Turqia hap sërish dyert për fazën përgatitore të disa prej ekipeve të Superligës së Shqipërisë.
Pas mbylljes së vitit 2019, klubet kanë lënë të lirë për disa ditë lojtarët dhe stafet respektive, por menjëherë gjatë ditëve të para të vitit të ardhshëm do të nisë puna për fazën përgatitore.
Kukësi ka zyrtarizuar pjesërisht kalendarin dhe itenerarin që do të ndjekë në Turqi ku do të udhëtojë në datën 4 Janar.
Kryesuesit e kampionatit nuk ndryshojnë destinacion nga vitet e fundit, duke zgjedhur sërish zonën e Antalyas ku klima është më e butë dhe ideale për të punuar larg zhurmës dhe vëmendjes mediatike në prag të pjesës së dytë të sezonit që do të nisë në datën 22 Janar me transfertën e Gjirokastrës dhe më pas me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Lushnjës.
Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro ka planifikuar një miqësore luksi në datën 7 me ekipin vendas të Trabzonspor, por gjatë ditëve të ardhme pritet të zyrtarizohen edhe dy apo tre sfida të tjera ndaj emrave të njohur të futbollit turk dhe ndërkombëtar. Kukësi do të rikthehet në Shqipëri në datën 17 Janar.
Turqinë ka zgjedhur si destinacion edhe Partizani që do të vazhdojë të ndjekë traditën e viteve të kaluara.
Kampionët në fuqi bashkë me trajnerin e ri që pritet të emërohet gjatë ditëve të ardhshme, do të fluturojnë drejt Antalyas në datën 5 Janar por nuk kanë ende një kalendar me ndeshjet miqësore që planifikojnë të zhvillojnë.
Nuk ndryshon shumë as programi i Tiranës që në fillim të muajit Janar planifikon të udhëtojë drejt Turqisë ndërsa stafi po punon për të organizuar ndeshjet miqësore të kësaj faze.
Jashtë kufijve do të udhëtojë edhe Vllaznia që në datën 4 do të akomodohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndryshe nga vitet e shkuara, klubi verior preferon Ohrin dhe jo Malin e Zi, ndërsa pjesa tjetër e skuadrave, pjesërisht për shkak të problemeve financiare por edhe për shkak të periudhës së shkurtër në dispozicion, ka zgjedhur që gjatë ndalesës mes dy viteve të punojë në shtëpi.
Teuta, ashtu si Bylis, Luftëtari apo Flamurtari do të akomodohen në afërsi të fushave stërvitore duke evituar rrugëtimet e gjata.