SHIFRAT: 227 shqiptarë humbën jetën vitin e kaluar nga përplasjet me makinë, shënohen mbi 2 mijë të aksidentuar

20 Janar 2020, 16:11Kronika TEMA

Mbi dy mijë shqiptarë u dëmtuan në aksidente rrugore vitin e kaluar, ndërsa 227 humbën jetën prej tyre. Shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i të vdekurve në aksidente vitin e kaluar u rrit me 6.6%.

Për vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi një shkallë vdekshmërie nga aksidentet rrugore në afërsisht 8 për çdo 100 mijë banorë. Vendi ynë ka një shkallë vdekshmërie nga aksidentet rrugore të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit dhe të Europës Juglindore.

Por, ndërkohë, vdekshmëria ngelet ende e lartë në raport me vendet e Europës Perëndimore, ku ky raport është zakonisht më pak se 5 jetë të humbura për çdo 100 mijë banorë. Kjo tregon se vdekshmëria nga aksidentet duket të jetë e lidhur direkt me zhvillimin shoqëror, kulturën e zbatimit të ligjit dhe rregullave, por edhe me cilësinë e infrastrukturës rrugore.

Mbështetur në të dhënat e ekspertimeve, statistikat tregojnë se pjesa dërrmuese e aksidenteve në Shqipëri vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjetit, por në një masë të caktuar edhe të këmbësorëve. Pas disa aksidenteve të rënda me pasoja në njerëz në fillim të këtij viti, Ministria e Brendshme ka paralajmëruar ashpërsim të mëtejshëm të masave për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

Veç dëmit të pariparueshëm në jetë njerëzish, aksidentet ngelen edhe burim i konsiderueshëm dëmi ekonomik, që është e vështirë të vlerësohet në të gjithë përmasat e veta. Vetëm dëmet e pagauar nga kompanitë e sigurimeve për 11 muajt e vitit 2019 në klasat e sigurimeve motorike arriti në rreth 30 milionë euro, përfshi këtu fondin e kompensimit të Byrosë së Sigurimeve.

1 komente në “SHIFRAT: 227 shqiptarë humbën jetën vitin e kaluar nga përplasjet me makinë, shënohen mbi 2 mijë të aksidentuar”

  1. Lani says:

    Gjynah. .shoferet ne Shqiperine tone e marrin patenten me lek ..patenten e ka marr edhe vellaj ime qe se ka haberin per makine ai edhe karroces nuk di ti japi. Edhe sot eshte me patente te bleme 500 mije lek te vjetra turp skandal.prandaj ndodhin keto aksidente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje