Vazhdon shitja e çmendur e biletave për derbin e ditës së premte mes Tiranës dhe Partizanit në “Air Albania Stadium”.
Nëse deri ditën e djeshme ishin shitur rreth 11 mijë bileta, sot numri ka shkuar deri në 14 mijë bileta dhe me këto ritme pritet që të zihen praktikisht 80% të vendeve në stadium!
Kujtojmë që Partizani ka tribunën pas njërës portë në anën e Liqenit (pra, ajo Lindore, e quajtur ndryshe Vasillaq Zëri) dhe gjysmën e tribunës kryesore, pra atë qendrore.
Por, Tirana duke parë fluksin e madh të tifozëve, në bashkëpunim me policinë dhe sigurinë e stadiumit, ka vendosur që tifozët të kenë me vete edhe kartën e identitetit, edhe pse duhet theksuar se 75% e biletave janë blerë pa kartë identiteti.
Veç kësaj, nga mosha 16 vjeç e poshtë do të duhet që të jenë të shoqëruar nga një prind.
Mjetet e forta, shishet plastike dhe mjetet piroteknike janë kategorikisht të ndaluara.
“Çdo dëm i bërë në stadium do të sjellë përgjegjësi ligjore për personat përgjegjës. Çdo ambient i jashtëm dhe i brendshëm i stadiumit survejohet me kamera. Ftojme të gjithë tifozët të tregojnë qytetari dhe përkrahin skuadrën bardheblu. Nxitoni të pajiseni me bileta pasi shumë shpejt stadiumi do të jetë i gjithi i rezervuar për ndeshjen e së premtes Tirana – Partizani”.