Menemenspor këtë sezon është përfolur për afrimin e shumë lojtarëve të Kategorisë Superiore, por dalëngadalë mundësitë për të afruar yjet e vendit tonë ka rënë për shkak të vlerave të shtrenjta të tyre, krahasuar me potencialin financiar të klubit të ligës së dytë turke.
Kallaku, Muçi, Çinari, Bitri e disa lojtarë të tjerë u folën për një kalim të mundshëm në klubin ku luan Selmani dhe Domgjoni, por nuk ka ndodhur kështu.
Duke parë këtë situatë, turqve nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mbështeten te marrja e lojtarëve në fund të kontratave. Një prej tyre është Majkëll Ngo i Tiranës.
Anglezi ka kontratë njëvjeçare me Tiranën dhe pritet të largohet pas aventurës europiane të bardhebluve.
Menemenspor mund të jetë klub i ri i gjigantit të sulmit. Ngo është asistuesi dhe golashënuesi më i mirë i Tiranës në këtë edicion, ku janë shumë pranë kurorëzimit si kampionë.
“YeniAsir” mëson se drejtori sportiv i klubit, Çenk Laleçi ka qenë në Tiranë para shpalljes së gjendjes së pandemisë dhe ka parë nga afër lojën e Ngo.
Ai e ka pëlqyer profilin e anglezo-nigerianit dhe pritet t’i ofrojë një kontratë. Mbetet të shihet se kush do të jetë vendimi i Ngo, ku kurrsesi nuk mund të përjashtojmë një qëndrim te Tirana në rast suksesi në Kupat e Europës.