Ergys Luga ka provuar të trajnojë të rinjtë e Flamurtarit dhe Tiranës, ndërsa ka qenë edhe ndihmëstrajner i klubit të Kamzës.
Tani ka vendosur ta lërë vendin tonë dhe të nisë një aventurë të re, ku punon si trajner moshash në ekipin kinez të Shenzen.
Më një lidhje me Super Sport nga Kina, Luga tregon se atje është kthyer normaliteti përsa i përket stërvitjes, por ka shumë ekipe që janë në gjendje të rënduar financiare.
“Kina e ka kaluar izolimin dhe njerëzit i kanë respektuar të gjitha rregullat. Rifillimi i kampionatit pritet të bëhet me dy muaj me vonesë. Sponsorët po shkojnë drejt falimentimit dhe Federata është ende në ajër.
Një ekip i Superligës, gjashtë ekipe të Kategorisë së Parë e disa skuadra të tjera janë drejt falimentit.
Është një dëm shumë i madh ekonomik për klubet dhe Kina po e vuan shumë.
Për mua stërvitja ‘online’ nuk ka rezultuar efikase, pasi nuk është njësoj si të stërvitesh në fushë.
Të gjithë lojtarët janë me maska para se të vijnë në stërvitje. Kur fillon në fushën e lojës nuk ka distanca dhe lojtarët stërviten e normalisht”, përfundon Luga.