Rrëfimi i ish-kapitenit të Junajtid: Futboll, alkool dhe diskoteka. Njëherë nuk më kujtohej as rezultati i ndeshjes

22 Prill 2020, 14:49Sport TEMA

Nuk kanë qenë të paktë futbollistët që kanë pasur problem me alkoolin në Angli. Librin e kujtimeve e ka hapur edhe Rio Ferdinand, ish-kapiteni i Mançester Junajtid, i cili gjatë kohës kur ishte pjesë e Uest Hem nuk ka qenë një profesionist i rregullt.

Ish-mbrojtësi tregon se një pjesë të madhe të kohës e kalonte duke pirë dhe në atë periudhë jeta e tij ishte futboll, alkool dhe diskotekë. Madje, Ferdinand zbulon se njëherë e pyetën sa doli ndeshja, por pija kishte bërë të vetën dhe atij nuk i kujtohej asgjë.

“Kur isha i ri, isha i çmendur. Mund ta kaloja të gjithë ditën duke pirë. Në kohën e Uest Hem kishim kulturën e të pirit. Gjithnjë pas ndeshjes shkonim për të pirë. Nga ajo periudhë kam shumë boshllëqe sepse nuk më kujtohen.

Njerëzit më pyesnin sa kishte përfunduar ndeshja dhe unë nuk mbaja mend. Kaloja gjithë kohën duke pirë, ishte një tjetër kulturë, një çmenduri. Futboll, alkool dhe diskoteka. Kështu jetonim”.

Ndërkohë,Ferdinand tregon edhe pjesën kur humbi gruan për shkak të kancerit. Në atë periudhë, ish-futbollisti vazhdoi të pinte edhe pse kishte detyrime ndaj fëmijëve.

“Askush nuk është i përgatitur të përjetojë një humbje të kësaj forme. Para se të ikte ajo më tha se do të isha një baba dhe mama e shkëlqyer për tre fëmijët e mi. Unë mendoja se asaj nuk do t’i ndodhte kurrë diçka e keqe. Por, 10 javë pasi u diagnostifikua me kancer, u largua.

Në fillim pija shumë gjatë natës, pasi vija fëmijët në gjumë. Derisa një ditë u zgjova dhe nuk isha i aftë të dërgoja fëmijët në kolegj. Ndërkohë, pata edhe një aksident me makinë. Dhe, vura re se nuk mund të vazhdoja më në atë gjendje. Vuaja nga atake paniku”, u shpreh Ferdinand.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje