Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka reaguar lidhur me operacionin “Tatimore” të ndërmarrë nga Policia e Tiranës.
Përmes një deklarate, DPT mbështet aksionin e fundit të kryer nga ky autoritet, ku së fundmi është konstatuar se një inspektor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në DPT është dyshuar dhe arrestuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndër të tjera DPT deklaron:
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në mbështetje të operacionit të ndërmarrë nga Policia e Tiranës, “Tatimori”, përshëndet aksionin e fundit të kryer nga ky autoritet, ku së fundmi është konstatuar se një inspektor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në DPT është dyshuar dhe arrestuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Drejtoria e Përgjithshme është e vendosur të mbështesë ҫdo veprimtari të Policisë së Shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal në Administratën Tatimore dhe më gjerë.
Pas njoftimit për ngjarjen e ndodhur, DPT ka marrë masat e nevojshme administrative për largimin e menjëhershëm të inspektorit nga detyra.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dëshiron të ritheksojë angazhimin e saj në garantimin e një shërbimi të ndershëm dhe transparent, si dhe të sigurojë ndërtimin e një administrate publike funksionale bashkëkohore në funksion të të gjithë tatimpaguesve, vendit dhe shoqërisë shqiptare.
DPT do të vazhdojë të jetë e angazhuar maksimalisht deri në pastrimin e të gjithë figurave të cilat ushtrojnë funksione publike dhe abuzojnë me to në kurriz të biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.
Ftojmë të gjithë tatimpaguesit dhe qytetarët të denoncojnë ҫdo veprim korruptiv të strukturave të Administratës Tatimore në të gjitha nivelet”, nënvizon DPT. (TemA)