Shkencëtari Taulanti bën bilancin e punimeve shkencore

19 Prill 2020, 19:32Antena TEMA

Po të dërgoj disa llogari që të bindesh që unë jam shkencëtar.

Do të desha t’ia referosh këto kancelares Merkel, se kam vënë re që ajo këshillohet me njerëz që nuk kanë punime shkencore, por vetëm lexojnë libra.

Në vitin 2013 unë mbarova studimet. Në atë vit unë kam bërë 18 punime shkencore, që u finalizuan me temën e diplomës.

Në këto punime përfshihen, 4 komente tek gazeta TemA, 3 komente në Ballkanueb, 6 shkrime në blogun “Jeta është qejf”, dhe ato verifikohen se unë nuk shkruaj në fund “anonim të lutem”, por i them hapur gjërat shkencore.

Po ashtu kam 2 shkrime në gazetën e shkollës, si dhe 3 fjalime shkencore në mbledhjen e Këshillit të Studentëve.

Këto punime shkencore janë vlerësuar nga mbarë bota dhe më dhanë shtysën mua si shkencëtar i ri, për të vazhduar më tej.

Nga viti 2014 deri më 2020 kam bërë dhe 67 punime të tjera shkencore.

Që të gjitha këto punime shkencore janë publike dhe mund të përdoren nga masa e gjerë e popullit.

Skënder Gjinushi, një akdemik i dështuar, ka mbrojtur Doktoraturën në Francë gjatë komunizmit me temë “Analiza descriptive lineare”, një temë  e pakuptueshme për popullin, që nuk i ka hyrë shkencës në punë kurrë.

Vetëm punimi im  shkencor i lexuar në Këshill Studentor është duartrokitur nga 200 vetë dhe ka marrë 1436 like në Facebook, kur e hodha më pas, se atëhere nuk e përdorja Facebook-un.

Sot, kur po i llogaritja këto punimet shkencore, në fakt më lindi ideja se dhe Ajntshajni ka qenë një dembel, se tërë jetën një punim shkencor ka botuar, atë mbi “Teorinë e Relativitetit”.

Po ti hyj me themel, me siguri e hedh poshtë dhe atë, se gjysmë e ka lënë.

Po kështu kam vënë re se dhe shumë profesorë të Shqipërisë kanë një ose dy punime shkencore gjithë jetën.

Unë vetëm këtë javë kam 5 punime shkencore.

Ndaj mendoj se duhet t’ia rekomandosh kancelares Merkel këto punime, dhe ajo të ndikojë mbi ndryshimin e politikës së koronavirusit në Gjermani.

Sot ndërsa po bëja këto llogari, zbulova dhe diçka interesante, që përbën një punim shkencor më vete.

Nëse unë kam fjala vjen 85 punime shkencore të vërteta, vlera e një punimi shkencor nuk matet nga faqet, por nga cilësia.

Kështu, nëse dua, unë mund t’i ndaj disa nga këto punime shkencore në dy pjesë dhe ashtu mund të shtoj dhe 15 punime të tjera, me qëllim që të kem shifër standarte 100 punime shkencore.

Kjo ishte shumë interesante, pasi në shumë punime të mija, nuk kishin lidhje fillimi me fundin dhe mund t’i ndaje lehtë në disa punime.

Si puna e atyre piktorëve modernë, që kur bëjnë tablo të mëdha murale, ti mund ti ndash ku të dua dhe ti shumëfishosh.

Pak a shumë si parimi i shumimit të virusit.

Bile disa mund t’i ndash dhe në tre pjesë, përveç këtyre punimeve shkencore që botoj si komente në blogje, se këto nuk ndahen pasi flasin për një gjë.

Duke shpresuar se do më prezantosh si shkencëtar me 100 punime tek kancelarja Merkel, kam shpresë se do të ndryshojmë të ardhmen e Gjermanisë.

5 komente në “Shkencëtari Taulanti bën bilancin e punimeve shkencore”

  1. Shkullaku Uturaku says:

    O Mero lere mutin mos e beh faktor. Se na e ben minister neser Lulka.

  2. faro says:

    Humor inteligjent! Respekt për autorin!

  3. Gjeto says:

    Levantini tipik i skicave sarkastike te Faik Konices.

  4. tropojani norske says:

    hahahahahahaha fantastike, thanks shume thanks.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje