Këshilltari Henz i zemëruar me Ilir Metën, që dekoroi këshilltarin Falenski

26 Shkurt 2020, 19:45Antena TEMA

Këshilltari Henz sot ishte shumë i mërzitur.

Lajmi se presidenti Meta kishte dekoruar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, ‘kryekëshilltarin’ për Politikën e Jashtme të CDU-CSU-së, Hans Joachim Falenski, e mërziti shumë.

Në sqarimet e tij për Jarin, këshilltari Henz shkruan:

“I dashur Jari!

Kjo që ka ndodhur sot nuk është një gjë e mirë.

Zoti Falenski, i cili u dekorua me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, nuk është kryekëshilltariI CDU-CSU.

Ai është nëpunës i një deputeti të CDU.

E vërteta është që ai ka nja 40 vjet që merr rrogën si burokrat në zyrat e CDU, dhe nuk është bërë kurrë këshilltar politik, por rrogëtar.

Krahasuar me mua, ai është nivel ordiner.

Unë kam punuar në shoqëri lobimi politik, kam bërë fushata elektorale etj.

Shumë media më referohen dhe si këshilltar i Merkelit.

Ai është thjeshtë një burokrat i zyrave të CDU.

Por ajo që unë dyshoj, është se ai më ka vjedhur mua punën e vitit të kaluar dhe ka gjetur një lidhje me Metën, duke i mbushur mendjen atij, se ato nëntë kushtet e Bundestagut ja ka bërë ai Merkelit.

Në fakt, ato ja bëra unë dhe ua çova gati.

Ky ishte aty dezhurn dhe i mori.

Me sa duket ky mi ka rishitur si punë të tij tek Meta.

Kam frikë se do ketë marrë dhe ndonjë lek për këtë punë.

Kjo nuk është serioze, pasi i ul autoritetin dhe Gjermanisë, dhe ju si opozitë në Shqipëri.

Ti sa ka qenë president, nuk ke bërë gabime të tilla.

Ti i ke dhenë këtë titull Hakiut të Vjenës, por Hakiu e meriton, pasi ai bën picat më të mira në Vjenë dhe e ka restorantin afër Operas.

Si mund të krahasohet Hakiu i Vjenës me zotin Falenski!

Zoti Falenski është një ngrënës picash, kurse Hakiu një bërës picash.

Kjo është diferenca dhe mes meje dhe zotit Falenski.

Unë jam një prodhues idesh, ai një përtypës idesh.

Tani ai dekorohet, mua s’më zë njeri në gojë.

Kjo nuk është serioze.

Së paku, të sqarohet kjo puna e lekëve.

Nëse Meta e ka paguar, duhet të ndajmë honorarin.

Ose ai të mbajë dekoratën dhe unë të marr honorarin.

Ndryshe do të njoftoj kancelaren Merkel se ka korrupsion dhe në Presidencë dhe ajo mund të mos e mbështesë mitingun e 2 marsit.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje