Ditmir Bushati: Nuk jam gjitholog, kompanitë që marrin tendera të kontribuojnë më shumë

18 Prill 2020, 18:18Politika TEMA

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka folur në emisionin “Kjo javë” në “News 24” për situatën e pandemisë Covid-19. Ai tha se beson se duhen bërë më shumë teste nga sa janë bërë, pasi kjo do të shërbente për më mirë.

Më tej, Bushati theksoi se në nenet e shtuara për dënime në rast se nuk ka respektim të karantinës, duhet pasur kujdes në raport me të drejtat e njeriut.

Po ashtu, Bushati deklaroi se biznesi nuk duhet të stigmatizohet, e se biznesi i vogël sidomos ka nevojë për mbështetje.

Ditmir Bushati tha se qeveria vazhdon të jetë në mbështetje të 10-15 kompanive afër saj, ndërsa shtoi se duhen mbështetur njësoj të gjitha bizneset, sidomos ata të vogla.

Qeveria ka prezantuar deri tani dy paketa për ti ardhur në ndihmë familjeve dhe biznesit për situatën e krijuar nga karantina. Si do I gjykonit këto masa dhe në raport me vendet e tjera?

Ne na takon të bëjmë atë çka është ekonomikisht e arsyeshme, politikisht e kërkueshme dhe moralishte dëshirueshme.

Ekonomikisht e arsyeshme sepse buxheti i shtetit nuk është në fakt buxheti I qeverisë, pavarësisht se qeveria është gardiani I buxhetit të shtetit. Buxheti është shumatore e kontributeve të qytetarëve dhe biznesve që operojnë në Shqipëri. Kërkesat mund të jenë të mëdha por mundësitë nuk janë gjithmonë të mëdha.

Së dyti, politikisht e kërkueshme dhe në raport edhe me filozofinë e familjes tonë politike po jo vetëm, sidomos në këto kushte.

Së treti, kur them moralisht e dëshirueshme duhet të jetë një paketë që është në përputhje jo thjeshtë me nevojat aktuale të shoqërisë por duhet të fillojmë të përcaktojmë piketat dhe rrugën për të ardhmen.

Është për t’u përshëndetur fakti se ndihma apo paga është e drejtpërdrejtë tek individi apo te personat që kanë humbur nga pandemia dhe ndjejnë pasojat e saj.

Besoj që fokusi ynë duhet të vijojë të jetë tek shumica e bizneseve në këtë vend dhe jo vetëm tek një grup i ngushtë njerëzish.  Ne duhet ta thellojmë këtë politike sepse, kam vënë re, sidomos ditët e fundit që ka tendencë për të stigmatizuar biznesin, ka dhe tendencë për të gjetur shpesh rrugët e shkurtra, duke I thënë dikujt që shit makinën e luksit apo shit vilën e luksit e kështu me radhë.

Kjo nuk është thjeshtë një krizë oferte, kjo është një krizëe oferte dhe kërkesë. E tha shumë bukur ish presidenti i Komisionit Europian dhe ish-kryeministri i Italisë Romano Prodi, teksa me lezet i kritikoi hollandezët duke thënë se “nëse nuk kontribuoni për këtë krizë që ka prekur më shumë jugun e Europës se veriun, ku do t’i shisni tulipanët pastaj”.

Pra e njëjta gjë është dhe për biznesin. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet thjeshtë me recetat e së shkuarës, me ato paradigmat tona që çdo gjë zgjidhet me magjinë e tregut apo çdo gjë duhet t’ia kërkojmë shtetit. Pra, duhet të ketë një kombinim të gjithë faktorëve në këtë drejtim ku duhet të stimulohet dhe të mbështetet biznesi, sic janë hedhur hapat e parë në këtë drejtim dhe nga ana tjetër duhet të kuptojmë, biznesi duhet ta kuptojë, jo vetëm ne politikanët, që bota pas kësaj pandemie, përfshirë dhe Shqipërinë do të jetë shumë më e ndryshme dhe ndoshta ne që në këtë moment duhet të fillojmë të mendojmë për të prokuruar ide, jo vepra publike, por ide mbi modelin e zhvillimit. Ndoshta jo të gjitha bizneset mund të jenë rentabël pas kësaj krize. Ky është hezitimi që kanë shumë vende, përfshirë dhe Shqipërinë dhe është një hezitim legjitim do ta quaja unë.

Ne kemi një ekonomi të brishtë, bizneset në kuptimin e kontabilitetit kanë një ndarje mes VIP, bizneseve të mëdha dhe shtyllës kurrizore që mban ekonominë shqiptare, që është biznesi I vogël. Në momentët e para të kësaj krize, jo të gjithë aktorët janë domosdoshmërisht të kënaqur. Jemi në një situatë krize. Në rast se unë dhe ju jemi të privuar nga disa elemente që konsideroheshin deri para pak javësh si rutinë e përditshme e jona, e njëjta gjë ndodh edhe me biznesin.

Do duhet të filllojë të përshtatet me situatën e re ku bota do shkojë sidomos në periudhën pas Pandemisë. Por, nga ana tjetër, ne si politikanë, ne si forcë qeverisëse gjithashtu duhet të reflektojmë për të korrektur politikën apo për të riorientuar kompasin qeverisës drejt ideve të reja, drejt novacionit. Mund tju them që ne mund të shohim 5,6,10,15 emra biznesmenësh të cilët kryesisht kanë përfituar nga të mirat publike, kanë ofruar shërbimet e tyre për të gjitha punët publike që bëhen në Shqipëri. E thënë më troç, kanë marrë tendera, por nga ana tjetër janë edhe 99% të bizneseve të tjera të cilat e fitojnë bukën e gojës me djersë, mbajnë me shumë sakrifica punëtorët qoftë në prodhim apo në shërbime.

Do duhet që ura e partneritetit me biznesin të vijë duke u thelluar dhe retorika jonë të jetë gjithnjë e më bashkëpunuese. Pa marrë shembullin e Bill Gates, apo themeluesib e platoformës Twitter,  apo filozofin  e historianin, që është sot në modë, Harrari, të cilët kanë dhënë kontribute dhe shuma marramëndëse në këtë situatë për shkencën, novacionin, filantropinë, do të kishte qenë shumë e mirëpritur nga ana jonë, të shihnim dhe emrat e bizneseve të mëdha në Shqipëri, sidomos atyre që janë përfituesit e tenderave publikë që të kishin dhënë kontributin e tyre për këtë situatë.

Unë s’dua as ti quaj oligarkë, as të pasur e të varfër pasi besoj që kapitali është një ingranazh shumë i rëndësishëm për zhvillimin tonë ekonomik e shoqëror sepse jemi shoqëri që besojmë te kapitalizmi. Por, fakt është që edhe duke iu referuar të dhënave të institucioneve shtetërore, një grup i ngushtë përfituesish që operojnë në tregun shqiptar do të kishte qenë e udhës që dhe ata të kontribuojnë në këtë situatë, jo thjeshtë për pandeminë por për të na detyruar edhe ne politikbërësve për të eksploruar shtigje dhe ide të reja për zhvillimin e vendit dhe për të krijuar një lloj ambienti më të qetë e më të sigurtë. Kjo nuk është për të anestizuar ndërgjegjën e askujt që operon në këtë fushë por për të krijuar një perspektivë më të mirë për të gjithë ne.

z.Bushati ne folëm për pjesën ekonomike por duket se është pjesa më delikate. Ka shumë pyetje që lidhen me një emërues të përbashkët. Qeveria është përkrahur në marrjen e masave për të parandaluar përhaapjen e virusit por për ekonominë ka bërë pak ose shumë pak. Cfarë duhet bërë më shumë për biznesin dhe sim und të ndihmohet?

Kjo është një pyetje legjitime, biznesi është një fjalë e përgjithshme sepse fjala më konkrete është individi, qytetari, punëtori që nuk shkon dot në punë për shkak se biznesi është mbyllur dhe pandemia ka dhënë efektin e vet paralizues te biznesi. Por, shqetësimi im janë edhe të vetpunësuarit edhe armata e ushtrisë që është në vijën e parë të sulmit, jo thjeshtë mantelbardhët dhe i gjithë ekipi mbështetës i tyre, por edhe ata njerëz që shpërndarjnë ushqime për të pamundurit, të vetmuarit dhe që e fitojnë bukën e gojës nëpërmjet kësaj lloj pune dhe që gjithashtu kanë nevojë për tu mbështetur sepse shteti duhet të garantojë shëndetin e tyre sepse ata janë në krye të detyrës. Për të gjitha këto do duhet që të ketë një përqasje graduale dhe besoj se biem dakort së bashku që përqasja se përfituesi është qytetari, është përqasja më e mirë në këtë drejtim.

Nga ana tjetër, unë do të mbështes dhe promovoj një politikë të re edhe brenda grupit parlamentar edhe brenda forcës tonë politike për të prokuruar ide të reja për periudhën pas pandemisë sepse nuk është normale që të kërkohet çdo gjë vetëm nga shteti, siç kam qenë dhe jam kundër që çdo gjë ti jepet tregut dhe shteti të heqë dorë nga përgjegjësitë e veta. Besoj se goditja që na bëri tërmeti vitin e kaluar dhe Pandemia globale e këtij viti, janë dy leksione për ne për të përqëndruar energjitë dhe për të ndërtuar politika dhe modele të qëndrueshme në dallim me ato politika dhe modele, të cilat duhet ta pranojmë kanë dështuar gjatë këtyre 30 viteve.

Flasim pak për shqiptarët e mbetur jashtë vendit për shkak të Pandemisë. Fillimisht u bllokuan në shtete të ndryshme të Europës, më pas u bllokuan në pikat tona kufitare dhe nuk u lejuan të futeshin në atdhe, ndonjëse kjo është një e drejtë kushtetuese. Tani ka nisur riatdhesimi i tyre me Air Albania, por duket sikur sërish vijon të ketë kaos në menaxhimin e kësaj situate. Ju keni folur i pari në lidhje me këtë cështje, që në 16 mars, duke kërkuar komunikimin me Komisionin Evropian dhe Vendet Anëtare si dhe bashkëpunimin ndërshtetëror për të siguruar një kalim të sigurtë që mundësonte kthimin e tyre në atdhe. Si e shihni punën e bërë në këtë drejtim, a mund të ishte menaxhuar më mirë dhe më shpejt?

Për çdo gjë natyrisht që ka vend për përmirësim dhe për çdo gjë mund të thuhet se mund të bëhej më mirë dhe mund të bëhej më shpejt, kjo nuk ka asnjë lloj diksutimi. Përsa i përket kësaj pyetje, mund t’iu them që në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka një protokoll që ndiqet për raste të tilla humanitare, ku shtetasit tanë dëshirojnë të kthehen në atdhe. Edhe për shkak të detyrës  shtetërore më është dhënë rasti disa herë për tu përballur me një situatë, por duhet ta pranojmë, përmasat e situatave në të shkuarën kanë qenë disa herë më të vogla sesa ato që shohim sot. Është e vërtetë, unë e kam ngritur zërin i pari për këtë çështje për të shmangur amullinë, stresin, që në disa raste u vë re tek bashkëatdhetarët tanë, sidomos në  kufirin që na lidh me Greqinë dhe Malin e Zi.

Së pari, do të ishte mire, të kishim bërë një ndarje shumë të shpejtë mes qytetarëve që i gjeti Pandemia në befasi, ishin në udhëtim, ishin për arsye punë, shëndëtësore, turistke, me bashkëatdhetarët tanë që kanë rezidencë, leje qëndrimi dhe punojnë qoftë në vende anëtare të BE, apo në vende të tjera. Për të mos përmendur Amerikën dhe Kanadanë. Kjo do të kishte qënë një mënyrë më e shpejtë dhe më efikase për ti dhënë përgjigje dinamikës së kësaj çëshje, për të pasur në numër më realist sepse numri i njerëzve që do të dëshironin të ktheheshin në Shqipëri do të përqëndrohej fillimisht rreth kësaj kategorie, më pas tek studentët që i kanë konviktet e mbyllura, për të shkuar më pas edhe tek njërëz të tjerë, të cilët në kuptimin kushtetues të fjalës, për sa kohë kanë nënshtetësinë shqiptare, kanë të gjithë të drejtën për tú rikthyer në Shqipëri.

Situata ka qenë e tillë, tanimë janë bërë disa përpjekje për t’u testuar sisteme nga më të ndryshmet. Kujtoj që para pak javësh patëm fluturime, më pas u pezulluan, kanë nisur sërish sot, shohim që ka një lloj kërkesë të shtuar të qytatarëve për të ardhur në Shqipëri. Do të ishte mirë të ezauroheshin edhe kompani të tjera që mbajnë flamurin shqiptar dhe pas ezaurimit të  komapnive që mbajnë flamur shqiptar, mund të ftoheshin edhe kompani të tjera të huaja për ta kryer këtë shërbim sepse besoj që kjo, jo vetëm do ulte koston e këtij shërbimi, pasi jo çdo gjë mund  të bëhet nga buxheti i shtetit me të drejtë, por nga ana tjetër do ta kryente të gjithë këtë operacion në një kohë shumë më të shpejtë. Do reduktonte kostot dhe stresin që përballojnë qytetarët shqiptar apo të afërmit e tyre. Ka praktika nga më të ndryshmet, s’kemi pse marrim shtete shumë të zhvilluara që nuk krahasohemi dot, por le të marrim shtete si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, të cilat kanë lundruar pak a shumë në të njëtat dallgë si edhe ne.

4 komente në “Ditmir Bushati: Nuk jam gjitholog, kompanitë që marrin tendera të kontribuojnë më shumë”

  1. zhaku i pamposhtur says:

    Jo ti ‘dhimitër’ nuk je gjitholog..vetëm ish zëdhënës i Koxhias je. .ke hedhur shumë firma ‘të nxehta’..kur të kthjellohen ujërat nuk do të shpëtosh pa dhënë llogari.

  2. hahaha says:

    kush e shpiku termin gjitholog??
    mos je “gjysmolog”
    pakolog
    dickolog hahahah

  3. hahaha says:

    kush e shpiku termin gjitholog??
    mos je “gjysmolog”
    pakolog
    dickolog hahahah

  4. Artan says:

    Po gryaha e tij qe merr gjithe tenderat e Keshillit te Europes dhe organizata EMA qe e krijoi ky dhe gruaja e tij dghe marrin tenderat a kontribuojne?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje