Nga Romelda Bozhani*
Kambanat e kishës dëgjohen nga larg. Ёshtë ora 18 e mbrëmjes, ora e shtetërrethimit. Nga kulla e ngujimit shihet si pleqëron dita. Nëse s’do ishte A-ja dhe televizori, A-ja tjetër dhe sërish televizori, do më dukej si një ditë e zakonshme me aromë pranvere. Në një ditë të tillë, dalldija më gjen në kopsht teksa sodis çdo lule e çdo shkurre e me të gjitha gjasat do mendoja me një ritëm kaq të ngadaltë, o zot, sa të ngadaltë (pse nuk ecën mendimi kur je i ngeshëm?!), se si natyra të shpie në të tjera dimensione. E do filloja të numëroja dimensionet: një dimension, dy dimensione, tri dimensione, pesë dimensione.. .prit, se u ngatërrova. Filloj nga e para. Ohuuu, mërzitem edhe me dimensionet e ngrihem të heq ndonjë gjethe a lule të tharë andej nga këndi i karafilave. Meqë dimri as u pa e as u ndje këtë vit, karafilat e çelur do më ndërmendnin kopshtin e dikurshëm të tezes.
Po, ja, e gjitha kjo s’ndodh. Në mënyrë prozaike, unë rri te pragu i kullës dhe pres A-në. Mbaj vesh, përpëlitem, dihas,mbaj frymën, fus gishtin në gojë si gjithmonë kur jam në ankth, krruaj fytin, krruaj syrin, krruaj kokën, shtrydh duart, shtrydh trurin, hedh sytë nga dera dhe përpiqem të mos mendoj më. A-ja më njofton për të rejat, ato të paktat herë që del jashtë e, ka disa ditë, që nuk më flet më për shiun që po vonon. Si një Kandid i mendueshëm, hedh sytë andej nga ullinjtë dhe hesht. Kësaj here edhe atij i duken të tepërta planet, që, për çudinë e një lindoreje si unë, këta perëndimorët i thurin si merimanga jetëgjata.
Rrugët janë të shkreta, arna- arna të shkreta. A-ja tjetër më sjell lajme nga ato të pakta qoshëza që vazhdojnë të jetojnë me droje. Njerëzit s’pipëtijnë, supermarketet, pas dyndjes së njerëzve si në ditë të fundit, janë kthyer në magazina boshe e të shëmtuara, ziejnë burgjet nga protestat e kryengritjet. “Kaosi thërret ende si në shpellat primitive”, mendoj. A-ja tjetër vazhdon e tregon duke ngritur një ton zërin, por kur arrin nga fundi, zbërthehet e pafuqishme në karrige. Parukieria e ka mbyllur dhe s’hapet për kushedi sa kohë. Koha e virusit i ka nxjerë thinjat në pah dhe kjo s’është e denjë për një kohë paqeje. “Mos u mërzit”, i them, “ka edhe një kohë tjetër më të ndyrë: është koha e luftës”.
Bie zilja e telefonit. Mikesha R., më flet me një ton të nxituar. Zakonisht është e shtruar dhe ka buzëqeshjen e atij njeriut që nëpër reklama të përplas surratit pastën më të fundit të dhëmbëve. Duket sikur bën buletinin e luftës: me mijëra të infektuar në ditë, me qindra të vdekur në ditë, një popull i ngujuar. Dhe ja ku dalin nga e kaluara e të gjithëve, shtresa- shtresa, vitet e tkurrura të jetës tënde, jetës time.
Ёshtë viti ’97 për Italinë dhe italianët. Një panoramë surreale po zëvendëson jetën reale. Si në një film fantastiko-shkencor ku raca njerëzore është e rrezikuar të zhduket, qytetet e begata të Italisë po bien një nga një nga koronavirusi e po kthehen në fantazma. Jeta ka ndalur dhe asgjë nuk lëviz, e përditshmja trashet palë- palë si gjuhë lope.
Rrugët e Romës janë bërë të frikshme. Rrugët e Romës janë të zbrazura. Rrugët e Romës, këto ditë, të duken të gjitha njësoj: më kot me shkëlqim, më kot me diell, pa identitet, pa ngrohtësi. Koloseu është bërë simbol i një qyteti të sëmurë. Panteoni nuk thith më njerëz e dritë. Sheshet erëmira të Italisë, vendit të bukur dhe ideal për turistët, duket sikur janë zhveshur lakuriq dhe kanë nxjerrë brinjët e nga brinjët u kanë shkulur me forcë njerëzit, jetën. Piazza del Popolo për herë të parë është pa popull dhe obelisku egjiptian në qendër të sheshit, duket më i lartë, kobzi e me një gjuhë të çuditshme që i flet një zoti të largët. Ёshtë koha e luleve në Piazza di Spagna. Por shkallët më të famshme në botë, shkallët e këtij sheshi tërë salltanet, i bëjnë sehir të heshtura një Bernini që flet me vete dhe rrjedh butë si ujë i ngeshëm. Bosh Campo de’ Fiori. Bosh. Bosh. Turra e druve të Giordano Bruno-s, djeg, përvëlon, ngjall panik dhe njerëzia ndihet sërish e paditur, si në mesjetë, teksa pret me padurim të mbarojë ky makth. Roma e çezmave të shumta dhe njëmijë e një shatërvaneve, ngjall kujtime. Gurgullima e Fontana di Trevi-t, poezia e arkitekturës baroke, ndihet e mekët, kështu, e lënë mënjanë nga miklimet e qindra- mijëra njerëve që e vizitojnë në ditë. “Marcello, come here (eja, këtu)!”, më bëjnë veshët. Eh, kushedi se kur…! Duket sikur ka kaluar një shekull. Mastroianni rri e pret.
