Dy ndeshjet e fundit të muajit të kaluar të kombëtares shqiptare janë shtyrë për tu zhvilluar në një moment të dytë për shkak të situatës së vështirë prej pandemisë dhe Edi Reja e ndihmësi i tij Serxho Porrini janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi. Nga “streha” e tij në atdhe Porrini ka kryer një lidhje me Super Sport, ku ka folur për situatën atje dhe përgjysmimin e pagave.
SITUATA NË ITALI- Tani situata është më mirë. Ka qenë një periudhë e vështirë, me shumë viktima. Fatmirësisht po ulet numri i viktimave. Sa i takon futbollit, duket një situatë më e mirë. Pas 3-4 javësh njerëzit pritet të kenë më shumë liri dhe të nisin me aktivitetet e tyre”.
KOMUNIKIMI ME LOJTARËT- Flas me trajnerin Reja dhe me lojtarët. Sigurisht duam të dime gjendjen e lojtarëve. Ata kanë marrë direktiva nga klubet që të stërviten. Po punojnë për të mbajtur gjendjen fizike, që të jenë gati për nisjen e aktivitetit. Për ne është pak e vështirë të organizohemi. Kur nuk ka kampionate, nuk është se kemi çfarë të bëjmë. Normalisht kemi bërë një program për kohën që do të rikthehemi.
PANUÇI: GRUPIN E KOMBËTARES E KAM KRIJUAR UNË- Çdo trajner llogjikisht kur merr një skuadër të re do të bëjë maksimumin për të marrë lojtarët më të mirë. Ne nuk kemi parë se çfarë ka bërë ai dhe kemi kërkuar që kur lojtarët të vijnë në kombëtare të ndihen pjesë e rëndësishme e skuadrës.
Kemi thirrur Kamberin që të jetë pjesë e kombëtares sonë apo Selahin që më parë nuk ishte thirrur. Nuk e di se çfarë ka bërë ai dhe nuk kërkoj të di se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Ne duam të ndërtojmë një grup kompetitiv për të ardhmen.
PAGAT- Të gjithëve na është ulur paga. Reja na ka telefonuar dhe e kemi pranuar me kënaqësi. Të gjithë ishim gati, pasi e dimë situatën dhe kjo është më se normale.
RIFILLIMI I SERIE A- Këtu flitet për një mundësi të rinisin stërvitjet më 4 maj kur të hapen të gjitha. Objektivi është që të nisin stërvitjet e më pas në fund të majit kampionatet. Situata ndryshon pas çdo dite dhe është frika që kjo gjendje mund të rikthehet sërish. Nuk mund të mendohet që të luhet me tifozë në këtë situatë që jemi tani pasi do të ishte absurde. Duhet të presim për disa javë për të kuptuar, por dëshira është të fillojnë stërvitjet në maj edhe pse nuk është diçka e sigurt.