Amir Rrahmani pritej të ishte një element shumë i rëndësishëm për Napolin e këtij sezoni, duke qenë se në sezonin e kaluar të kaltrit këmbëngulën për ta pasur në skuadër.
Madje, transferimin e tij nga Verona e mbyllën që në muajin janar për shumën e 14 milionë eurove, një shifër e konsiderueshme. Mirëpo, në ndeshjet e para të sezonit, ish-mbrojtësi i Partizanit nuk ka qenë asnjëherë një alternativë për trajnerin Xhenaro Gatuzo, i cili nuk i ka dhënë mundësinë e debutimit.
Mbrojtësi është i vetmi te Napoli, së bashku me Milik dhe Lorente të cilët nuk kanë marrë asnjë minutë. Megjithatë, dy sulmuesit janë jashtë projektit të klubit dhe është e kuptueshme të mos aktivizohen, ndryshe nga sa ndodh në rastin e Rrahmanit.
Kështu, një nga mediat më prestigjioze në Itali siç është “Gazzeta Dello Sport” ngre pyetjen se “Ku ka përfunduar Rrahmani”. Megjithatë, sipas tyre, mundësia e Rrahmanit për të treguar vlerat me Napolin mund të vijë ditën e sotme në Europa League, ku napoletanët luajnë në transfertën kroate ndaj Rijekës.