Via del Corso, nuk mbledh më njerëzit për të bërë shooping. Dje, pardje, apo dikur, u pa një papë të bënte pelegrinazh mu në qendër të Romës. Ecte si një qytetar i thjeshtë, si rrallë herë, turma njerëzish nuk e rrethonin. Historia e papatit do ta shënojë edhe këtë ngjarje të çuditshme në analet e saj.
Shkollat, çerdhet, kopshtet, universitetet, dyqanet, institucionet, qendrat tregtare, pub-et, diskotekat, restorantet, kafenetë, aeroportet, trenat, autobusët, kinematë, teatrot, muzetë, teatrot e operas, parqet, pishinat, palestrat, dmth., çdo segment i një jete normale, është ndalur, çdo gjë është paralizuar si në kohë zie. Mbeten hapur vetëm spitalet, farmacitë dhe dyqanet e bukës. Ekonomia po shpartallohet, lulëzon industria e vijave të para të frontit.
Pas 75 vjetësh paqeje e përparimi, Europa Perëndimore mbyll kufijtë, secili shtet tërhiqet sërish në zhguallin e vet. Shfaqen frikshëm: ushtri, policë, patrulla, postoblloqe, duar të hekurta shtetesh të hekurta dhe lirija jote si individ varet sërish nga një copë lejekalimi. Ka plasur një pandemi denoncimesh, njerëzit nxitojnë të ngujohen. Mendoj e shqetësuar se nuk është parë ndonjëherë në historinë e njerëzimit një ngujim i tillë masiv që të përfshijë mbi njëqind e pesëdhjetë vende anembanë globit. Bota është kthyer në një kullë të stërmadhe ngujimi dhe pret me ngut gjaksin. Virusi përhapet më shpejt se mendimi në kohë të trazuara dhe këtë “mik të paftuar” e kemi brenda në shtëpi, pa kuptuar se si e kapërceu pragun e derës. Më duket si një krimb i përzishëm që futet nga e njëjta e çarë nga ku u fut, pak më parë, drita e diellit. Deri dje kemi dëgjuar vagëllimthi për ankthin e të tjerëve, sot, ankthi ynë na shtrëngon mendjen si oktapod i kudondodhur .
Në kullën e ngujimit nuk numërohen më ditët. Çdo ditë ka një frymëmarrje ndryshe. Merret frymë kur njerëzit shërohen, ekzaltohesh kur mjekët luftojnë si në llogore për të shpëtuar jetë, jetë, jetë. Sigurohemi, humanizmi ka ende kuptim.
Po shpiket një tjetër mënyrë jetese. Këndohet dhe jetohet nëpër ballkone shtëpish, nëpër tarraca pallatesh. Triumfon himni i Mamelli-t. Italianët zbulojnë si në ditë lufte që janë një kombi vetëm e i bashkuar dhe vihen në kërkim të patriotizmit të harruar, të veteranëve të moçëm. Duket sikur nuk ka kaluar dhe aq shumë kohë nga Lufta e Dytë Botërore, ku armiku kishte një emër, një ngjyrë, një trup.
Të gjithë zbulojmë se ia kemi nevojën njëri- tjetrit edhe në një botë tjetër, atë virtualen. Kjo jetë e re virtuale dhe vertikale duket se është shpresë dhe ushqim për nerva të tendosura në këto ditë të rënda izolimi. Këndoj, pra ekzistoj. Lexoj, pra, mbijetoj. Unë që vij nga Shqipëria, e njoh këtë peshë vetmie. Për ne, shqiptarët, s’është e re pasiguria për të nesërmen që ngushton dhe shtyp si mur. Mungesa e lirisë së madhe, tjetërson liritë e vogla të së përditshmes, edhe këtu, si 23 vjet më parë në vendin tonë, në vitet e kobshme, kur frikën e ngrohnim nën batanije dhe e lanim me ujë të ndenjur…
Thonë që trishtimi rrëzon njeriun nga majat e përsosmërisë. Për ne përsosmëria ishte para tri javësh, dmth dje, kur me kapele qesharake në kokë, pritëm e puthëm miq e të afërm në shtëpinë tonë që gumëzhinte nga një festë e gëzueshme. Ishim të lumtur e tëshkujdesur, sikur të ndiheshim të përjetshëm.
Ndërsa trishtimi është sot, kur kupton se më e shtrenjtë se liria jote e shtrenjtë, është vetë jeta… o vdekatar!
*Autorja jeton dhe punon në Romë, Itali.