Dëshmia e të birit: Babai im, ish-kryebashkiak në Lushnje organizoi Kongresin, dhe në Durrës më 7 prill ’39-të, ku ndau armët, u internua nga italianët dhe u burgos nga komunistët

21 Prill 2020, 15:54Dossier TEMA
Dëshmia e të birit: Babai im, ish-kryebashkiak në Lushnje

Memorie,al publikon historinë e panjohur të Rustem Ymer Skënderit me origjinë nga Dibra e Madhe, i cili pasi u shkollua në Fakultetin e Drejtësisë në Selanik, ku studentët shqiptarë e zgjodhën si përfaqësues për  ngritjen e flamurit në Vlorë në 1912-ën, ku ai pati një bisedë të gjatë me Ismail Qemalin, u përjashtua nga fakulteti pasi merrej me shpërndarjen e librave shqipe që ia jepte ish-mësuesi i tij, Hoxh Vokrri, (Najdeni) . Karriera politike dhe administrative e Rustemit nga 1915-ta si sekretar i Bashkisë së Dibrës, e deri në prillin e ‘39-të, si kryetar bashkish e prefekt në Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës, ku ai dha një kontribut të veçantë në hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese të atyre qyteteve. Dëshmia e të birit, Mensurit, për karrierën Rustemit, mikut të ngushtë të Mbretit Zog, që si kryebashkiak i Durrësit më 7 prill ’39-të, mbajti një fjalim nga ballkoni i Bashkisë ku dënoi pushtimin, gjë për të cilën u internua nga italianët në ishullin e Ventotenes dhe pas mbarimit të Luftës edhe nga komunistët, duke e internuar në fshatrat e Myzeqesë, Radostimë, Shtyllas dhe Kuç të Kurveleshit, ku kaloi një jetë të vështirë.

Nga Dashnor Kaloçi

“Shtatë prilli i vitit 1939-të, e gjeti babanë tim, Rustem Ymer Skënderin, në funksionin e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Durrësit dhe në mëngjesin e asaj dite, ai doli në ballkonin e Bashkisë, ku mbajti një fjalim para popullit që ishte grumbulluar atje, duke dënuar hapur pushtimin fashist të Shqipërisë. Në fund të fjalës së tij, Rustemi, i bëri thirrje popullit që të rrëmbentë armët dhe t’i prisnin me plumba agresorët italianë që kishin mbërritur me anijet e tyre të luftës fare pranë brigjeve shqiptare, duke u thënë se kishte dhënë urdhër që të hapeshin depot e armëve për vullnetarët që donin të luftonin. Si rezultat i kësaj, disa ditë më vonë ai u arrestua nga autoritetet italiane dhe u burgos në burgun e Barit në Itali, e më pas në kampin e internimit në ishullin e Ventotenes”. Kështu e kujtonte Mensur Ymeri, ish jurist i njohur, historinë e familjes së tij dhe babait, Rustem Ymer Skënderit, i cili gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, shërbeu si Kryetar Bashkie e Prefekt, pothuaj në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë dhe 7 prilli ’39-të, e gjeti në funksionin e kryebashkiakut të qytetit bregdetar ku sapo kishin zbarkuar trupat pushtuese të benito Musolinit..

Familja Ymeri nga Dibra e Madhe

Rustem Ymer Skënderi u lind në vitin 1892 në qytetin e Dibrës së Madhe, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, një nga më të njohurat e asaj krahine. Babai i Rustemit, Ymer Skënderi, me bashkëshorten e tij Ruzhdien, kishte edhe dy fëmijë të tjerë, Rasimin e Nafien. Në fillimet e shekullit të kaluar, familja Skënderi banonte në qëndrën e qytetit të Dibrës së Madhe, ku ata njiheshin si një familje e pasur dhe aristokrate. Duke vazhduar traditën e të parëve të familjes së tij, Ymer Skënderi, u kujdes që edhe dy djemtë e tij: Rustemi dhe Rasimi, të studjonin në shkollat e larta. Djali i madh, Rasimi, pasi u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë së Stambollit në vitet e para të shekullit të kaluar, u kthye në Shqipëri së bashku me bashkëshorten e tij turke dhe gjatë periudhës së Monarkisë, ai shërbeu si jurist e më pas avokat në disa rrethe të vëndit. Ndërsa i vëllai Rustemi, mbaroi shkollën e mesme turke në qytetin e Dibrës së Madhe, ku nën kujdesin e patriotit të madh, Hoxhë Vokrit (Najdenit), përveç turqishtes, mësoi edhe gjuhën frenge. Pas mbarimit të shkollës së mesme ku doli me rezultate të shkëlqyera, Rustemi u dërgua të vazhdonte studimet e larta në qytetin e Selanikut, por pas disa vitesh studimi, ai u përjashtua nga fakulteti, për shkak se shpërndante libra në gjuhën shqipe, të cilat atij ia jepte ish-mësuesi i tij, patrioti Hoxh Najdeni. Po kështu në përjashtimin e tij nga universiteti i Selanikut, ndikoi edhe veprimtaria patriotike që ai kryente në rrethin e studentëve shqiptarë që ishin grupuar në një shoqëri e cila kryesohej nga patrioti Dervish Hima. Pas përjashtimit nga fakulteti, Rustem Ymeri filloi punë në një fabrikë pijesh alkolike dhe asnjëherë nuk i shkëputi kontaktet me rrethin e studentëve shqiptarë të Selanikut dhe patriotët e tjerë që ishin vendosur atje si emigrantë.

Rustemi në Shpalljen e Pavarësisë

Nisur nga veprimtaria e madhe patriotike në dobi të çështjes shqiptare që Rustem Ymeri zhvilloi gjatë asaj periudhe që ishte në Greqi, në nëntorin e vitit 1912-të, emigranët shqiptarë e zgjodhën atë si përfaqësuesin e tyre dhe e deleguan për të marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Lidhur me këtë, i biri i tij, Mensur Ymeri, dëshmonte: “Gjatë bisedave të lira që Ismail Qemali zhvilloi pas mbledhjes themeluese me përfaqësuesit e ndryshëm që kishin shkuar për të marrë pjesë në aktin e Shpalljes së Pavarsisë, plaku i Vlorës bisedoi gojarisht me babanë tim, Rustemin, duke i kushtuar atij një vëmëndje të veçantë dhe në fund të bisedës e cilësoi atë si një nga të rinjtë me të ardhme që mund të jepte kontributin e tij në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar. Pas largimit nga qyteti i Vlorës, Rustemi u kthye në vëndlindjen e tij, për t’ju ndodhur pranë familjes, pasi ishte informuar për raprezaljet që kishin ndërrmarë forcat serbe në atë krahinë. Nga fillimi i vitit 1913-të e deri në fillimin e vitit 1914-të, babai qëndroi në Dibrën e Madhe, ku bashkë me shumë patriotë të tjerë dibranë, u angazhua në veprimtari të ndryshme për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar të porsaformuar. Si rezultat i asaj veprimtarie, ai u arrestua nga forcat serbe, por mundi që të shpëtonte prej tyre gjatë kohës që ata po e transportonin me një karrocë për në burgun e qytetit të Dibrës së Madhe. Në shenjë hakmarrje për arratisjen e tij, forcat serbe ia dogjën shtëpinë në qëndër të qytetit dhe pas kësaj ai e kishte të pamundur qëndrimin e mëtejshëm në Dibrën e Madhe. Pas kësaj, Rustemi bashkë me familjen dhe dy kushërinjtë e tij: Ferit dhe Qazim Skënderin, u shpërngulën që andej dhe erdhën në qytetin e Tiranës, ku blenë një shtëpi në vëndin e quajtur “Mëhalla e Dibranëve”, dëshmon Mensur Skënderi, për babanë e tij, Rustemin, i cili mori pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë dhe u vlersua nga Ismail Qemali si një i ri me të ardhme.

1918-1939, prefekt e kryetar Bashkish

Lidhur me veprimtarinë e mëtjeshme të Rustem Ymerit, i biri, Mensuri dëshmon: “Në vitin 1915-të, Rustemi u regjistrua në një kurs të cilin e hapi Aleksandër Xhuvani, për përgatitjen e mësuesëve të gjuhës shqipe, me të rinj nga e gjithë Shqipëria. Pas mbarimit të atij kursi, Rustemi doli vullnetar dhe shkoi për të hapur shkollën e parë shqipe në fshatin Brezhdan të Dibrës së Madhe, ku ai punoi për afro një vit e gjysëm dhe më pas ai u thirr në qytetin e Peshkopisë, ku ishte emëruar në funksionin e Sekretarit të Bashkisë. Gjatë asaj kohe Rustemi u njoh dhe u martua më nënën tonë, Edije Bardulla, e cila ishte bijë nga një familje shumë e njohur për tradita atdhetare në qytetin e Peshkopisë. Më pas, Rustemi shkoi në qytezën e vogël të Shijakut ku ishte caktuar si mësues dhe në fillimin e vitit 1918-të, ai u largua që andej dhe shkoi në qytetin e Pogradecit, ku ishte emëruar me detyrën e nënprefektit. Edhe në atë qytet ai nuk qëndroi për më shumë se një vit, sepse nga mesi i vitit 1919-të, Rustemi shkoi në qytetin e Lushnjes, ku ishte emëruar po me të njëjtën detyrë që kishte kryer në qytetin e Pogradecit. Janari i vitit 1920-të, e gjeti Rustemin në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Lushnjes dhe gjatë asaj kohe, ai u mor personalisht me përgatitjen e kongresit që u mbajt në atë qytet. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1939-të, për më shumë se njëzet vjet me rradhë, babai im Rustemi, shërbeu në funksionet e prefektit, nënprefektit dhe kryetarit të bashkisë, në disa nga rrethet më kryesore të vëndit, si në Berat, Elbasan, Vlorë, Korçë, Shkodër dhe Durrës. Rustemi konsiderohej si një nga funksionarët më të aftë të administratës së pushtetit vendor të Monarkisë dhe gjatë asaj periudhe prej afro njëzet vjetësh, me insistimin e Mbretit Zog, ai shërbeu në disa rrethe të vëndit, ku situata paraqitej më problematike. Gjatë atyre viteve, në bashkëpunim të nguhstë me ministritë përkatëse, Rustemi i’u kushtoi një vëmëndje të veçantë planeve rregulluese të qyteteve ku shërbeu, si: Shkodrës, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit. Me fondet e akorduara nga qeveritë e asaj kohe, ai u kujdes dhe ndërtoi disa nga rrugët e qëndrat kryesore të atyre qyteteve, fotot e të cilave ne i kemi akoma edhe sot në albumet e familjes sonë. Nga ato ndërtime mund të përmënd: shatërvanin në qëndër të Durrësit dhe bulevardin përpara Prefekturës së qytetit të Shkodrës. Po kështu, gjatë atyre viteve, babai i kushtoi një interes të veçantë edhe problemeve të arsimit dhe kulturës, pasi ai kishte qenë vetë mësues. Ai u përpoq dhe ndihmoi me bursa shtetërore shumë të rinj dibranë që vazhduan studimet jashtë shtetit, ku një ndër ta ka qenë edhe Dr. Hiqmet Dibra, të cilin babai e mbajti në shtëpinë tonë në Tiranë. Po kështu gjatë periudhës së Monarkisë, babai u kujdes edhe për shkollimin tonë. Unë dhe vëllai tjetër, Ymeri, u diplomuam në Liceun Francez të qytetit të Korçës, kurse motra jonë, Myzejeni, mbaroi shkollën “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Përveç kryerjes së detyrave shtetërore, Rustemi ishte shumë i dhënë edhe pas librave dhe në shtëpinë tonë ne kishim një bibliotekë shumë të pasur. Kur ishte në Korçë, babai përgatiti një fjalor të madh katër gjuhësh, të ciliin ia botoi Dhori Koti. Gjatë atyre viteve, ai u mor shumë edhe me shkrime publicistike, të cilat i botonte në shtypin shqiptar dhe në atë italian, me pseudonimin “Dushkani”. Për punën e mirë që kishte bërë, në vitin 1938-të, Mbreti Zog e dekoroi babanë me “Urdhërin e Skënderbeut”, kujtonte Mensur Skënderi, për babanë e tij, Rustemin.

Kryetar i Bashkisë së Durrësit në 1939

Gjatë atyre viteve që Rustemi shërbeu në ato qytete të mëdha të Shqipërisë, përveç miqësisë së madhe që kishte me Mbretin Zog, ai krijoi miqësi edhe me shumë nga personalitete të tjera të politikës dhe artit, si: Lef Nosin, Aleksandër Xhuvanin, Padër Gjergj Fishtën, deputetin Selim Mborja, botuesin korçar Dhori Koti, tregtarin Petraq Katro, vëllezërit Benusi nga Shkodra, familjen korçare Turtulli etj. Mensur Skënderi, kujton një miting në qytetin e Shkodrës, ku Rustemi për herë të parë po fliste me letër përpara, miku i ngushtë Padër Gjergj Fishta, që ishte pranë tij, iu afrua dhe ia hoqi letrën nga dora duke i thënë: “Nuk të shkon ty zoti Rustem të lexosh, ti flet më mirë pa letër”. Pas kësaj, të pranishmit që ishin në atë ceremoni shpërthyen në ovacione të gjata. Karriera e gjatë prej më shumë se njëzet vjetësh e Rustem Ymerit në funksionet e kryetarit të bashkisë dhe prefektit, u ndërpre në prillin e vitit 1939-të, kur ai ishte në detyrën e kryebashkiakut të Durrësit. Lidhur me këtë, i biri, Mensuri, dëshmonte: “Shtatë prilli ’39-të, e gjeti Rustemin në funksionin e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Durrësit dhe në mëngjezin e asaj dite, ai doli në ballkonin e Bashkisë dhe mbajti një fjalim para popullit që ishte grumbulluar atje. Në fjalën e tij ai dënoi hapur pushtimin fashist të Shqipërisë dhe foli ashpër për një zyrtar të lartë të Durrësit, i cili kishte dalë në Portin Detar për t’i pritur pushtuesit italianë. Në atë kohë dikush nga turma qëlloi me pistoletë në ajër dhe babai iu drejtua atij duke i thënë që atë fishek ta ruante për tradhëtarët. Në fund të fjalës së tij, Rustemi i bëri thirrje popullit që të rrëmbente armët dhe t’i prisnin me plumba agresorët italianë, që kishin mbërritur me anijet e tyre të luftës fare pranë brigjeve shqiptare, duke u thënë se kishte dhënë urdhër që të hapeshin depot e armëve për vullnetarët që donin të luftonin. Si rezultat i kësaj, disa ditë më vonë ai u arrestua nga autoritetet italiane dhe u burgos në burgun e Barit në Itali, e më pas në kampin e internimit në ishullin e Ventotenes. Pas arrestimit të babait, ne si familje na internuan në qytetin e Beratit, ku u strehuam në shtëpinë e familjes Haznedari, me të cilët babai kishte pasur një miqësi të ngushtë që nga koha kur kishte qenë Kryetar Bashkie atje. Nga burgu i Ventotenes, babai u lirua vetëm në fillimin e vitit 1941 dhe autoritetet italiane e sollën po të internuar në qytetin e Beratit, ku ai çdo mbrëmje paraqitej në Kuesturë. Lirimi i tij nga Ventotene dhe sjellja e tij në Berat, u bë pasi ne si familje paguam një sasi të madhe floriri. Që nga ajo periudhë e deri në mbarimin e Luftës, babai qëndroi në shtëpi duke u marrë vetëm me librat dhe nuk pranoi të merrte asnjë detyrë shtetërore gjatë kohës së regjencës. Ndonëse Rustemi nuk mori pjesë personalisht në Luftë, ne tre fëmijëve, ai nuk na pengoi aspak që të inkuadroheshim në mënyrë aktive në Lëvizjen Antifashiste”, kujton Mensur Ymeri, për babanë e tij Rustemin, i cili u burgos nga italianët pas shtatë prillit të vitit 1939-të, sepse kundërshtoi pushtimin fashist dhe dha urdhër që të ndaheshin armë për forcat vullnetare që donin të luftonin.

Internimi nga komunistët

Pas mbarimit të Luftës, komunistët që erdhën në pushtet nuk e trazuan personalisht Rustem Ymerin, por i’a sekuestruan pothuaj të gjithë pasurinë, si 22 dynym tokë dhe një shtëpi në fshatin Rinas, etj. Nga viti 1945-së e deri në vitin 1951, Rustemi jetoi në qytetin e Durrësit, ndonëse fëmijët e tij ishin në Tiranë dhe kishin mundur që të merrnin të drejta studimi për jashtë shtetit. Gjatë asaj kohe, ai dhuroi për bibliotekën e qytetit, pjesën më të madhe të librave të bibliotekës së tij, pasi pas sekuestrimit të shtëpisë, nuk kishte se ku t’i mbante. Vetë Rustemin nuk e lejonin që të banonte në Tiranë, pasi shikohej si njeri i dyshimtë dhe njihej si ish-funksionar i lartë i Monarkisë së Zogut. Por “qetësia” për Rustem Ymerin nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1950-të, regjimi komunist filloi goditjen ndaj tij. Lidhur me këtë, i biri Mensuri, dëshmonte “Në vitin 1950-të, babanë e arrestuan por nuk e mbajtën të izoluar në qeli dhe e internuan në fshatrat Radostimë, Shtyllas dhe Kuç të Kurveleshit. Në ato kampe internimi të rrethuar me tela me gjëmba, ku ishin mbylluar pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare, ai qëndroi për pesë vjet me rradhë, në kushte nga më të vështirat. Kur e arrestuan Rustemin në Tiranë, na bënë edhe një kontroll në shtëpi ku na sekuestruan shumë nga dokumentat e fotografitë që babai kishte ruajtur prej vitesh. Nga internimi babai u lirua në vitin 1954, por edhe pas asaj kohë, ai rrinte me ankthin e arrestimit, sepse gjatë zhvillimit të gjyqit të Hamit Matjanit, njëri nga të pandehurit, deponoi se kishte pasur porosi nga Mbreti Zog, që kur të vinte në Shqipëri, të takohej me Rustem Ymerin. Ndonëse kishim blerë një shtëpi në Tiranë, babanë nuk e lejonin të banonte me ne, dhe ai jetoi në qytetin e Durrësit, në shtëpinë e nipit të tij, Shaban Skënderit dhe mbesës Mevlude Stërmillit (Skënderi)”, e përfundonte rrëfimin e tij, Mensur Ymeri, për babanë, Rustemin, i cili u nda nga jeta në vitin 1972 në qytetin e Tiranës, ku ai mezi mundi që të vinte në fundin e viteve ’60-të. Ish-funksionari i lartë i Monarkisë së Zogut, Rustem Ymeri, që kishte kundërshtuar pushtimin fashist, u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga miq e të afërm të tij që kishin ardhur nga të gjitha rrethet ku ai kishte shërbyer si prefekt e kryetar bashkie. Përveç të birit, Mensurit, Rustemi ka lënë edhe gjashtë nipër e mbesa, si: Flutura Haskon, Semi Numanin dhe Zamira, Agron, Klodiana e Arben Skënderin. Klodiana dhe Arbeni, që njihen si instrumentistë virtuozë, janë fëmijët e djalit të Rustemit, (Ymer Skënderit) violinçelistit të famshëm të diplomuar në Zagreb e Pragë, i cili themeloi shkollën shqiptare të violinçelit.

4 komente në “Dëshmia e të birit: Babai im, ish-kryebashkiak në Lushnje organizoi Kongresin, dhe në Durrës më 7 prill ’39-të, ku ndau armët, u internua nga italianët dhe u burgos nga komunistët”

  1. ''kurre mos'' luftoni'' me derrat[sunitet],sepse ju leroseni ndersa derrat[sunitet] zbaviten......''[G.B. Shaw] says:

    sa pushtues turq apo fashista italione vrau ”trimi” ISKANDER !!!?? Asnje! gezuar ramazonin………….

  2. Pedro i ri says:

    Po turken perse e perziu me shqiptaret.
    Apo jane shqiptare qe e mbajne veten per turq.

  3. shqip says:

    Ishte mik me Zogun . Zogu iku dhe I la këtij pushkët pa shula. Ky duke mos e ditur, u bën thirrje durrsakve të hapnin depot. Sikur nuk del llogaria mo Maksut a Mynir si ta thonë. Tani ky që 15 vjeç na u bë mesues, 17 vjeç u bë kryetar bashkie, dhe Ismaili paska biseduar me një agurdh për të zgjidhur hallet e Shqipërisë. Hajt mo, do ta kaperdijme edhe këtë. Tani prite kur te nxjerrin që partizanët bashkpunonin me gjermanin, dhe legalistet e ballistet luftonin maleve. Çdo gjë është e mundur. Përderisa dekorohen e u ngrihet buste atyre që ikën me gjermanin, dhe për sa kohë historinë e tregojnë pinjollët e ballit e të legalitetit, si dhe e shkruajnë Kaloqet, Dervishët apo Butket, është ti urosh virusin nga i pari te i fundit. Po turp nuk keni fare? Apo gënje – gënje se diçka do mbetet.

    1. VFLP says:

      VDEKJE FASHIZMIT
      LIRI POPULLIT
      Ne ketu jemi dhe do te jemi gjithmone gati, me hurin me gunga per kolaboracionistet e fashizmit ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje