Nga Perlat Sula*
Projekti për hapjen e shkollës “Skënderbej” i takon shkurtit të vitit 1945. Me urdhër të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare (UNÇL) që përkonte me veprimtarine e njësive partizane jashtë kufijve të Shqipërisë, komandat partizane porositeshin të kthenin në Shqipëri partizanët e vegjël për t’u shkolluar. Në urdhër përcaktohej: “Meqënëse së shpejti çelen shkollat, duke patur parasysh se kjo kategori luftetarësh partizanë ka nevojë më shumë se kushdo tjetër për arsimim, kjo komandë ka vendosur që t’i heqë nga ushtria dhe ti caktojë në shkolla të ndryshme’’.
Më 28 mars 1945, në garnizonin e vjetër ushtarak në Laprakë u zgjodhën për herë të parë 200 partizanë të vegjël të moshave 14-16 vjeç, midis tyre dhe 7 vajza, duke krijuar shkollën e parë “të pionierëve të luftës”. Në inagurimin e saj mori pjesë edhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL, gjeneral Spiro Moisiu. Vendi sapo kishte dalë nga lufta dhe kushtet për mësim e jetesë ishin të vështira. Si e para shkollë ushtarake, hapja e saj erdhi si rezultat i realizimit të aspiratave madhore të mbare popullit për organizimin dhe zhvillimin e ushtrisë kombëtare menjëherë pas çlirimit të vendit. Ajo ishte e rëndësishme dhe nevojë e ngutshme për shkak të arsimimit të pakët dhe të pamjaftueshëm të një pjesë të luftëtarëve të vegjël partizanë, të cilët ishin të shumtë në radhët e UNÇL, si dhe për hapjen e shkollave të tjera ushtarake në të ardhmen. Ky ishte një objektiv i rëndësishëm në kuadrin e formimit të ushtrisë shqiptare, pas vitit 1944.
Shkolla, që në fillim dhe deri në mbylljen e saj në 1992, u konceptua dhe u realizua si qendra më e rëndësishme për përgatitjen e kuadrove të ushtrisë, nëpërmjet edukimit patriotik,
përvetësimit të programit për arsimin e mesëm të përgjithshëm, si në të gjitha gjimnazet e vendit, duke hedhur bazat e formimit fillestar ushtarak dhe për të hapur rrugën drejt shkollave për forcat toksore, ajrore dhe detare. Në dy vitet e para u quajt “shkolla e pionierëve të luftës” dhe funksionoi si një shkollë e ciklit të ulët.
Në shkurt të vitit 1947, po me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të FA, shkolla mori emrin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Skënderbej”. Vendosja e emrit “Skënderbej” kishte kuptim sa historik aq edhe simbolik, nder dhe respekt për brezat e rinj. Kontigjentet e para që u dërguan në Shkollen e Bashkuar të Oficerëve u diplomuan në vitin 1949, ndërsa maturantët e parë në vitin 1953. Në vitet që pasuan, numri i nxënësve erdhi në rritje, shoqëruar me ndryshime të mëdha në forme dhe përmbajtje. Në këtë kuader periudha 1947 – 1953 përcaktoi qartë fizionominë, misionin dhe rrugën e zhvillimit të shkollës për të ardhmen.
Për gati gjysmë shekulli (1945–1992) nga kjo shkollë dolën rreth 32000 nxënës, kontigjente për Shkollën e Këmbsorisë, Aviacionit dhe Marinës. Për nevojat e tjera të ushtrisë kontigjentet plotësues merreshin nga gjimnazet dhe shkollat 4- vjeçare profesionale të vendit. Në pamje të pare duken shifra të larta për një vend të vogël si Shqipëria, por në politiken e sigurisë dhe të strategjisë mbrojtese të vendit shteti shqiptar i para viteve 1990, parashikonte që ushtria do të funksiononte mbi bazën e parimit të rekrutimit të përgjithshëm të resurseve njerëzore në rast lufte si dhe mbrojtjen territoriale të vendit pëllëmbë për pëllëmbë. Në prputhje me këtë parim, ushtrisë shqiptare (1945–1990) i duhej një strukturë e nevojshme me të gjitha llojet e forcave tokësore, ajrore e detare, duke arritur kulmin me organizimin e 22 divizioneve me mbi 150 brigada e regjimente, qindra batalione, njësi speciale e logjistike. Gjithashtu një forcë të madhe përfaqesonin Forcat Ajrore, Forcat Detare, Forcat e MKA, akademitë dhe shkollat ushtarake të Trupës, Forcat e Rinise Studentore të Armatosur, Forcat Vullnetare në shkallë vendi, industria ushtarake etj. Kjo strukturë kërkonte kuadrot e saj për të organizuar, drejtuar dhe udhëhequr të gjitha kapacitetet e saj njerëzore, të armatimit, teknikës luftarake, mbështetjes logjistike, edukimit, stërvitjes, industrisë ushtarake, fortifikimit, zhvillimit të shkencës ushtarake etj. Ushtria shqiptare sipas konceptit “gjithë populli ushtar”, në organikat e luftës kishte një efektiv mbi gjysmë milionë të aftë për luftë, të përfshirë në forcat operative dhe vullnetare.
Duke filluar nga viti 1960 rreth 60% e nevojave të ushtrisë për oficerë merreshin nga Shkolla “Skënderbej”. Në këtë rrugë të gjatë historike, që nga brezi i parë me pionierët e luftës, deri në vitin 1992 kur shkolla u mbyll, shumë skënderbegas kanë dhënë jetën në krye të detyrës dhe janë
shpallur dëshmorë të atdheut si në aviacion, këmbësori, xhenjo, artileri etj. Me mijëra kanë dalë në pension dhe të tjerë vazhdojnë të shërbejnë në radhët e Forcave të Armatosura si drejtues e komandantë të të gjitha niveleve, deri në Shtabin e Përgjithshëm.
Që nga viti 1955 shkolla u quajt “fidanishtja e ushtrisë”, çka nënkuptonte një mjedis shoqëror ushtarak, si burimi kryesor i furnizimit të ushtrisë me oficerë të rinj. Nxënësit e kësaj shkolle ishin kryesisht fëmijë të njerëzve të thjeshtë, të punëtorëve dhe fshatarëve dhe fare pak fëmijë të nëpunësve të administratës partiake dhe shtetërore. Ata vinin nga të gjitha rrethet dhe krahinat e Shqipërisë dhe shumica e tyre nën ndikimin e familjeve, me tradita patriotike, të lidhura ngushtë me LNÇL, familje dëshmorësh e ushtarakësh. Por nuk mungonin dhe dëshirat individuale të nxënësve, apo përzgjedhjet që bënin organet e arsimimit dhe të mobilizimit ushtarak në rrethe.
Për të hyrë në shkollën ushtarake “Skënderbej” kishte kritere të caktuara politike që preknin sidomos biografinë familjare, por edhe kushtet shëndetësore, përgatitjen fizike, rezultatet në mësime në shkollat e ciklit 7-8 vjeçar. Pra, biografia e familjes dhe rrethit familjar ishte kriteri kryesor. Aplikimet më të shumta vinin nga ato qytete e krahina ku traditat dhe lidhjet me ushtrinë kishin qenë tradicionale që gjatë periudhës së pavarësisë, monarkisë, Luftës NÇL dhe të ushtrisë shqiptare deri në vitin 1992.
Ky ndikim familjar dhe kjo dëshirë individuale ishte rezultat i dy faktorëve: së pari, vlerësimi që kishte shoqëria shqiptare për profesionin e ushtarakut dhe së dyti, respekti dhe dashuria e popullit për ushtrinë, rolin dhe misionin e saj në mbrojtje të atdheut dhe në shërbim të drejtpërdrejtë të tij. Kishte dhe arsye të tjera të zgjedhjes. Shkollimi ishte falas. Akomodimi, veshja, ushqimi, librat dhe gjithçka tjetër ishte e garantuar nga shteti, pra ishte lehtësi për familjet. Përveç kësaj, shkolla hapte rrugën e një të ardhmeje të sigurtë. Pas 4 viteve studimi në një gjimnaz ushtarak, skënderbegasit fillonin etapën e dytë të arsimimit në shkollat ushtarake dhe më pas, në jetën e ushtrisë si specialistë të saj, drejtues që nga hallkat më të vogla; togë kompani (bateri), deri te më të lartat; brigadë, divizion, korpus, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm. Uniforma e bukur e skënderbegasve, e cila ngjasonte si uniformë gjenerali, tërhiqte vëmendjen e qytetarëve dhe sidomos kuriozitetin, fantazinë dhe imagjinatën e fëmijëve, duke zgjuar tek ata dëshirën e madhe për të vazhduar shkollën “Skënderbej”.
Krahas programit 4- vjeçar që ishte i njëjtë me atë të gjimnazeve civile, rëndësi i kushtohej edhe njohjes së armëve të këmbësorisë, rregulloreve bazë dhe të disiplinës në ushtri. Përgatitja
fizike 6 orë në javë gjatë gjithë viteve mësimore, kalitja në fushimet dimërore e verore, në terrene malore dhe bregdet, kryerja e marshimeve të gjata, mësimi i notit, boksit, mundjes dhe gjithë sporteve të tjera, i jepte shkollës natyrën e një reparti special ushtarak, me të gjitha veçoritë e kazermës ushtarake. Ata skënderbegas që nuk përballonin programin dhe ngarkesën fizike gjatë vitit të parë dhe të dytë largoheshin nga shkolla. Kjo rriste dukshëm cilësinë e maturantëve skënderbegas.
Një punë e kujdesshme dhe me rëndësi të jashtëzakonshme bëhej për të arritur kohezionin dhe lidhjet shoqerore sa më të qëndrueshme e të shëndosha midis skënderbegasve. Burimi kryesor i tyre bazohej te disiplina e ndërgjegjshme, kultura e përgjithshme që jepej çdo ditë, në edukatën shoqërore të marrë në familje, kushtet e plota për jetesë, mësim e stërvitje, si dhe në mësimet politike e morale të shtetit shqiptar në periudhen 1945-1990. Skënderbegasit e konsideronin veten si vëllezer të një familjeje të madhe. Tek ata ishte i theksuar parimi “një për të gjithë dhe të gjithë për një”. Ky parim nuk ishte vetëm në bankat e shkollës, por ai qendron fuqishëm me ndjenja akoma më vëllazërore edhe sot, sipas brezave apo vendndodhjes së tyre në Shqipëri apo jashtë saj. Largimi nga familja dhe mjedisi shoqeror ku ishin rritur deri në moshën 13-14 vjeçare, mënyra e jetesës në shkollë pa kujdesin dhe ndihmën e prindërve, disiplina spartane e mbështetur në rregulla strikte ushtarake, kufizimi i lirive dhe aspiratave rinore për më shumë kohë në marrëdhëniet mes djemve e vajzave si në gjimnazet civile etj., formësonin si domosdoshmeri kohezionin e ngushtë shoqëror midis tyre, njëkohësisht edhe karakterin burrëror të qëndrueshëm. Ky kohezion favorizohej edhe nga krijimi i kushteve bazë për mësim dhe stërvitje siç ishin ambjentet e bollshme të jetesës, bibliotekat, palestrat, kinemaja, terrenet sportive, klubet, lavanteritë, baza materiale didaktike etj. Në këto kushte ata e pranuan njëri- tjetrin menjëherë ashtu siç ishin, me të gjitha ndryshimet në origjinën qytetare apo fshatare, veriore apo jugore. Ata ishin të lirë të organizonin veprimtari të programuara në bazë shkolle, klase, kompanie, duke marrë pjesë në rrethe letrare, artistike, sportive, teatrale, muzikore, si dhe vendosjen e marredhënieve të ngushta me shkollat e mesme ëe përgjithshme dhe profesionale në Tiranë, për aktivitete të përbashkëta argëtimi e sportive, shkëmbim eksperience etj.
Struktura organizative e shkollës “Skënderbej” përbëhej nga tre shtylla kryesore: Komanda dhe trupa ushtarake e mbështetese, drejtoria arsimore dhe mësuesit civilë, trupa e nxënësve. Komandanti i shkollës ishte përgjegjësi kryesor për të gjithë efektivin e shkollës, ushtarak dhe civil. Ai e drejtonte shkollën në bazë të ligjeve, urdhërave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Arsimit dhe rregulloreve ushtarake. Ai përgjigjej për gjendjen moralo–
psikologjike e disiplinore të nxënësve, për kushtet e jetesës dhe mësimdhënies, si dhe detyra të tjera të përcaktuara në rregulloret e kohës. Drejtori dhe trupa pedagogjike civile përgjigjej për drejtimin dhe zhvillimin e procesit mësimor në bazë të programit të shkollës së mesme të përgjithshme në rang vendi. Aty mësohej historia, gjeografia, gjuha shqipe, letërsia, fizika, kimia, biologjia, astronomia, trigonometria, gjuha ruse dhe angleze etj. Lëndë të rëndësishme konsideroheshin edhe përgatitja fizike, marrja e njohurive ushtarake në baëe të kodit moral: Detyra – Ndershmëria – Atdheu. Pra, komandanti dhe drejtori civil i shkollës ishin dy figurat kryesore, më autoritare dhe më të respektuara, që harmonizonin programin e edukimit civilo–ushtarak.
Edhe pse jeta e brendshme dhe aktiviteti 24 orësh kryhej si në një repart ushtarak, trupa pedagogjike ishte e lidhur ngushtë me këtë organizim. Oficerët, nënoficerët dhe mësuesit civilë dalloheshin për kujdesin e jashtëzakonshëm dhe dashurinë ndaj nxënësve skënderbegas. Ata ishin nga më të mirët të përzgjedhur në ushtri apo gjimnazet e vendit. Shquheshin për meritat e tyre në lidhje me korrektësinë, kreativitetin, performancën e lartë profesionale dhe qytetare, duke kultivuar te skënderbegasit pasionin dhe dashurinë për atdheun dhe profesionin e ushtarakut. Shumicë e mësuesve dhe ushtarakëve kishin studjuar në Itali, Bashkimin Sovjetik, Austri, Gjermani, Francë dhe më vonë, në Universitetin e Tiranës dhe akademitë ushtarake në vend.
Edhe sot pas 28 vitesh të mbylljes së shkollës, lidhjet, respekti dhe dashuria reciproke midis ish- skënderbegasve dhe edukatorëve të tyre ndër vite është mbresëlënëse. Skënderbegasit përulen me nderim të thellë ndaj gjithë edukatorëve të tyre ushtarakë e civilë ndër vite, të cilët për mbarëvajtjen e kësaj vatre të shquar të edukimit dhe përgatitjes së nxënësve ushtarakë nuk kursyen energjitë mendore e fizike, por as dituritë e tyre. Në shkollë kanë shërbyer mbi 300 mësues dhe oficerë. Ata mbeten një shembull i shkëlqyer i përkushtimit ndaj detyrës, korrektësisë, sakrificës dhe vlerave morale.
Deri në vitin 1992 shkolla “Skënderbej” ka marrë pjesë në të gjitha aksionet kombëtare të rinisë shqiptare, duke u dalluar veçanërisht në ndërtimin e hekurudhave Elbasan- Prrenjas, Milot–Reshen–Klos; në rrugën e Malësisë së Madhe, në ndërtimin e hidrocentraleve në Koman e Fierzë; në Kombinatin Metalurgjik Elbasan; në aksionet në ndihmë të bujqësisë në Myzeqe, Ksamil, Bizë, Zall Herr, Mirditë; në likujdimin e pasojave të tërmetit në Dibër (1967) dhe në Shkodër (1979). Skënderbegasit janë dalluar në mjaft koncerte festive, parada, spartakiada, olimpiada të shkollave të mesme, manifestime dhe stërvitje të rëndësishme të ushtrisë, duke u
nderuar kurdoherë me çmime e vlerësime në rang kombëtar. Shkolla “Skënderbej” përfaqësonte ekipet e të rinjve të klubit “Partizani” në të gjitha llojet e sporteve, duke nxjerrë sportiste dhe mjeshtra sporti të rangut kombëtar e ndërkombëtar. Shkolla “Skënderbej” gjatë historisë së saj ka marrë vëmendjen që i takonte nga shteti shqiptar lidhur me kontributet dhe performancën e saj si një institucion cilësor arsimor në koherencë me zhvillimet dhe reformat në Forcat e Armatosura, duke mbajtur gjallë dashurinë për ushtrinë dhe popullin shqiptar. Ajo krijoi një tradite historike, e cila ka lënë gjurmë në ushtrinë tonë dje, sot dhe për të ardhmen, duke krijuar oficerin e ri shqiptar. Ajo pati meritën e përgatitjes së kontigjenteve për shkollat e tjera ushtarake, për rritjn e standarteve të larta për arsimimin ushtarak, duke u bërë terreni i provës dhe garancisë për suksese arsimore dhe profesionale të kuadrove të ushtrisë. Me dijet e përfituara në të gjithë hierarkinë e shkollave ushtarake, ish- skënderbegasit kanë bërë karrierë të shkëlqyer në radhët e ushtrisë, duke u bërë gjeneralë e ushtarakë madhorë, komandantë, specialistë, pilotë e detarë të shquar, ministra, profesorë e shkencetarë, deputetë e artistë të mëdhenj, sportistë e mjeshtra sporti, ambasadorë, poetë e shkrimtarë, gazetarë, biznesmenë, politikanë etj.
Për vlerat dhe meritat e saj shkolla “Skënderbej” është dekoruar me urdhëra dhe medalje, në krye të të cilave qëndron “Urdhëri i Lartë i Skënderbeut”, duke u bërë shembull frymëzimi për gjithë rininë shqiptare. Edhe sot, shkollat ushtarake kanë se çfarë të mësojnë nga historia dhe vlerat e kësaj shkolle. Akademia “Skënderbej”, që trashëgon emrin e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, është duke i çuar më përpara traditat e përgatitjes së oficerëve të FA Shqiptare në të gjitha fushat, si në ato të dijeve teorike, shkencore dhe tekniko-profesionale në baze të përvojës sonë dhe standarteve të NATO-s.
Oficëret e sotëm ish-skënderbegas vazhdojnë të shkëlqejnë jo vetëm në akademitë tona, por edhe në ato të ushtrive perëndimore. Shumë prej tyre janë duke punuar në misione ushtarake jashtë Shqipërisë, në organizmat e sigurisë në Europe dhe në strukturat e NATO-s.
Shkolla u krijua si domosdoshmëri objektive dhe nevojë permanente e ushtrisë shqiptare për kuadro të aftë e të përgatitur me arsimimin përkatës dhe me formimin demokratik. Në vitin 1992 shkolla “Skënderbej” u mbyll, duke ndërprerë veprimtarinë e saj, duke humbur statusin si vatër kombëtare për edukimin patriotik, atdhetar e ushtarak, si fidanishte e kuadrove të ushtrisë. Sot mund të rishikohet kërkesa e përsëritur për ta rihapur këtë shkollë legjendare. Tradita dhe historia e saj, ndonëse kanë kaluar 28 vjet nga mbyllja, nuk do të harrohen e anashkalohen kurrë. Sot e në vazhdimësi, jo vetëm ajo pjesë e “pionierëve të luftës”, por edhe e brezat pasardhës janë
krenarë që militojnë në organizatën e veteranëve të LNÇL dhe sidomos në shoqatën kombëtare “Skënderbegasi”, e krijuar në vitin 1996. Kjo shoqatë ka në gjirin e saj rreth 30 mijë skënderbegas. Ajo është kthyer në një vatër të ngrohte atdhetare për kryerjen e aktiviteteve promovuese të shkollës dhe të ushtrisë, të historisë së luftrave të popullit shqiptar ndër shekuj, të plejadës së skënderbegasve të kudondodhur, për të përjetsuar Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”.
*Gjeneral Major në pension, ish-skënderbegas 1963–1967.
Faleminderit Gjeneral per shkrimin ne kujtim te Shkolles Skenderbej.Te uroj shendet e jete te gjate.
Mbyllja e shkolles “Skenderbej” ishte nje krim shteteror.
Jam njè ish ” Skènderbegas ” matura ’81 pjesmarrès nè Paradèn e 35 Vjetorin e çlirimit tè Atdheut ! Ndjehem i mallèngjyer pas kètijè shkrimi emocionant si dhe pèr Ditèlindjen e 75 Vjetorit tè Shkollès “Skènderbej “. Kam dalur nga ajo Shkollè e Nderuar ,me njè bazè tè mjaftueshme pèr Jetèn e vèshtirè qè erdhi mè pas. Me shumè respekt kujtoj Mèsuesit e mijè tè matematikès Leonora, tè fizikès Anna tè fiskulturès Gèzimi, tè vizatimit teknik Fatmiri, i astronomisè Skènderi, gjuhès angleze Sashenka….tè gjithè nè majè tè dijes dhe edukatès sè mirè. Po tè shkruaj pèr anèn shoqèrore, miqèsitè midis skènderbegasve èshtè e pashuar e thellè e pastèrt dhe e pa arritèshme ! Nuk mund tè pajtohem gjithsesi me mbylljen e sajè e aq mè tepèr se si pèrfunduan kuadrot e UP pas ’90. Jam i idesè qè brezat e ndryshèm tè Shkollès ” Skèndrbej ” duhej tè vinin mè nè pah aftèsitè e tyre sidomos nè momentet e pèrmbysjeve tè thella pas ’90 dhe veçanèrisht nè ’97. Sot dèshiroj tè pèrshèndes tè gjithè shokèt e mijè skènderbegas nga tè gjitha anèt e botès : – Gèzuar ! Paçi Fat dhe Shèndet !
Rrallë, për të mos thënë askush, nuk mund ta bënte një shkrim të tillë për Fidanishten e Kombit. Kështu siç e ka shkruar, Gjeneral Perlat Sula.
I cili është jo vetëm pjesë e krenarisë së asaj Shkolle, por edhe krenari e Forcave të Armatosura.
Përgëzime autorit!
Jam skenderbegasi Maksim Ramohitaj i viteve 1963-1967..Duke marre shkase nga shkrimi mjaft i plote e permbledhes per75vjetorin e Shkolles se mesme ushtarake te pergjithsheme”Skenderbej”shkruar nga shoku im i kases”(toges) 4te per kater vitet I mrekullueshmi gjeneral major(sot ne pension)Perlat Ferhat Sula shpreh edhe une nje opinionin tim. Krijimi dhe funksionimi i nje shkolle ushtarake menjeher pas clirimit te Vendit ka qene nje nga masat me te mira dhe te domosdoshme qe u muar nga shteti ne ate kohe per ushtrine per te rritur nivelin moralo psikologjik qysh ne moshe te re e te kuadrove te ardhshem ushtarak dhe qe shebeu si baze per rritjen e aftesive teorike shkencore te kuadrove dhe komandave ushtarake ne forcimin dhe modernizimin e Ushtrise Shqiptare.Shkolla ushtarake SKENDERBEJ nga krijimi i saj e ne vazhdimsi erdhi duke u prefeksionuar e modernizuar me te gjitha menyrat duke filluar nga :perzgjedhja cilesore e kuadrit mesim dhenes nga kuadrot ushtarake komandues e drejtues nga me te miret e ushtrise e deri edhe te punonjesit e sherbimeve te tjera .. poashtu sic shkruan dhe gjeneral Sula behej edhe perzgjedhja e kontigjentit te nxenesve.Dhe Masa e dyte thelbesore ka qene permiresimi ne vazhdimsi deri ne nivelet me te larta te kohes te te gjitha kushteve te jeteses nga me te mirat ne vend.Shume kujtime shume mbresa shume nostalgji kemi dhr ruajme per ato vlera pozitive morale njerzore dashurine sjelljen respektin edukaten mardheniet komunikimin dhe shume gjera te tjera qe i mesuam dhe i kultivuam ne karakterin tone cdo skenderbegas nga pedagoget tane te mrekullueshem nga kuadrot tane ushtarake eqe na mesonini 24orene 24ore dhe ato veti ato sjellje e vlera Skenderbegasit i cfaqen dhe i treguan ne te gjithe jeten dhe karieren e tyre ushtarake si brenda vendit dhe jashte vendit. ..Ato vlera ata-skenderbegasit i shfaqin dhe i ruajne edhe sot ne pune e detyrat qe kryejne kudo apo edhe ata /ne/qe jane pensionista dhe shprehim Mirnjohje dhe respektin Pa fund per njeri Tjetrin qe Sot shohim me keqardhje qe disi jane zbehur per te mos thene me shume.. A ka gje me te bukur qe rrall ndodh Sot qe: Ne skendedbegasit e asaj periudhe si toga-klasa ime e katert e viteve 1963-1967 kemi bere dhe bejme takime e festojme ditlindje (pervjetore)te njeri tjetrit ne Tirane nisme kjo e marr nga kapiteni i klases begs e gjenerali jone i dashur Perlat Sula dhe koloneli Kujtim Dervishi .. Ne shmallemi dhe rinohemi kur takohemi ne flasim dhe komunikojme here pas here me njeri tjetrin me telefon ose f/b deri ne Sh.b.a. …Nuk ka kenaqesi Me te madhe. KY ESHTE DHE MBETET FORMIMI I SKENDERBEGASIT ..JANE DALLUAR DHE DALLOHEN SKENDERBEGASIT KUDO KURDOHEHERE NE TE GJITHA SFERAT E JETES SI BRENDA VENDIT EDHE JASHTE SHQIPERISE. TE PERSHENDES FORT SHOKU IM DHE GJENERALI MODEL PETLAT SULA PER SHKRIMIN EPERKRYER QE NA PERCOLLE PER 75 VJETORIN E SHKOLLES TONE LEGJENDARE “SKENDERBEJ” JU PERCJELL TE GJITHEVE CDO SKENDETBEGASI DHE GJITHE ARMATES TE PEDAGOGEVE KUADROVE E GJITHE ATYRE QE KANE QENE PJESE E SHKOLLES URIMIN TIM SHPIRTROR :GEZUAR GEZUAR DHE GJITHE TE MIRAT NE FAMILJET TUAJA. LAVDI SHKOLLES USHTARAKE TE PWRGJITHSHEME “SKENDERBEJ. VLORE NEN KOLONEL NE PENSION (ne karantine nga virusi) MAKSIM HALIL RAMOHITAJ….