Premtimi amerikan që nuk vdes

23 Gusht 2020, 16:53Politika TEMA

Nga Preç Zogaj

Kësaj jave u mbajt në SHBA konventa e Partisë Demokrate, virtuale për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila  zyrtarizoi emërimin  e paralajmëruar të Joe Biden si  kandidatin  që do të  sfidojë presidentin  në fuqi,  Donal Tramp në zgjedhjet presidenciale  të  muajit  nëntor.

Për katër  ditë me radhë  të  apasionuarit e politikës  dhe gjithë të interesuarit që po mbajnë frymën që tani për fatin  e betejës më të madhe elektorale  në botë, patën rastin të ndiqnin njërën  prej dy “meshave” madhështore  të startit final  të palëve  drejt Shtëpisë  së Bardhë.

Ndërsa republikanët  do ta mbajnë  konventën   e tyre virtuale  javën  e ardhshme,   konventa e  demokratëve kaloi si një shfaqje  e rrallë,  madje  e pashembullt  sipas shume vëzhgueseve,  e impenjimit  dhe  bashkimit të korenteve dhe figurave të shquara të kësaj partie  rreth kandidatit  Joe Biden për të mundur  Presidentin Tramp.

Ish Presidentët  Xhimi Kartër, Bill Klinton dhe Baraka Obama,  zonjat Hilary Klinton dhe Mishele Obama, ish sekretari i  shtetit, John Kerry,   gjithë kandidatët e mundur  apo të tërhequr nga gara  në primaret brenda partisë, përfshirë   multimilarderin Michael Blomberg  dhe  “skifterin” e përhershëm  të krahut  të majtë të  partisë, Berinie Sanders, treguan me ndërhyrjet e tyre se ishin aty jo thjesht  për të përmbushur një detyrë të solidaritetit rutinor, por shumë më tepër se  kaq.  Ata  u bashkuan  me promovimin e  Joe Biden si presidenti që i duhet  SHBA  në  katër vitet e ardhshme.

E lehtë të kuptohet se arsyeja  numër një e  manifestimit të  këtij uniteti  qëndron  në vlerësimin e  njëzëshëm të opozitës  liberal demokrate  amerikane se me Trampi-n President  SHBA  ka rrëshqitur nga historia e saj, po humb nga  imazhi i qytetit që shndrit majë kodrës,  po i  kthen shpinën,  pavarësisht rezistencës së traditës dhe institucioneve, misionarizmit të saj  historik  në mbrojtjen  dhe përhapjen e vlerave të demokracisë në botë,  se vetë presidenti ka  shtrënguar  duar diktatorësh dhe ka krijuar  konflikte me aleatët brenda NATO-s, duke shërbyer vetvetiu  si një kushtrim për regjimet iliberale dhe  drejtuesit autoritarë apo diktatorë në vende të ndryshme të botës.

Në këtë kontekst, forca politike më e madhe  liberale e botës, bashkohet dhe ngrihet për një qëllim të cilin e ilustroi  në fjalën e saj kandidatja   për zëvendës presidente,  Kamila Harris, e cila foli për  ëndrrën  që e bën  premtimin amerikan, me gjithë kompleksitetin dhe pa përsosmërinë e vet, një premtim  për të cilin ia vlen të luftosh.

Demokratët dhe republikanët në SHBA  kanë patur e kanë  dallime të mëdha ideologjike dhe  kulturore, ata janë shkëmbyer periodikisht në pushtet  si të ndryshëm, në bazë të votës  së lirë të zgjedhësve.

Por ata, me pak nuancime,   kanë qenë një në raport me  të famshmen ëndërr amerikane të lirisë, drejtësisë , shanseve të barabarta, multikulturalizmit e tjerë, sikurse edhe në konceptimin dhe mbajtjen e një Amerike misionare  në botë  prej nga nisen dhe përhapen rrathët e një civilizimi  në shenjën e lirisë  dhe ku merren vendime përcaktuese për  të drejtat, paqen dhe demokracinë në botë.  “SHBA do të vazhdojnë  ta drejtojë botën… një engjëll na  prin  në këtë stuhi”- nuk mund të harrohen  këto  fjali të  Presidentit republikan , Xhorxh Bush i Ri në fjalën e  tij inauguruese të presidencës së tij të parë në  shkurt të vitit 2001.

Vendet  e Lindjes ish- komuniste, përfshirë Shqipërinë, i dedikojnë  misionarizmit amerikan për të cilin po flasim, lirinë e tyre.  Kombi shqiptar i dedikon  çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës,  statusin e  kombit shtet-formues  dhe gjithë të drejtat e deritanishme të  shqiptarëve autoktonë në  Republikën e  Maqedonisë së Veriut. Pa misionarizmin  amerikan  ashtu siç e kanë konceptuar e interpretuar historikisht qeveritë e Uashingtonit, bota do të ishte një mozaik diktaturash ku  tiranët shkelim me këmbë popullin  e tyre dhe popujt e tjerë aty ku munden.

Ne do të ishim të mbaruar si vend i lirë me njerëz të lirë. Mbetet enigmë e madhe si do të ishte vetë SHBA pa misionarizmin dhe eksepsionalizimin e  saj historik.  “ Amerika është humbësi më i madh  prej amerikanizimit të botës, ka të ngjarë të jetë intuita më e çuditshme e  Trampit”, shkruajnë bashkautorët  Stefan Holmes dhe Ivan  Krastev në librin e tyre të fundit  “ Drita që u shua”.  Konventa republikane  që do të mbahet javën e ardhshme mund të japë përgjigje më të qarta për  qasjen e  Presidentit Tramp dhe  oratorëve  të tjerë republikanë  për ketë temë  kyçe,  e cila ngërthen  perspektivën e tandemit historik SHBA-Europë, sikurse edhe  balancat e reja të fuqive të mëdha.

Ndërkohë  nuk ka asnjë enigmë për demokratët  amerikanë, madje  edhe për disa  republikanë  të njohur si Kolin Pauell,  që mbështetin zgjedhjen  e Biden si President, se mesazhi antimisionar e zvogëlon Amerikën, sikurse e çmonton  “botën  që Amerika krijoi”, siç ka  thënë Rober Kagan.

Duke i zhvilluar këto tema  dhe shumë të tjera të  jetës së përditshme në SHBA, konventa e demokratëve  kaloi si një shfaqje e  bukur e elegancës dhe klasit, e thellësisë, e humorit, e rrëfimeve  emocionuese, e frazave didaskalike, e  gjithë një kombinimi  stilesh e gjetjesh që në tërësinë e tyre  formojnë  shijen e mirë të politikës,  një gjë që duket se po  zhduket  apo ndoshta kështu  na duket në këtu nga Shqipëria  ku banaliteti, injoranca,  servilizmi, trashësia, ligësia, defiçenca  intelektuale, ëndrra e pasurimit për vete, babëzia dhe vesi i korrupsionit  janë ulur këmbëkryq dhe  përcaktojnë  dukshëm   identikitin e politikës dhe  politikanit shqiptar.

SHBA  mbeten  një burim  besimi e shprese edhe në këtë pikë: që  ekziston dhe nuk  vdes politika  e shijes së kulturës dhe  idealeve. Dhe  qershia mbi tortë apo mbi torta, fjala e  zonjës  Jill Biden  dhe fjala e burrit të saj, metafora të mëdha të  premtimit   për një  “Amerikë të Bashkuar”. Zonja Biden: “Në  moshën 26 vjeçe  u gjenda  përpara një ndërmarrje që më dukej vërtetë e vështirë. Isha martuar më një burrë që kishte humbur gruan dhe vajzën në një aksident. Një person i goditur nga dhimbja me  dy fëmijë të vegjël.  Por bashkë ia dolën të rindërtojnë një familje, me dashuri, solidaritet, zotësi reagimi”.

Zonja Biden e  sheh Amerikën e sotme    si “ një familje të shqyer , të ndarë,  të goditur “. Por  “edhe Amerika mund të kthehet e bashkuar”,  u mëshon  fjalëve ajo duke  hequr një paralele më atë që  bashkëshorti i saj  ka bërë për të  rindërtuar  një familje  mbi dhimbjet dhe tragjeditë.  Kandidati për President e mori, e zhvilloi dhe  e ngriti më  lart  premtimin e  rindërtimit : “Kjo fushatë elektorale nuk është për të fituar vota, është për  të fituar shpirtin e  Amerikës”,  theksoi  ai duke  dizajnuar me sa duket sfidën më të madhe të zgjedhjeve të nëntorit.

Në vendin  tonë, për aq tifo sa bëjmë për pasion, pa qenë votues  në fushatat presidenciale amerikane,  ne zakonisht  ndahemi sipas përkatësive  partiake dhe më rrallë sipas simpative personale ndaj kandidatëve.  Disa me  demokratët, disa  me republikanët. Duke e ditur se në raport me Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe në vizionin klasik të demokracisë,  presidentët nuk  kanë qenë të ndryshëm nga njëri tjetri.  Bushi plak, Klinton, Bushi i ri, Obama, të gjithë kanë lënë  gjurmë   të forta  në zhvillimet mbarë-shqiptare.

Presidenti Tramp dhe administrata e tij ruajtën mbështetjen për reformën në drejtësi  në Shqipëri,  të miratuar gjatë administratës së mëparshme  të Presidentit  Obama. Kjo reformë jetike për fatin e shtetit ligjor  dhe çlirimit të Shqipërisë nga pandëshkueshmëria  në sferat e larta ka nevojë  të rikuperojë vonesat e  viteve të fundit dhe të fillojë   të japë  sa më shpejt produktin  e pritshëm. Lajmi i mirë është se  me fitoren eventuale të   demokratit Joe Biden reforma dhe demokracia  në  Shqipëri  do të njohin vetëm përparim.

Siç e shënuan më lart, në të voglën tonë, ne kemi përfitim të madh nga një SHBA që qëndron  në rolin e saj si misionare e demokracisë në botë.  Të shtojnë këtu edhe  faktin se vetë zoti  Biden  ka dëshmuar  se është një mik i  popullit shqiptar. Dhe këtu po citoj  rastet që kishte përmendur  në një shënim të tij studiuesi i njohur Gëzim Basha, prej vitesh me banim në SHBA: Në Senat, Joe Biden, krahas senatorit republikan Bob Dole, ka qenë përkrahësi më i madh i kauzës Shqiptare për liri, të drejta njerëzore dhe demokraci në Ballkan.

Si senator, Joe Biden, në pallatin presidencial të Jugosllavisë së mbetur, i drejtoi gishtin Milosheviçit duke e quajtur, “a goddamned war criminal,” (një dreq kriminel lufte).

Kur gjatë javës së Pashkëve Orthodokse të vitit 1999, Presidenti Klinton u propozoi lidereve demokratë të Kongresit një ndalim të bombardimeve kundër objektivave serbe, i pari reagoi Biden duke thënë: “Në se meret ky vendim, unë do ti drejtohem popullit me vetëm dy fjalë: Presidenti u thye!”

Djali i ndjere i Biden, Beau Biden, ishte pilot i njërit prej aeroplanëve që bombardonin ushtrinë  serbe gjatë Luftës së Kosovës.

Pas çlirimit të Kosovës, si senator dhe më pas Zv/president, Joe Biden ka qene avokati më zëlartë në favor të pavarësimit të Kosovës dhe ruajtjes së sovranitetit të saj.

Dalin e teprojnë për t’i blatuar respektin maksimal.

13 komente në “Premtimi amerikan që nuk vdes”

  1. Austin Texas says:

    Joe Biden fatkeqesisht per demokratet eshte me probleme shendeti. Sipas opinioneve ketu ai nuk e mund dot Presidentin Trump me problemet dhe gafat qe ben si nxenes shkolle

  2. Molla e dijes says:

    O Preç, di gjë ti pse nuk e njeh Vatikani Kosovën? Kush i pengon? Zoti apo lidhjet e tyre me iluminatin? Ç’është kjo histori?! Një shtet fetar që nuk njeh Kosovën që ka luftuar për pavarësi? Për çfarë na duhen përrallat e priftërinjve katolikë këtu më Shqipëri? Çfarë besojnë shqiptarët katolikë? Që Kosova nuk duhet të jetë e pavarur? Se edhe Papa nuk e njeh! O preç, të bëj një pyetje? Ti me çfarë rron, çfarë pune bën? Vërdallisesh nëpër mendia e jep mend sikur ke mbaruar 10 fakultete?

  3. Azio says:

    Po mire more Prec,
    A e di ti se partia demokratike me perfaqesues te saj ne disa qytqete te rendasishme,si New York,Cikago,Portland,e tj kane perkrahur protestuesit qe bene shkatrime te papara ne keto qytete te Amerikes,duke i dhene mbeshtetje ketyre protestuesve per te mos zbatuar ligjet e shtetit,apo duke ju kundervene edhe forcave te policies dhe duke i nxjerresh ata jashte detyres se tyre per mbrojtjen e ligji dhe ndaljen e shkatrimeve,vjedhjeve dhe goditjeve ndaj forcave te rendit.
    Cfare thua more Prec.
    Tregoje shqiptareve se cilat ishin premtimet e conventes se parties demokratike,ne ekonomi,ne shendetesi,ne luftes kunder kriminalitetit e tj,per te cilat ata nuk u ndjene fare,fare zero.
    Pyet nje here dhe pastaj jep mendime per te cilat ti ke harxhuar kohen kot.
    Information perpara,jo te shkruash si è Ema e Zeqos ne maje mullarit.Keshtu pra Prec.Kujdes here te tjera.

  4. Agim says:

    Prec te lumte mendja e dora.I koncepton e i thua shkelwyeshem ato qe meritojne te thuhen.Je I vetmI nga garda e vjeter e Pd- mjerisht brez te ri Pd nuk ka- me mendje te kthjellet,rational , bashkues, konstruktiv…Urime…

    1. Bureto says:

      Preçi më shumë se ka shkruar për atë ç’ka do të bëjnë amerikanët, a thua se ata kanë nevojë t’i mësojmë ne, ka evokuar rolin e ShBA-ve në kontekstin e nevojave dhe aspirarave të popullit shqiptar për demokraci. Në këtë këndvështrim them se ai e ka kuptuar drejt. Ne nuk na intereson se kush fiton në Amerikë, por që Amerika të mos e ulë interesin për kombin tonë të vogël. Dhe në pikpamje të tij, i duket se Joe Biden është paksa më afër. Ku është gabimi këtu? Pse amerikanët si këtu tek ne e shohin politikën? Nga ne do mësojnë ata, apo ne duhet të mësojmë prej tyre?

  5. Ermir says:

    E po per kastravec si ky qe gjithe jeten flet per gjera qe nuk i kupton!

  6. Turi says:

    O PREÇ SPIUNI, BOLL BRE I RE “ÇIFTELISË” QE TE DHA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST SE NA ÇAVE SUMËN. TI I DI TE GJITHE SE JE SKUTH PUSHTETESH DHE I GATSHEM TI SHERBESH KUJTDO QE TE HAP RRUGEN E FITIMIT TE PAMERITUAR, JE AQ I SHKATHET SA PERFITOVE NE KOHEN E ENVER HOXHES DHE U NGJITE NE DREJTIMIN E GAZETES SE RINISE KOMUNISTE “ZERI I RINISE” ME NDIHMEN DHE FIRMEN QE HIDHE NE LISTEN E SPIUNEVE TE SIGURIMIT DHE JO NE KETO KOHE TE ARTA PER NJEREZIT SI TI. HESHT E MOS NA ÇAJ TRAPIN PREÇ “ÇIFTELIA”.

  7. Turi says:

    O PREÇ SPIUNI, BOLL BRE I RE “ÇIFTELISË” QE TE DHA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST SE NA ÇAVE SUMËN. TI I DI TE GJITHE SE JE SKUTH PUSHTETESH DHE I GATSHEM TI SHERBESH KUJTDO QE TE HAP RRUGEN E FITIMIT TE PAMERITUAR, JE AQ I SHKATHET SA PERFITOVE NE KOHEN E ENVER HOXHES DHE U NGJITE NE DREJTIMIN E GAZETES SE RINISE KOMUNISTE “ZERI I RINISE” ME NDIHMEN DHE FIRMEN QE HIDHE NE LISTEN E SPIUNEVE TE SIGURIMIT DHE JO NE KETO KOHE TE ARTA PER NJEREZIT SI TI. HESHT E MOS NA ÇAJ TRAPIN PREÇ “ÇIFTELIA”……….

  8. Ajet Delaj says:

    Çdonjeri ka të drejte të marre nje krah politik e natyrshem edhe z Zogaj “djathte “ rreshtohet natyrshem me social-comunistet Amerikane
    Edhe ketu ne Amerike nje numer i madh shqiptaresh jane rreshtuar me z Biden kryesisht njerz me trashigimi komuniste apo me lidhje me ish Jugosllavine.
    Nje fakt deshiroj të paraqes pata gjithe shqiptareve qe mendojne se kuptojne dicka nga politika Americane
    Se pari duhet thene se demokratet nuk afrojne asgje të re as ne ide e as ne staf pra jane të gjithe ata qe Presidenti Trump I ka mundur ne 2016
    E vetmja gje e re e demokrateve ne kete vit elektoral eshte bashkimi I socialisteve me radikalet komuniste dhe priva e tyre per të zhytur Ameriken ne kaos nepermjet pushtetit të tyre lokal qe I vune flaken qyteteve qe kishin ne zoterim por nuk ja dolen pasi Presidenti diku nderhyri me forca federale e diku I kercenoje me nderhyrje .
    Gjithsesi situata u mbajt nen kontroll dhe deri tani jane arrestuar rreth 1500 kriminel sipas Departmentit të Drejtesise.
    Presidenti Trump ka bere nje pune të shkelqyer keto kater vite e fitorja e tije eshte e garantuar.
    Fatekeqesisht per fatin e mendet e tyre shqiptaret kane me shume se 30 vjet qe gjithnje rreshtohen me humbesin.
    Bota do ridimensionohet gjate mandatit të dyte të Presidentit Trump keshtu qe shqiptaret kane opsione Turqine, Kinen e Rususine . Fundja gjithkush merr ate qe meriton.

  9. Arber iliri says:

    Urime pre shkrimin Prec.klas i larte fare fare.

  10. Asd says:

    Pergezime autorit per shkrimin e qarte, renditur mire e shkruar bukur.

  11. taso kume says:

    GJithmon ne politiken AMERIKANE faktori kryesor eshte financa,por kohet e fundit gjelpera e kandarit po anon nga e ata qe lobojn per çifutet dhe blihen nga ata ,ideologjite ne AMERIKE nuk pijne uje.dhe TRAMPI si aventurjer qe e ka dhe dhendrin çifut i çfrytezon ne menyre te perkryer konjukturat .

  12. emigranti says:

    U thinjem duke marre neper goje boten.
    Ne na intereson me shume kush grup perkrah me shume ceshtjen shqiptare.
    Por ne lidhje me kete duhet te jemi me kembengules dhe jo thjesht vezhgues dhe te shpresoime per gjithshka ne zemermiresine e miqve, por te shfrytezojme me mire interesat amerikane ne rajon e te bejme presion per maksikilizimin e interesave tona.
    Ne politike ka interesa dhe jo dashuri te verber.
    Parulla e qeverive te Shqiperise e Kosoves ” shqiptaret faktor paqeje e stabiliteti ne rajon ” qe nga fqinjet eshte shfrytezuar deri tani si te neneshtruar dhe te detyruar qe te pranojne gjithshka per hir te stabilitetit, duhet zevendesuar me reciproritetin per te cilin duhet te na ndihmojne
    miqte.
    Do te ishte mire qe shkrimi te pershkruante me qarte intresat tona se sa te merrej me zgjidhjen e problemeve te Amerikes kur dihet qe influenca e ketij shkrimi eshte zero.
    Me pak servilizem e me shume realitet. Ky duhet te jete obligimi I analisteve politike,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje