Nga ëndrra në kllapi: Mbi telenovelën e koalicionit

16 Janar 2020, 17:08Rajoni TEMA

Nga Enver Robelli

1. 26 dhjetori: ose çka s’deshëm atëherë, e duam tani – një lojë e ndyrë e LDK-së

Franz Josef Straussi, politikani i famshëm dhe i gjithanshëm gjerman, njëherë ka thënë: «Të gënjesh domethënë: ta thuash me vetëdije të pavërtetën duke e ditur të vërtetën». Më 26 dhjetor kryetari i LDK-së, disa orë para se të ndodhi ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, tha: VV-së i takon posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ne do ta votojmë kandidatin që ata (VV) e propozojnë. Kryetari i LDK-së me atë rast po ashtu tha: nëse VV e propozon ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së për kryetar të Kuvendit, ne si LDK nuk e pranojmë këtë propozim. Kështu, pa marrëveshje për koalicion (dhe këtu ka faj edhe VV), LDK e votoi kandidatin e VV-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë LDK po insiston ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, duke «harruar» se çfarë ka thënë kryetari i LDK-së më 26 dhjetor. Postin që LDK nuk e donte më 26 dhjetor, e dëshiron në mes të janarit 2020. Kjo sjellje e shpërfaq LDK-në para opinionit si parti totalisht joserioze, qesharake, cinike, mashtruese dhe manipuluese. Duke qenë e vetëdijshme për lojën e pistë të saj, LDK në ofertën e fundit kërkon që postin e kryetarit të Kuvendit ta ketë vetëm për një vit – deri në ditën kur zgjidhet presidenti i Kosovës nga radhët e LDK-së, pastaj kryekuvendari do t’i takonte sërish VV-së.

Tash është lehtë të thuhet: VV duhet të mos lëshojë pe dhe të niset në aventurën e provokimit të zgjedhjeve (nuk ka garanci se do të ketë zgjedhje të reja dhe nuk ka asnjë garanci që VV sërish del e para). VV i bën një shërbim të madh Kosovës dhe mbi 400 mijë votuesve nëse hap rrugë për dalje nga qorrsokaku. Glauk Konjufca do të ishte edhe zëvendëskryeministër i mirë. Nëse edhe këtë variant LDK nuk e pranon, atëherë rrenat e saj bien në ujë dhe shihet ashiqare se kurrë nuk ka dashur koalicion me VV-në. Nëse LDK është bërë pjesë e lojërave të nëntokës për variante të tjera qeveritare, kjo do të merret vesh – herët apo vonë. LDK nuk duhet ta gënjejë me vetëdije opinionin më tutje.

Nëse nga takimi me ambasadorin e Donald Trumpit në Berlin krerët e LDK-së kanë marrë mesazh për një formacion tjetër qeveritar pa VV-në, ata duhet të kenë guximin ose ta kundërshtojnë këtë mesazh ose t’i nënshtrohen, me krejt konsekuencat që sjell kjo qasje. VV e ka pjesën e vet të përgjegjësisë për krejt këtë situatë të krijuar, por çfarë po bën LDK është nën çdo nivel të sjelljes normale të një partie politike. Posti i kryetarit të Kuvendit nuk është vendimtar për jetën politike të Kosovës. Kryetari i Kuvendit është një moderator i mbledhjeve, në fund të fundit.

Sa për fillim VV dhe LDK do të kishin nga një post, siç po thuhet, kryesor në sistemin politik (VV kryeministrin, LDK folësin e parlamentit). Në atë çast që LDK e merr postin e presidentit, VV si parti me më shumë vota i mban dy poste kryesore – kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Me rëndësi urgjente është që kjo agoni e shkaktuar nga beteja për poste të marrë fund tash. Sepse ndërsa LDK dhe VV terrorizojnë opinionin me pallavra, dikush është duke e plaçkitur buxhetin e Kosovës nëpër pista të skijimit.

2. Një muze për programin e qeverisë që s’u bë!

Po ai programi i harmonizuar qeveritar për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, për hetimin e vrasjeve të dyshimta dhe kapjen e vrasësve, për ndriçimin e privatizimeve mafioze, për shqyrtimin e monopoleve, për ndëshkimin e oligarkëve, për sundimin e ligjit, për profesionalizimin e shërbimeve publike, policisë dhe gjyqësisë, për krijimin e një sistemi të mirë shëndetësor e arsimor, për mbrojtjen e ambientit, për përfaqësimin serioz të Kosovës në politikën e jashtme, për zhvillim të bujqësisë – ku po mbetet, more, ai program? Të bëhen tok 400 mijë votues dhe të mblidhen para për ndërtimin e një muzeu për shpalosjen e programit të qeverisë që s’u bë. Hyrja në muze: falas. Ciceronë: dy kryetarët e partive që fituan zgjedhjet. Në fund të ecjes nëpër muze një sallë ku do shfaqet filmi: «100 ditë pallavra»!

3. Hashtagu nga Llapi: #metybabi

Pas pak në lidhje me gjendjen e koalicionit në Gjermani do të dalë me një deklaratë edhe vajza e Angela Merkelit. Nesër një deklaratë mbi gjendjen në kabinetin francez do ta lëshojë djali i Emmanuel Macronit. Pastaj priten prononcime për situatën në qeverinë e Austrisë nga djali i kancelarit Sebastian Kurz. Për tensionet në qeverinë kroate do të prononcohet së shpejti gjyshja e Andrej Plenkoviqit me banim në ishullin Hvar. Tezja nga Nikshiqi e Millo Gjukanoviqit do të deklarohet sapo ta gjejë makinën e shkrimit që ia ka lënë burri para se të dilte partizan më 1944. Halla e Viktor Orbanit, e cila jeton në Kikindë, ka premtuar po ashtu një reagim të shpejtë mbi punët e Hungarisë. Kushërinjtë e Boris Johnsonit, pasardhës të stërgjyshit të tij Ali Kemal, do të flasin nga Stambolli mbi Brexitin. #metybabi. #metymami. #metyteze. #metygjyshe. #metygjysh.

4 komente në “Nga ëndrra në kllapi: Mbi telenovelën e koalicionit”

  1. Baliu says:

    Nje urti popullore thot: Dreqi rrin ne bythe te plakut. Nje shembull tipik per kete eshte Ise paterica.

  2. Johani says:

    I dashur Robelli sinqerisht te pergezoi per shkrimin por ama a e vlene te humbasesh kohe per kete qeshtjet! Une them se JO dhe pse kur nuk shkruan ti dhe ata qe i duhen vendit ateher i vjen radha qiftit te isa mustafes dhe LDK-s qe qe ne vend se te turperohem ata guxojne edhe te behen faktor kyq ne zgjedhjen e fatit te kosoves ! Rujna Zot dhe per kete fajtor se sdo ti falet kurre eshte Albin Kurti i cili gjen kohe te zgerdhihet me isa mustafen dhe tia fale te gjitha poshtersite ndaj kombit kurse nuk paska asnje arsye te ulet me ish shoket,pra me PDK-n Limajn por edhe me Ramushin pse JO,prandaj i dashur Robelli te uroj per shkrimin por edhe per guximin qe ke treguar ne shkrimin tuaj, e Albini tash le te zgjedhe a do behet kryeminister si sinan hasani dikur apo do ja deshmoj serbise se ishte dhe mbetet per bashkim kombetar,e me isa mustafen mund te jeté vetem sinan hasan qe do te shpeton vetem ate si dikur paniqi millosheviqin.

  3. agon says:

    Zgjedhje te reja edhe pse kushton për popullin por me këta politikan vetëm populli mund ti drejtoj gjerat …

  4. Ceni says:

    E more kosovare; dhe shtetin doni ta qeverisi fshatarce? Apo meqe e keni dhurate?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje