Nga Fatjon Baze
Viti 2019 është një nga vitet që do të mbesë në histori, për mirë, për herë të parë sa i përket fushës së futbollit në Shqipëri.
Dy ngjarjet kulminante të këtij viti, është rikthimi i titullit kampion tek skuadra e Partizanit, si dhe ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar, të cilit i është vendosur emri “Air Albania Stadium”.
Titulli kampion i Partizanit.
Sezoni futbollistik i vitit 2019 do të mbahet mend si një nga kampionatet ku çuditërisht Federata Shqiptare e Futbollit, lejoi që të luhet një futboll “fair – play”, duke mos e paracaktuar fituesin e kampionatit që në nisje të sezonit, siç e ka bërë gjithnjë në kampionatet e këtyre viteve të fundit.
Nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega, ekipi i Partizanit arriti që të zhvillonte një sezon mbreslënës, fal një grupi të ndërtuar në mënyre perfekte nga tekniku tropojan, i cili i dha besim një grupi talentësh ku spikati menjëhere treshja “BAM”, Bardhi-Mala-Asani, të cilët së bashku me lojtarët me eksperiencë, si Telushi, Trashi, Hoxha, Duka etj, arritën që të zhvillonin një sezon fantastik.
Fryma mjaft pozitive e grupit, ulja e euforisë, shmangia e polemikave me arbitrat, fokusimi vetëm tek ndeshja e rradhës, mbështetja e jashtëzakonshme e tifozerisë, korrektësia dhe mbështetja e pakursyer e presidentit Gaz Demi, ishin disa nga pikat kryesore që “demat e kuq” pas 26 vitesh pritje, arritën që rikthenin në raftin e trofeve titullin kampion të Kategorisë Superiore, i cili është i 16-të në historinë e klubit të kuq.
Një trofe i merituar, i cili u bë më i bukur nga mos pasja e asnjë polemike, por përkundrazi u pranua dhe u duartrokit edhe nga rivalët e drejtëpërdrejtë që kishte për titullin kampion – por edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka pasur rregullisht një luftë të egër dhe tendecioze ndaj ekipit të Partizanit.
Një sukses i rëndësishëm gjatë këtij viti për të kuqtë ishte dhe fitimi i trofeut të Superkupës së Shqipërisë, ku mposhtën ne finale ekipin e Kukësit.
Momenti më i dobët gjatë këtij viti ishte ecuria e dobët që të kuqtë bën gjatë ndeshjeve kualifikuese në Kupat e Europës. Partizani, por edhe ekipet e tjera pjesëmarrëse si Kukësi, Teuta dhe Laçi nuk arritën dot që të kalonin asnjë tur.
Ndërtimi i stadiumit kombëtar.
17 nëntori i këtij viti është një nga datat më të rëndësishme në Shqipëri, pasi një impiant modern, si “Air Albania”, i ndërtuar sipas standarteve europiane në zemër të kryeqytetit u inagurua ndaj kampionëve të botës, Francës.
Një impiant që na bën krenar dhe padyshim aspak inferiorë përballë kundërshtarëve tanë europianë të cilët në përballjet ndaj tyre do t’i mirëpresim në një stadium fantastik, që është padyshim një nga investimet më të mëdha që qeveria shqiptare ka kryer në këto gjashtë vite qeverisje, natyrisht me ndihmën e UEFA-s dhe një mbështetje nga FSHF-ja.
Një stadium që ka një kapacitet prej 22 mijë vendesh, do të jetë gjithashtu një aset për Kategorinë Superiore, ku do të ndihmojë në ngritjen e imazhit të futbollit shqiptar. Shembulli më i bukur ishte derbi i kryeqytetit që u zhvillua mes Partizanit dhe Tiranës, ku stadiumi ishte thujse i mbushur plot, me familjarë, me vajza dhe djem të rinj, me fëmijë, duke u krijuar një atmosferë e jashtëzakonshme, e ngjashme si një ndeshje e madhe europiane.
Një impiant që u mbylli gojën edhe kritikëve, të cilët dhe pse ishin një pjesë që nuk është se shkelin ndonjëherë nëpër stadiume për të parë ndeshje, në ditën e inagurimit kishin siguruar të parët nga një biletë për të shijuar stadiumin e ri kombëtar.
Zhgënjimi i ekipit kombëtar.
Më 22 mars Shqipëria zhvilloi ndeshjen e parë përballë Turqisë në kuadër të fazës eliminatore të “Euro 2020”, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të kombëtares së Turqisë.
Një ditë më pas, menjëhërë pas kësaj disfate Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që të ndërprerjë bashkëpunimin me trajnerin e ekipit kombëtar, Christian Panuçi.
Vendin e tij do të merrte një tjetër Italian, Edy Reja, i cili u prezantua më 17 prill, duke zëvendësuar ish-trajnerin Christian Panuçi.
Nën drejtimin e Rejas, i cili ka një eksperiencë të madhe në futbollin Italian, pasi ka qenë në krye të shumë ekipeve të njohura italiane, skuadra kuqezi arriti që të ndryshonte paksa performancën e saj, por që sërish nuk arriti që të ishte në lartësinë e duhur.
Ky vit do të jetë deçiziv për Rejën, i cili do të rinovojë sërish kontratën me FSHF-së pasi ka fituar besimin e presidentit Armand Duka, për të udhëhequr skuadrën në eleminatoret e kampionatit botëror.
Pritshmëritë për 2020.
Viti i ri, 2020-ta, do të ketë sërish ngjarje mjaft të rëndësishme për futbollin shqiptar. Dy klubet kryesore të Kategorisë Superiore, Partizani dhe Kukësi, pritet që të kenë shtëpitë e tyre të reja.
Pas shumë sezonesh ku të kuqtë i zhvillojnë ndeshjet e tyre në stadiumin “Selman Stermasi”, tashmë ata do të kenë stadiumin e tyre të ri, i cili është në fazat e fundit të punimeve.
Një kompleks modern ku përveç ekipit të parë, do të akomodohen dhe stërviten dhe ekipet zinxhire.
Edhe Kukësi do t’i jap fund sorrollatjeve sa në Elbasan, Kamëz dhe Shkodër, për të luajtur ndeshjet e tyre si pritës.
Siç është premtuar nga presidenti dhe njëkohësisht kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, sezonin e ardhshëm verilindorët do t’i luajnë ndeshjet në stadiumin e tyre të ri dhe modern “Zeqir Ymeri”.
Më ndërtimin e këtyre dy stadiumeve të rinj, mbyllet një plagë e madhe për zhvillimet e ndeshjeve në futbollin tonë dhe i jep një seriozitet garës dhe vete klubeve përkatëse.
Një tjetër pikë kthese që do të jetë mjaft e rëndësishme për futbollin shqiptar do të jetë dhe miratimi i “Ligjit të Sportit”.
Një ligj që pritej të miratohej para përfundimit të këtij viti, por ngjarjet jo të këndshme që përfishinë vendin tonë, bën që ky ligj të anashkalohej.
“Ligji i sportit” pritet që t’i jap një zgjidhje përfundimtare futbollit ku do të ndryshohen disa pika, si ligji i sponsorizimeve, ku futbolli të ketë përfitime nga taksat.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm pritet të jetë falja e kamatëvonesave dhe gjobave për mospagesën e tatimeve, duke u lënë vetëm detyrimin, dhe kjo mund të përgjysmojë borxhet e klubeve ndaj shtetit.
Në tryezën për reformën në sport, në mars të këtij viti, klubet kërkuan edhe që terrenet sportive t’u kalojnë atyre pa shpërblim, që TVSH të jetë zero për investimet në sport, si dhe të ketë kontribut 50 për qind i shtetit në investimet në infrastrukturë.
Një ligj që pritet të miratohet së shpejti që do t’i jap frymarrjen e duhur klubeve dhe futbollit shqiptar.
Si një ultras i thekur i Partizanit,ku dështimin apo suksesin e Partizanit e sheh si sukses apo dështim të Kampionatit dhe Shqipërisë,F.Baze nuk mungon as natën e fundvitit tu çukullitë shqiprarve,ashtu si gjatë vitit,pjesën ndënjëse.
Paturpësisht flet për “suksesin madhështor” të Partizanit si fitues i kampionatit të vjetshëm,por për dështimin në kupat e Evropës,ku Partizani i tij nuk kaloi asnjë tur,nuk fitoi asnjë takim dhe shënoi vetëm 1 gol,e kalon si diçka pa rëndësi.E kundërta ndodh kur flet për skuadrat e tjera.Sipas tij Skënderbeu si fitues i disa kampionateve rresht,na i paska marrë si dhuratë e federatës.Dheee,paraqitjen spektakolare në Evropë ,si asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar;pjesmarjen 2 herë në grupet e Europa Lige të tij,Skënderbeut,e anashkalon.Sa nuk thotë se edhe këtë sukses Skënderbeut ja ka falur FSHF me UEFA-n!
Fation,po turp nuk ke?!