Interin nuk e ndal as Napoli, zikaltërit thyejnë tabunë që zgjaste që nga 1997

6 Janar 2020, 22:53Sport TEMA

Interi ka arritur të thyejë një tabu që zgjaste që nga viti 1997. Skuadra e Antonio Kontes ka arritur të fitojë më në fund në “San Paolo”.

Duke mposhtur skuadrën e Xhenaro Gatuzos me shifrat 3-1.

Skuadra zikaltër duhej të mbante hapin e Juventusit dhe ia ka dalë shumë mirë, duke i rezistuar vrullit vendas në minutat e parë e më pas duke goditur me kundërsulmet vrastare të Lukakut, i cili shënoi në minutën e 13 duke mundur në duel force Hysajn e më pas në të 33-tën falë gafës së portierit Meret të cilit i shpëtoi topi.

Milik rihapi shpresën për napolitanët para fundit të pjesës së parë, por ekipi vendas nuk arriti të kalonte më Handanoviç dhe u godit përsëri nga Lautaro Martinez i cili çoi rezultatin në 3-1.

Napoli më pas ishte i pafat kur Insinje nuk mundi të rihapte ndeshjen duke goditur traversën dhe sfida u mbyll me fitoren 3-1 të skuadrës së Kontes që arrin përsëri Juventusin në kreun e Serisë A në të njëjtën kuotë pikësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje