Këshilltari Henz komenton fotot e Metës në hotel dhe lavderon Lulin

4 Mars 2020, 21:19Antena TEMA

Pas betejës së sotme me fotografi që plasi mes Taulant Ballës e Ilir Metës, këshilltari Henz i shkruan Jarit, mbi strategjinë e drejtë të Lulit për të mos u implikuar me njerëz dosido në foto dhe shprehu rezervat për qëndrimet me dy standarte të Metës:

“I dashur Jari!

Ju e patë sot se çfarë ndodhi me fotot që Balla botoi për Metën.

Kjo është një situatë e rrezikshme, se me aq foto sa gjenden rrugëve, kushdo mund të implikohet.

Biles kjo foto më kujtoi se ky Ilir Meta ka qëndrim të pandershëm me Terin.

Ky pretendon që ishte kundër djegies së mandateve.

Nëse do ishte kundër djegies së mandateve, nuk e kuptoj pse distancohet tani nga Teri, se Teri nuk e dogji mandatin, dhe e ka në Kuvend.

Kjo e tregon njeri me dy standarte, dhe nuk është mirë.

Nga ana tjetër, kjo puna e fotove është bërë problem i madh.

Në këtë aspekt, kam një vlerësim të veçantë për strategjinë e Lulit, që nuk del më në terren dhe i zgjedh njerëzit me të cilët del në video.

Pati shumë njerëz, kryesisht gazetarë, që kritikuan fushatën e tij të fundit me gjyshe Verën, që del me të, të blejë shegë apo domate.

Apo dalja në kafene me të rinj të Forumit Rinor të PD.

Po ta shikosh nga këndvështrimi i problemeve që hapin fotot me njerëz të rastësishëm, del që Luli ka të drejtë.

Më mire një foto të sigurtë me gjyshe Verën që e di kush është e si vjen e keqja, se sa të shkojë në dreka e darka me njerëz të panjohur e të përfundojë pastaj si tek ky hoteli i sekuestruar.

Kjo është një dëshmi më shumë, se strategjia e Lulit për ta zgjedhur ai popullin që del në fotografi, dhe jo ta zgjedhë populli atë, është e drejtë.

Kjo do ta mbajë PD-në larg skandaleve të tilla.

I vetmi rrezik është se mos dikush prej tyre u shkon në zyrë.

Për këtë duhet të bëjmë kujdes.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje