Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se po merret në konsideratë mundësia për një shtyrje të dytë për kreditë, duke bërë të ditur se, nga vendimi i parë janë shtyrë kredi në masën 2 miliardë euro ose 21 mijë kredi.
“Aktualisht niveli i kredive të shtyra deri dje nga bankat është në masën 2 miliardë euro ose 21 mijë raste. Kemi parë një reagim mjaft proaktiv të bankave të nivelit të dytë. Jemi duke analizuar ndikimin që ka në sistemin bankar kjo shtyrje dhe po marrim parasysh mundësinë e një reagimi të BSH pas 3-mujorit të parë për një ristrukturim më afatgjatë”, deklaroi z. Sejko.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori si shembull sektorin e turizmit duke thënë se, duke qenë më i goditur mund të ketë nevojë për një ristrukturim më afatgjatë dhe kjo çështje do të jetë objekt i analizave të bankave të nivelit të dytë dhe i Bankës së Shqipërisë.
Një deklaratë të tillë z. Sejko e bëri në përfundim të analizës 3-mujore të politikave monetare, ku tha se ishte rënë dakord që të mos ndryshohej norma bazë e interesit, duke e lënë në nivelin 0.5%.
Kreu i BSH-së tha se, rritja e borxhit publik është një kosto e pranishme për të ruajtur ekuilibrin ekonomik të vendit. Ai renditi si masa efektive të Bankës së Shqipërisë likuiditet në sistemin bankar, ulje të kostos së kredisë për sektorin privat, shtyrjen e kredive dhe lehtësimin e kostos për pagesat elektronike.
Z. Sejko tha se, “tregjet vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet normal pavarësisht pasigurisë së shtuar mbi të ardhmen financiare të vendit”. Ai shtoi se pasiguria në parashikim mbetet e lartë dhe e gjithë zona e BE-së pritet të jetë në recesion.