Demokratët në Lezhë "barazim", pro të gjithë kandidatëve për deputetë: Sot pushim, votimet në PD rikthehen të shtunën në Durrës

2 Tetor 2020, 08:30Politika TEMA

Demokratët e qarkut të Lezhës konfirmuan në bllok listën e kandidatëve që kaluan filtrin në fazën e dytë të komisionit të ngritur në PD për seleksionimin e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie.

Në degën e Lezhës, nga 1850 anëtarë me të drejtë vote, ushtruan të drejtën e tyre për të votuar 1138 persona, ose ndryshe 61.5% e anëtarësisë.

Demokratët e degës së Lezhës konfirmuan në bllok të 16 emrat që kishte çuar komisioni i ngritur në PD.

Po kështu, edhe dy degët e tjera të qarkut të Lezhës, dega Mirditë dhe dega Kurbin, konfirmuan në bllok emrat e sjellë nga komisioni i seleksionimit.

Lezha bëhet kështu qarku i 6-të, i cili zgjedh kandidatët e PD-së për të vijuar garën në listën e selisë blu në zgjedhjet e 2021-shit për deputetë dhe për zgjedhjet lokale.

Sot nuk do të ketë votime, por pritet që të dalin emrat e kandidatëve në qarkun e Durrësit që synojnë të jenë pjesë e ekipit të kryedemokratit Basha për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme.

Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e konfirmuar i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të komisionit në fazën e tretë.

Anëtarët e komisionit votojnë bazuar, kryesisht, në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimizimit të votës.

Pas këtij vlerësimi përfundimtar, lista me kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale Kryesisë së Partisë Demokratike.

Votimi i konsultimit të anëtarësisë ka përfunduar në qarkun e Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës dhe Beratit dhe në qarkun e Lezhës, ndërsa sot dalin emrat për qarkun e Durrësit.

Procesi po ndiqet nga afër nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari Organizativ, Sahit Dollapi dhe Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje