesh trajnerin e duhur për mentalitetin tënd si president por edhe si klub”, u shpreh Gjoka.
Sukses Trainer Ernest Gjoka!
Shpreh besimin se Shkëndija e Tetovës do të jetë skuadra e realizimit të dëshirave dhe ambicjeve tuaja !