''Rruga e Kombit'', Rama lavdëron punën e koncesionarit, PD: Do ta anulojmë nëse vijmë në pushtet

23 Tetor 2020, 09:29Politika TEMA

Investimet në infrastrukturë dhe qasja për menaxhimin e “Rrugës së Kombit” ishte temë replike të premten mes ekspertit të ekonomisë pranë Partisë Demokratike, Dorjan Teliti, dhe kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri postoi në Facebook një video nga disa segmente të rrugës Milot-Morinë, në të cilat koncesionari ka plotësuar hyrje-daljet, ndriçimin dhe sinjalistikën.

Rama e cilësoi “spektakël të punës së pandalshme” punën e bërë nga koncesionari ndërsa e etiketoi “Rrugën e Kombit” si “rrugë të lënë rrugëve” nga qeveria e shkuar. Sipas tij, qasja e ndjekur nga qeveria me menaxhimin e rrugës, e ka kthyer atë nga “një rrugë burim aksidentesh” në një “rrugë të standardeve evropiane”.

Pas këtij postimi, eksperti i ekonomisë pranë PD-së, Dorjan Teliti reagoi po në Facebook duke komentuar se “tashmë qeveria e Ramës po prezanton si punë të vetën edhe Rrugën e Kombit”, që për ndërtimin e saj, sipas tij, “meritë të padiskutueshme ka pasur qeveria e demokratëve”.

Teliti i kujtoi Ramës se prej qasjes së tij për menaxhimin e rrugës, qytetarët paguajnë nga 5 deri në 22.5 euro për çdo kalim. Sipas tij koncesionari ka mbledhur vetëm në vitin e parë të punës “rreth 20 milionë euro”, ndërsa në vitin 2020 “11 milionë euro subvencione nga qeveria për mungesë trafiku”.

Përfaqësuesi i PD-së theksoi se nëse opozitës do t’i jepet e drejta e qeverisjes së vendit, ajo do ta anulojë koncesionin e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të kësaj rruge, duke e konsideruar “tarifë të padrejtë për shqiptarët e dy anëve të kufirit”.

1 komente në “”Rruga e Kombit”, Rama lavdëron punën e koncesionarit, PD: Do ta anulojmë nëse vijmë në pushtet”

  1. dada says:

    Do ti hashe mune

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje