Cinizmi dhe diversioni s’mund të jenë strategji afatgjata

11 Nëntor 2020, 18:30Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Ideologjitë janë një rudiment i shekullit të 20-të. Këtë refren e dëgjon shpesh pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe rënies së perëndorisë komuniste në fundin e viteve ’80. Për vetë vetë ish-komuniste kjo devizë ka tingëlluar veçanërisht mikluese, aq sa klasa politike që ka marrë pushtetin pas dinosaurëve të socializmit, e ka pasur këtë kriter si një busull të vërtetë në ushtrimin e pushtetit.

Kemi pasur dhe kemi një parti “të djathtë” e cila shante 23 vjet komunizmin, duke pasur kryetar një anëtar të thekur të Partisë së Punës. Kemi pasur një Parti Socialiste (ish-komuniste) që ka zbatuar pikë për pikë politikat monetariste të FMN e Bankës Botërore, apo që ndërtoi gjatë qeverisjes së saj ngehina të memories si Shtëpinë e Gjetheve apo aplikoi variante të ligjeve të lustracionit. Dy partitë mëdha, e më pas edhe LSI, kanë trafikuar mes tyre në këto 30 vite figura politike të të gjitha peshave e bindjeve politike, të cilët përfshihen në skema e kalkulime të momentit, duke tejkaluar teserat, qëndrimet publike dhe rreshtimet ideologjike.

Këto orë Edi Rama ka rekrutuar në qeveri një ish-sekretar të sipërmarrjes në Partinë Demokratike. Jo të PD-së së Berishës, nga ata që sot po krijojnë parti të reja brenda të djathtës, por një sekretar të PD-së së Lulzim Bashës dhe ndër këshilltarët e tij më të afërt.

Me këtë lëvizje të papritur, Rama ka mundësinë të qeshë me vete në një cep të skenës, teksa sheh habinë, surprizën dhe kaosin që shkakton ky akt në dy anët e gardhit politik të Tiranës. Ashtu siç ka mundësinë të japë një sinjal të kriptuar në drejtim të popullarizimit edhe më të madh të thashethemit kombëtar të qeverisë PS-PD pas 25 prillit. Një pëshpërimë acaruese që ka çuar në kulm inatet e Ilir Metës, por ka sjellë edhe pështjellim brenda vetë PD e militantëve të opozitës, të cilët parandjejnë një kompromis të ngjashëm me atë të Çadrës së vitit 2017. Prej nga, siç dihet, PD doli si rruar qethur.

Edhe nëse shihet kështu, kjo lëvizje e Ramës mbetet e pashpjegueshme dhe e panevojshme në sytë e të dyja palëve. Të socialistëve, të cilët shohin të topitur lehtësinë me të cilën një zyrtar i lartë i opozitës ulet në poltronat e qeverisë. Por edhe të demokratëve, të cilët kuptojnë se nëse je me PD, por del e bën një sherr televiziv me kryetaren e LSI, bëhesh papritur i pranueshëm për qeverinë e kundërshtarit.

Ky ngatërrim valësh sjell amulli në vend të stabilitetit. Kjo është diçka e parashikueshme lehtësisht që tani, pasi për të pasur paqe politike e sociale afatgjatë, në vend të desantimit të demokratëve si zv.ministra në qeverinë socialiste, do të ishte më mirë një marrëveshje e hapur Rama-Basha, ku këta të fundit të ishin qoftë edhe ministra, por me tagrin dhe mandatin e partisë së tyre.

Besart Kadia është një opozitar i ri që preferoi të mos bëhet i vjetër në rrugën e nisur. Ndoshta ishte më i dobishëm dhe me influencë si opozitar ose si analist ekonomik në mediat e Tiranës, sesa si zv.ministri i një qeverie të cilës i kanë mbetur edhe katër muaj jetë, por kjo është zgjedhja e tij. Aq më tepër, kur mundësitë janë të mëdha që ky emërim i tij të ketë qenë jo fillesa e një karriere të re politike, por thjesht një diversiv nga ata që Edi Rama ka mësuar t’i luajë me mjeshtëri 20 vitet e fundit.

Cilado qoftë arsyeja, mbetet në gojë shija e hidhur e rrëzimit artificial të çdo barriere normale që duhet të egzistojë mes dy partive më të mëdha të vendit, si bartëse të dy koncepteve parimisht të ndryshme për organizimin dhe drejtimin e punëve në këtë vend. Cinizmi dhe diversioni nuk mund të jetë strategji të vetme dhe afatgjata. Jo çdo lëvizje bëhet për hir të efektit surprizë që krijon. Përndryshe do ja vlente më mirë një numër cirku, sesa një emërim zv.ministri.

4 komente në “Cinizmi dhe diversioni s’mund të jenë strategji afatgjata”

  1. Llaman says:

    Nqs nje ekonomist i njohur si staf i i kshilletareve ekonomike te PD emerohet si zv/minister ne qeverine ne fuqi, kjo dmth se PS i vlereson zeriozisht politikat ekonomike te PD qe mbeshtet ky person, prandaj ketu nuk mund te konsiderojme se ka as diversion as cinizem sic predikon analisti bardhe-e zi. Marrja e pushtetit lidhet pikerisht me aplikimin e politikave ekonomike dhe jo me shkembimin e karrikeve.

  2. albi says:

    shqiptaret jane ende shume axhami ne politike, dhe akoma vazhdojne arsyetojne se kush ja futi shokut e kush doli rruar qethur. jo po marreveshja e 2017 jopo ps-pd.
    Ore, qe ta kuptoni, qe te qeverisesh duhet te kesh numrat. eshte kaq e thjeshte.
    Rama nuk ja futi Bashes ne 2017. Pakti ishte, pas zgjedhjeve, nqse asnje s’eshte shumice qeverisim bashke. PS mori 74, nuk ishte e nevojshme qeverisja me PD.
    Edhe tani, ky muhabet eshte. A i ben dot 71 deputete PS? Nqse po, per aq sa do kete mundesi, do qeverise e vetme. Kur ti mungojne numrat, do qeverise me nje force tjeter qe e lejon te arrije numrat dhe objektivat qe ka. Dhe kjo ka shume mundesi te jete PD, sic ndodh ne shume vende te tjera. Mund te rrudhni turinjte sa te doni, po politikeberja eshte te pranosh idete e te tjereve, qe perfaqesojne gjysmen tjeter te popullsise, e te gjesh kompromis me ta.
    kjo eshte politika, jo muhabete tifozlliku futbolli. Nqse dikush futet ne politike, futet qe te kete mundesine te aplikoje idete e veta, dhe per kete duhet pushteti. Mund te besh fjalime te bukura sa te duash, po nuk ishe gati per kompromise, vetem do lehesh ne opozite e sdo kesh shans te aplikosh idete e tua.
    Kjo ishte edhe arsyeja e marreveshjes me Meten ne 2013. Njerezit bejne gerr-gerr kot, pse beri marreveshje. Ore Edi kishte ne mend te aplikonte idete e tij. E kishte te qarte qe pa Meten nuk i afrohej pushtetit, dhe cdo gje do ngelte ne leter. prandaj beri marreveshje dhe u be KM. Kaq e thjeshte eshte. Nqse do te vazhdosh me tezat e moralit, duhet gjetur profesion tjeter, sepse politika nuk ka vend per moral. Politika ka te beje me sa je i gatshem te shtysh perpara idete e tua.
    te tjerat jane muhabete kafeneje.

  3. besi says:

    Fjala amulli ka kuptimin stanjacion. Ka disa kohe qe po perdoret gabimisht me kuptimin rremuje. Amulli vjen nga amull, uje i amullt, i ndenjur. Pra amulli do te thote gjendje e mbetur ne vend, e palevizshme Jo gjendje e rremujshme.

  4. Velo says:

    Unë nuk e vë në dyshim që ai djali mund të jet specialist i mirë. Gjithsesi më vjen keq që nuk vendoset në atë detyrë një spcialist gjithashtu i mirë por që për vite të tëra ka kontribuar për PS. Kjo më shumë bëhet për show, si rasti i ministres së arsimit, apo atij të jadhtëm. Nuk tingëllon mirë për socialistët kjo, është pak zhgënjyese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje