Nufi: Investimet në burimet njerëzore dhe infrastrukturë kanë përmirësuar menaxhimin e zjarreve

27 Korrik 2026, 17:20Sociale TEMA
Nufi: Investimet në burimet njerëzore dhe infrastrukturë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ishte i pranishëm në takimin e zhvilluar në Bazën Ajrore të Farkës me zjarrfikësit dhe trupat e Emergjencave Civile, ku u diskutua mbi gatishmërinë për përballimin e rritjes së pritshme të temperaturave dhe, si pasojë, të rrezikut për zjarre.

Gjatë fjalës së tij, ministri e cilësoi këtë vit si një nga më të suksesshmit në menaxhimin e zjarreve, duke theksuar se ky rezultat është fryt i investimeve të vazhdueshme në burimet njerëzore dhe infrastrukturën e mbrojtjes civile.

“Jemi duke jetuar një ndër vitet më të mira të përballimit të zjarreve. Kjo nuk është rastësi apo fat, por rezultat i një menaxhimi të mirë të situatës dhe i përgatitjes paraprake për përballjen me këtë fenomen. Sezoni i kaluar vuri në provë të gjitha strukturat tona. Mirënjohje për secilin efektiv që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë në këtë sektor”, tha Nufi.

Ministri theksoi se qeveria ka rritur financimin për mbrojtjen civile, duke e çuar atë nga 800 milionë lekë në 1 miliard lekë për bashkitë.

“Në planifikimin tonë, investimet kanë qenë të vazhdueshme. Kësisoj, financimi për mbrojtjen civile është rritur nga 800 milionë lekë në 1 miliard lekë për bashkitë. Nga 1 qershori deri më 24 korrik janë regjistruar 22 vatra zjarri dhe janë mobilizuar 1,120 forca operacionale”, u shpreh ministri.

Sipas Nufit, investimet në kapacitetet njerëzore dhe logjistike kanë forcuar aftësinë e strukturave të mbrojtjes civile për të parandaluar dhe përballuar situatat e krijuara nga zjarret.

Lini një Përgjigje