Nga Jacques Attali
Po kërkohet shumë për të krahasuar këtë krizë ekonomike me të kaluarat dhe, më pak, këtë epidemi me të tjerat. Ndërkohë, nëse kërkohet në këtë drejtim, zbulohet shpejt diçka që do të mund të qartësonte më mirë rrugën që duhet ndjekur për të mposhtur atë, duke e krahasuar me njerën apo tjetrën.
Në epidemitë e mëparshme, që prej mijëra vjetësh, jeta njerëzore nuk llogaritej shumë (përveç ajo e të pasurve dhe të fuqishmëve); ajo ishte e shkurtër, pa një vlerë të vërtetë, as ekonomike, as ideologjike. Për më tepër, në më të shumtën e civilizimeve, interes më shumë kishte pasjeta, siç përcaktohej edhe nga formacionet e ndryshme fetare.
Kur filloi të posedohen mjete për t’u mbrojtur, disi, me vaksina, jeta vijonte si më parë, e ndërprerë vetëm në raste epidemish të ashpra. Dhe, kur ishte e mundur, bëhej edhe mjekim, natyrisht në përputhje me mundësitë financiare.
Sot kemi arritur në një situatë radikalisht të re: në disa vende, ndër më të pasurit, jeta është bërë me vlera të pafundme. Dhe kjo, jo vetëm se po jetohet gjithmonë e më gjatë, jo vetëm se kapaciteteti prodhues i çdo njeriu është më i madh se kurrë, por, kryesisht, sepse, ideologjikisht, nga pozita etike, nuk pranohet më të matet vlera e jetës, e kujtdo qoftë, vetëm me kritere ekonomike; dhe as “ngopje” me bollëkun e jetës së mëpasme. Në këto vende, nëse trajtimet kurative ndalen, nuk është nga shkaku i kostos së tyre, por se parashikimet nuk tregojnë më efektshmëri.
Këto vende janë të rralla në botë.
Në pjesën më të madhe të vendeve të tjera, madje edhe ndër të pasurit, racionohen akoma, dukshëm apo mbuluar, mjekimet dhe përkujdesjet. Dhe shumë vende, jo domosdo të njëjtët, refuzojnë të vendosin shëndetin e njerëzve, përpara funksionimit të ekonomisë. Është i njohur rasti
në Suedi, në Vendet e Ulëta dhe në Brazil. Ca më pak e qartë është dukuria në SHBA, ku Presidenti maniak i ecurive të Bursës, i del kundër një pjese të aparatit federal dhe disa guvernatorëve; debati atje është mjaft i hapur dhe shihen gjyshër të shprehen se do të ishin të gatshëm të merrni riskun e vdekjes, duke u përballur me epideminë, me kusht që fëmijët dhe nipër e mbesa, të mund të kenë një vend pune, për shkak se atje nuk ka asnjë alokacion papunësie; thënë ndryshe, kërkesat e shëndetit dhe të ekonomisë janë kontradiktore.
Kjo bën të lindë një pyetje që të merr mëndjen, e pozuar mjaft rrallë hapur fare: çfarë risku jemi gati të marrim përsipër, individualisht dhe kolektivisht, tani dhe në të ardhmen, në mënyrë që shoqëria të funksionoje në përditshmërinë e saj?
Përgjigjja është e qartë: jemi aq gati të marrim këtë risk, sa kohë nuk kemi zgjidhje tjetër! Në të kundërt, sa më mirë një shoqëri mbron dhe kompenson ata, përballimi i të cilëve me riskun është vital për të tjerët dhe sa më mirë ajo mbron të tjerët kundër rrezikut të papunësisë, aq më shumë janë ata të përmbajtur për të luajtur me jetën e tyre, duke punuar në kushte rreziku.
Në mënyrë që një shoqëri e tillë të mund të funksionojë, duhet, padyshim, që ajo të mund të mbrojë sa më mirë që të jetë e mundur ata, puna e të cilëve është vitale për funksionimin e saj e që nuk mund të bëhet në distancë; dhe që ajo të prodhojë gjithmonë e më shumë pasuri e vende pune në këta sektorë të mbrojtjes, të parandalimit, për sot dhe të ardhmen; në sektorë të cilët, nga afër apo nga larg, kanë për mision mbrojtjen e jetës: shëndeti, ushqimi, ekologjia, higjiena, arsimi, kërkimi, inovacioni, siguria, tregtia, informacioni, kultura dhe mjaft të tjera.
Kuptojmë, ndërkohë, që këta sektorë të ekspozuar, që sigurojnë kushtet e funksionimit vital të shoqërive tona, janë në tronditje të thella; deri shumë afër, ato përbëheshin kryesisht nga shërbime dhe, pra, nuk bartnin potenciale rritjeje, të cilat vijnë vetëm nga zmadhimi i produktivitetit që rrjedh nga industrializimi i një shërbimi.
Risia, lajmi i mirë, është që ato përbëhen, që prej pak kohësh, jo vetëm nga shërbimet, por edhe nga industritë, të afta për rritjen e produktivitetit të tyre dhe, pra, të rrisin, pa pushim,
kapacitetet për përmbushjen e misionit. Pra, vetëm duke vendosur të gjitha forcat për punonjësit dhe industritë e jetës, do të mund të shpëtojmë kombet, civilizimet dhe ekonominë.
Duke pritur që një strategji e tillë të sjellë frutet e saj, ndofta do të na duhet t’ju rekomandojmë atyre që kanë privilegjin të punojnë duke qenë të mbyllur, t’i kushtojnë një pjesë të kohës së tyre të argëtimit (nëse kanë një copë kohë të tillë) të mendojnë raportin me jetën e tyre dhe atë të të tjerëve dhe të mendojnë, me vete, për çfarë ata mund të jenë të vlefshëm, me punën e tyre apo jashtë saj, pa iu ekspozuar rrezikut ndaj atyre që i ekspozohen. Kështu, përgatisin, modestisht, sipas mënyrës së tyre, këtë mutacion madhor, kusht i mbijetesës së gjenisë humane. ([email protected]).
Përktheu: M. Spiro
?