Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, doli për herë të parë në një konferencë për media ku foli lidhur me objektivat që ka në krye të institucionit që drejton.
Duke sqaruar se ILD është e pavarur nga organet e drejtësisë dhe pushteti ekzekutiv, ai theksoi se ky institucion i ri kushtetues ka për objekt të veprimtarisë verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore, fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Metani deklaroi se deri më tani janë regjistruar mbi 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët, duke theksuar se puna është fokusuar fillimisht te vendimet e gjyqtarëve që kanë liruar nga burgu persona të dënuar.
Gjithashtu, kreu i ILD-së njoftoi se janë hapur 26 vende vakante dhe u bëri thirrje të gjithë magjistratëve të aplikojnë, duke i siguruar se çdo aplikim i kryer do të shqyrtohet me mjaft seriozitet.
“Sot kemi një institucion që nuk ka trashëguar asgjë nga e kaluara. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është një institucion i ri dhe i pavarur ku kemi ngritur një strukturë provizore për të përballuar fluksin.
Sot lançojmë hapjen e faqes zyrtare që aty do të shpallen vendet vakante që ILD po hap sot. Janë rreth 26 ende vakante, me kriteret përkatëse.
I bëj thirrje juristëve magjistratë apo jo, të aplikojnë dhe i garantoj që çdo aplikim do gjykohet maksimalisht. ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që cenon figurën e gjyqtarit dhe prokurorit.
I ndërgjegjshëm që na pret një volum dhe problematik pune. Deri më tani, rreth 900 ankesa janë dorëzuar, nga data 1 shkurt 2020 që konsiderohet si konstituuar kanë filluar ankesat e para.
Kërkohet një analizë e plotë. Brenda kapaciteteve po merren një plan masash lidhur me problematikat e KLP, KLGJ”, tha Metani.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk la pa përmendur edhe volumin e lartë të punës që gjendet para.
“ILD është e ndërgjegjshme për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për këtë institucion, por ka gjithë vullnetin të përballet me shkeljet e ligjit, që diskreditojnë figurën e gjyqtarit e prokurorit, që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e profesionit në përputhje me ligjin”, tha Metani.
Mes të tjerash, ai solli në fokus edhe problematikën publike lidhur me lirimet e parakohëshme të disa të dënuarve. Metani tha se si institucion i pavarur, ndan shqetësimin publik për vendimmarrjet dhe veprimtarinë e institucioneve të tjera dhe se prioritet në fillimin e inspektimit do të jetë pikërisht ky fenomen.
“Të shmangemi nga emrat. Rëndësi për mua ka fenomeni. Mund të ketë dhe emra që nuk janë publik. Më shqetëson fakti që ka disa gjykata që ka ndodhur ky fenomen dhe do të bëhet inspektimi se ku po ndodh ai. Më pas do bëjë publike rastet kur do ndërhyhet dhe si do ndryhet.”, tha ai duke siguruar se në vazhdimësi, “në varësi të ecurisë së plotësimit të institucionit me organikën e nevojshme, veprimtaria e ILD do të shtrihet në tërësi, edhe në zbatim të të gjitha funksioneve kushtetuese e ligjore të këtij institucioni.”
Gjithashtu, Inspektori i Lartë i Drejtësisë u bëri thirrje juristëve me përvojë, si dhe magjistratëve, të cilët kanë vullnetin dhe dëshirën për të kontribuar me përvojën e tyre në funksionet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që të aplikojnë për vendet e shpallura sot, e të tjera që do shpallen në të ardhmen.
Nga ana tjetër, në faqen zyrtare të institucionit, www.ild.al, janë shpallur sot 6 vende për inspektorë (jomagjistratë), të cilët do të rekrutohen nga radhët e juristëve me përvojë pune në profesion mbi 15 vjet, si dhe 5 vende për ndihmës inspektorë.(TemA)