Gjobat për parkingjet, një ‘taksë e fshehtë’ mbi banorët e Tiranës

1 Nëntor 2020, 10:56Sociale TEMA

Bashkia e Tiranës i ka dhjetëfishuar gjobat për parkingjet dhe trafikun në 4 vitet e fundit –një praktikë e kritikuar nga ekspertët si penalizuese për mijëra familje çdo muaj, pa sjellë përmirësim në kaosin e qarkullimit në kryeqytet.

Nga Vladimir Karaj, Nensi Bogdani

Mëngjesin e 26 tetorit, Ligert Vaso – banor prej 20 vitesh në një rrugicë në zonën e ish-Ekspozitës në Tiranë, gjeti një fletushkë gjobe në dritaren e makinës së parkuar si zakonisht poshtë shtëpisë. Rrugica ishte kthyer brenda natës në zonë parkimi për rezidentë, por Vaso thotë i irrituar se askush nuk e kishte njoftuar.

Gjobitja nga policia bashkiake e detyroi Vason të sorollatej për disa ditë për të siguruar dokumentet dhe pullën e rezidentit, por kjo nuk ishte një punë e thjeshtë.

“Më kanë çu me shtëpi në Yzberisht,” tha ai me ironi, duke pretenduar lëvizje në gjendjen civile, që i pamundësonte të merrte pullën për zonën ku jetonte.

Dhjetra pronarë të tjerë makinash u irrituan njësoj fundjavën e kaluar, pasi gjetën gjoba 1 mijë lekëshe në xhamin e përparmë dhe tabela që njoftonin kthimin e rrugicave në zona parkimi për rezidentë.

Fushata e fundit në rrugët e Tiranës është pjesë e një politike më të gjatë të Bashkisë së kryeqytetit – e cila i ka kthyer gjobat në një burim të rëndësishëm të ardhurash për arkën e saj.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjobat për parkimet dhe qarkullimin u dhjetëfishuan në katër vitet e fundit në Tiranë, duke kapërcyer nga mesatarja mujore prej 2789 gjobash në vitin 2016, në 27 mijë përgjatë vitit 2020.

Të ardhurat nga gjobat pësuan gjithashtu një rritje të konsiderueshme; nga 151 milionë lekë në vitin 2015 në 458 milionë lekë në vitin 2018 [për 2019 dhe 2020 nuk ka të dhëna publike].

Megjithatë, ekspertët e ekonomisë dhe pushtetit vendor e konsiderojnë këtë një lajm të keq dhe një ‘taksë të fshehtë’ në kurriz të banorëve të kryeqytetit.

“Gjobat në kryeqytet janë bërë qëllim më vete për të rritur të ardhurat,” kritikoi Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Pano Soko, ekspert ekonomie dhe anëtar i “Nismës Thurje” mendon të njëjtën gjë. “Një taksë e fshehur,” tha ai në një bisedë për BIRN.

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment mbi këto çështje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Gjobat fryjnë buxhetin

Një qytetar i gjobitur për mungesën e pullës së rezidentit. Foto: Nensi Bogdani.

Të dhënat publike për të ardhurat e Bashkisë së Tiranës nga opendata.tirana.al tregojnë se numri i gjobave ka vijuar të rritet nga 211 mijë në vitin 2018 në 223 mijë në vitin 2019. Numri i gjobave mbeti i lartë edhe në vitin 2020 –ndonëse qytetarët e Tiranës qëndruan në karantinë gjatë 3 muajve dhe viti është ende në vazhdim.

Krahasuar me bashkitë e tjera, Tirana siguroi 20 herë më shumë të ardhura nga gjobat se Durrësi në vitin 2018 dhe gati 37 herë më shumë sesa Shkodra, Fieri dhe Vlora të marra së bashku.

Në tabelën excel për parashikimin dhe të ardhurat e realizuara nga Bashkia e Tiranës rezulton se Policia Bashkiake kishte tejkaluar edhe pritshmëritë e veta në vitin 2018; kur nga 336 milionë lekë të parashikuara mblodhi 458 milionë lekë ose 137 për qind.

Në të njëjtin vit, gjobat sollën rreth 4 milionë lekë më shumë të ardhura se sa vetë tarifa e parkimit me pagesë në qytet, që ishte realizuar në masën 454 milionë lekë. Gjobat rezultojnë  zëri i gjashtë për nga madhësia në të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

I pyetur për rritjen e gjobave në kryeqytet, Agron Haxhimali tha se bashkia kishte dështuar me ndërgjegjësimin dhe rritja e gjobave tregonte se problemet nuk po zgjidheshin dhe se shkeljet vijonin.

“E shikoj si lajm të keq. Fakti që masa e gjobave ka këtë rritje progresive tregon për punë joefektive dhe të mjaftueshme që duhet të bënte bashkia për ndërgjegjësimin e tyre (qytetarëve), për sensibilizimin dhe për t’i orientuar qytetarët për zonat dhe rastet kur mund të merret gjoba apo masa administrative,” tha Haxhimali.

Duke komentuar shifrat, Haxhimali thotë se i takonte të ishin gjobitur afërsisht 23-25 mijë familje çdo muaj dhe se gjoba ishte një pagesë shtesë mbi tarifat që ata i paguanin bashkisë.

“Gjoba si akt vërtet është bazuar në ligj, por kjo nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Para gjobave, fillimisht duhet ndjekur hapi i këshillimit dhe në fund saksioni,” thotë ai.

Shumica e qytetarëve i shohin gjobat si mbledhje parash dhe një pjesë që përpiqen të jenë korrektë, nuk ndjejnë se ato po shkojnë për të përmirësuar situatën me parkingjet.

“Ata të bashkisë vijnë mbledhin gjobat dhe nuk duken më,” thotë një qytetar, ndërsa tregon se tabelat ndryshonin vazhdimisht dhe shpesh dukej sikur kjo bëhej vetëm për të mbledhur gjoba.

Sipas Pano Sokos, bashkia as nuk është duke u përpjekur të zgjidhë problemet.

“Bashkia e konsideron zërin e të ardhurave nga gjobat, si një zë të rëndësishëm buxhetor dhe shifrat e publikuara e mbështesin këtë gjë.  Në thelb, bashkia nuk po përpiqet të disiplinojë kaosin në trafik, ajo po e shfrytëzon kaosin për të “shitur” orë parkimi,” tha Soko.

Qytetarët pa zgjidhje

Makina të gjobitura radhazi gjatë fundjavës së kaluar në Tiranë. Foto: Nensi Bogdani.

Banorët e Tiranës nuk besojnë se paratë e mbledhura nga gjobat po kthehen mbrapsht në investime.

“Ata kalojnë, vendosin gjoba, por rrugët janë njësoj të bllokuara dhe nuk ke ku të kthehesh,” tha një burrë në një sheshpushimi pallatesh mes rrugës së Kavajës dhe Myslym Shyrit, duke treguar me dorë makina që kishin zënë rrugën dhe që sipas tij, kishin muaj të parkuara në një vend.

Më tutje, në një rrugicë të ngjashme në vend të gjobës së bashkisë ishte një fletë e thjeshtë fletoreje, që synonte t’i tregonte parkuesit se kishte zënë një vend që nuk i përkiste. “Mos parko këtu o kryeneç, sepse është me pagesë”, shkruhej në letër.

Letra të ngjashme dhe me më pak etikë gjen thuajse në çdo hapësirë parkimi, ndërsa qytetarët përpiqen të zgjidhin vetë problemet. Në krahun tjetër dhjetra shoferë vendosin numra telefoni në kroskotin e makinës, duke e ditur që mund të kenë zënë rrugën dhe duke i dhënë të bllokuarit një mundësi për të zgjidhur vetë problemin.

Producenti Agron Domi, të cilin BIRN e takoi pranë shtëpisë së tij në pranë Stadiumit “Selman Stermasi”, tha se kishte paguar 4 gjoba gjatë muajit edhe pse e kishte pullën e rezidentit.

“Në një rast isha në këmbë pranë makinës, u thashë se mund ta lëvizja, por më thanë të qëndroja në vend, kishin sjellë kamera me vete. Siç duket mendonin që ishte gjë bukur të filmonin gjobvënien,” tha Domi për një nga gjobat që kishte marrë.

Domi dyshon se rrugicat rreth lagjes gjatë ditës ishin të zëna me makina që ose nuk e ishin pullën, ose kishin marrë diçka të falsifikuar. “Natën këtu është bosh, që tregon se ata që zënë vendet ditën, nuk janë banorë”, shtoi Domi për BIRN.

Ai thotë se gjobëvënia nuk ka për të rregulluar situatën, ndërsa shton se po të donin të rregullonin parkimin, vula e rezidentit duhej të bëhej elektronike përmes E-Albania, përndryshe një vërtetim banimi mund të blihej lirë dhe asgjë nuk do të zgjidhej.

Edhe kur janë në favor të masave, qytetarët thonë se ato nuk kanë ndryshuar asgjë.

“Më në fund te parkimet mbrapa ish-Ekspozitës u vendosën tabelat per rezidentët. Edhe pse ka disa ditë që janë vendosur, unë si rezident prapë e kam shumë të vështirë të gjej parkim, ndonëse shumë makina të parkuara nuk e kanë pullën,” ankohej në Facebook një nga rezidentet e zonës.

9 komente në “Gjobat për parkingjet, një ‘taksë e fshehtë’ mbi banorët e Tiranës”

  1. vicidoli says:

    Cojani baces shpellave te vicidolit se ja heqe

  2. Niku says:

    Bashkia ben shume mire qe ka bere parkingjet per rezidente. Nuk eshte e vertete që menjëherë vënë gjoba pas vendosjes së tabelave. Te lagja ime vune tabelat dhe per një javë vendosnin njoftime që oarkingu ishte për rezidentët. Ishte kthyer zona në një makth për banoret pasi parkonte të gjithë pedagogët dhe studentët e inxhinierisë së ndërtimit dhe gjithë klientët e lokaleve dhe ne banoret nuk gjenim vend. Vetëm në 11.00 të natës liroheshin vendet. Tani gjejmë vend lehtësisht.

    1. Albi says:

      Pajtohem me parashkruesin. Artikulli ka disa pasaktesi dhe hamendesime qe ja ulin besueshmerine dhe i japin ngjyra tendencioze. Gjobat vihen vetem pas disa ditesh, nuk eshte e vertete qe tabelat nderrohen shpesh, dhe fakti qe njerezit nuk marrin vesh edhe pasi marrin gjoba nuk eshte faj i bashkise. E cfare do te thote qe situata nuk eshte permiresuar? Pune e madhe, te pakten tani bashkia po fut ca leke ne buxhet. Kur njerezit te fillojne tu rendoje ne xhep gjoba, do vene mend…

  3. Operacioni Zjarri says:

    Pulla e rezidentit nuk e zgjidh problemin e parkimit seose Tirana eshte e ndare ne vetem 4 zona. Per shembull zona 1 per te cilen behet fjale ne kete artukull fillon tek bulevardi Zogu i pare dhe mbaron tek bulevardi Gjergj Fishta tek ish ekspozita Shqiperia Sot. Pra nje banor i ish stacionit te trenit mund te parkoje pa frike tek ish ekspozita dhe anasjelltas. Shkurt parkimet prane shtepise tuaj do ti gjeni gjithmone te zena. Pulla e rezidentit nuk te siguron parkimin prane shtepise tende por te mundeson vetem qe te mos marresh gjobe kur parkon tek shtepia qe jeton prej 50 vitesh. Mendoni se lali Erit i plasi trapi per ju?

