Klubi i Mançester Sitit ka reaguar menjëherë pasi u bë publik vendimi i përjashtimti për dy edicionet e ardhshme nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare të organizuaraa nga UEFA. Kampionët në fuqi të Anglisë, me një qëndrim që i ngjante shumë atij të lëshuar shpesh nga klubi I Skënderbeut në vitet e kaluara kur diskutohej gjyqi i tij me këtë organizatë, aludon se kjo e fundit është e njëanshme në vendimet që merr dhe paragjykuese.
“Mançester Siti është i zhgënjyer, por jo i çuditur nga njoftimi i sotëm i UEFA-s. Klubi ka paraprirë gjithmonë dëshirën për të kërkuar një gjykatë dhe proces të paanshëm që të marrë në konsideratë sasinë e konsiderueshme të provave që ka në mbështetje të pozicionit të tij.
Në dhjetor 2018, Shefi i Hetimeve i UEFA publikisht e paratha rezultatin dhe sanksionin që ai priste t’i jepte Mançester Sitit, patra se të ishte nisur ndonjë hetim. Procesi vijues me gabime dhe vazhdimisht i bërë publik që ai mbikëqyri, nënkuptonte se nuk kishte dyshime në rezultatin që do të jepej. Klubi ka bërë ankimim formal në Komisionin e Disiplinës së UEFA-s, një ankimim që është vërtetuar me një vendim të KAS.
E thënë thjesht, kjo është një çështje e filluar nga UEFA, e hetuar nga UEFA dhe e gjykuar nga UEFA. Me këtë proces të paragjykuar që tashmë ka mbaruar, klubi do të kërkojë shpejt një gjykim të paanshëm dhe në radhë të parë, do të nisë procedurat e apelimit në KAS”, shkruhej në reagimin e Mançester Sitit.
Përjashtimi nga aktivitetet europiane do të ishte një goditje shumë e rëndë për këtë klub, i cili ka bërë shpenzime të çmendura vetëm për të fituar trofe në arenën ndërkombëtare dhe shpresonte se me Pep Guardiolën do ia arrinte këtij qëllimi.