  4. Predatori says:

    Më në fund një lajm për shqetësinin dhe të mirën e qytetarëve. Trafiku dhe parkimi në Tiranë janë bërë gangrenë. Para ca ditësh parkova nga xhamllëku dhe pagova tarifën me telefon. U ktheva pas 45 min dhe gjeta gjobën te xhami. Mora një nr tel të bashkisë që gjeta në internet. Më thane të beja ankese nepermjet nje aplikacioni. Ishte e pamundur sepse nuk ekzistonte si opsion. Fola prapë. Më thanë ta pagoja një herë gjobën dhe pastaj me mandatin e pagesës të shkoja te policia bashkiake. E pagova, por atje më thanë të shikoja te bashkia. Shkova te bashkia. Isha i 42 në rradhë. Për 30 min hyne brenda 5-6 veta. Sipas llogarive më binte rradha pas nja 6-7 orësh. Përveç lodhjes duhej të merrja parasysh dhe rrezikun nga Covid, kështu që ika fare por e keqja nuk më dilte me Erjon motërqir Velinë dhe gjithë bimbashët e tij. Është i vetmi vend në bote që paguan dhe tarife parkimi dhe gjobë dhe mbasi humbet dhe një dite të tërë dyerve të një administrate totalisht të paaftë nuk gjen kurrfare zgjidhje. Ky vend nuk ka për t’u bërë kurrë.

  5. Www says:

    BIRN Selman i nënës…
    Në se atë tipin e paskan çuar banir në Yzberish, për këtë po, duhej bërë investigim, por BIRN Selmani i nënës e përdir për ilustrim të një artikulli pa vlerë.
    Në se shkelin rregullat, njrëzit gjobiten dhe në se janë rritur gjobat, dmth janë rritur shkeljet.
    Ka ndonjë rast kur është vensisur gkoba me pa të drejtë?
    IRN Selman i nënës…

  6. LANi says:

    Bashkia e ka qelbur marredhenien me shume njerez. Jemi super te irrituar ne qe banijme ne pallatet e vjetra e qe s’na e mban xhepi te paguajme qirane e parkingjeve. Shikon rrugeve lloj tabelash me ndalim parkimi e qarkullmi qe levizin sipas shijeve te nje banori “te forte”. Edhe kur e ke karten e rezidentit nuk arrin perseri te gjesh vend parkimi ndaj detyrohesh te shkosh ca me larg te parkosh ku ta qendis pastaj gjo en polici se s’je rezident i asaj zone. Sigurusht qe njoh e vleresoj shume pune te mira te bashkise por nuk pranoj dhe refuzoj me vete vendimet qe atje merren pa studiuar nevojat e problemet e komunitetit si ne kete rast me parkimin. Une jam banor ne rrugen “Budi” dhe e heq çdo ditë mbi vete problemin e veshtiresise ne parkim

  7. Alban says:

    Nje teme e sakte. Jetojme tek Siri Kodra tek nje pallat i ri i ndertuar nga firma kontakt. E parkonim makinen ne nje rrugice anash, e cila ka shume hapesire, dhe pak trafik, kur pronari i pallatit nuk i shiste dot parkimet dhe merret vesh me te bashkise qe ta bllokonin rrugen per parkime. Ne nuk e dimin kete, kur fillojne gjobat. thjeshte kishin vene tabele naten qe as e kishim pare.

    Me kishin vene gjobe ne 8 e gjysem te darkes dhe ne te nesermen prape ne 7 te mengjesit. Keto mi tha pronari i nje biznesi kur zbrita poshte te hyja ne makine.

    Mua me dy gjoba me iken 3 dite pune. Po femiejt me ca do i ushqejme, po kredine me ca ta pagujame? Po drita uje etj? A kane zot? une vend parkim ne pallat me nga 10 mije euro nuk blejme dot.

  8. Lalka Erjonka says:

    Sa punon ky lalka Erioni i vogel..
    Mbasi në vazhdim të kryetarit të vetë paraardhësit Edit.
    E betonuan Tiranën dhe nuk lanë më hapesira fare.
    Mbasi me një ç’organizim të organizuar urban e centralizuan qytetin dhe rriten dendësinë tmerrësisht në 25 km².
    Vendosin tarrifa si me qenë në Zvicër apo vendet e Benelux.
    Tani dhe dhjetë fishimet apriori të gjobave..
    Ndërtojnë tre parkime monopol me nga 2$ /h .
    E vërtetë që ishte kaos por këta shkojnë nga ekstremi në ekstrem…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje