Bota duhet ta dijë çfarë kanë bërë shqiptarët

30 Janar 2021, 09:41Kulturë TEMA
Bota duhet ta dijë çfarë kanë bërë

Bisedë me kryetaren e komunitetit shqiptaro-hebre në Izrael, znj. Felicita Jakoel

Në Muzeum në Izrael kuptova madhështinë e asaj që kishte ndodhur në Shqiperinë e vogël. Brenda vetes u ndjeva krenare! Por stendat e muzeumit heshtnin e nuk e tregonin këtë. Ky fakt ishte fare i panjohur për botën e lirë dhe për Izraelin në veçanti. Aty realizova thellë shqetësimin e babait … “Bota duhet ta dijë”!  Jakoe

Zonja Jakoel le të bisedojmë për fëmijërinë tuaj, si e keni përjetuar atë

Unë kam lindur në Tiranë, nga dy prindër të cilët e donin dhe respektonin njëri tjetrin Prindërit e mi ishin Josef dhe Aliki Jakoel. Ata ishin njohur që të vegjël kur bënin studimet në Korfuz të Greqisë. Babai studionte në Institutin tregëtar italian dhe mamaja në shkollën franceze të të njejtit qytet. Kultura, mentaliteti i përbashket, sfondi i ngjashëm i edukimit si dhe miqësia e sinqerte që kishin do të ishte baza për nje martesë të shëndoshe. Ishin të ndryshëm nga karakteri, por shumë shpejt kuptuan dhe ndjenë se një dashuri e madhe do t’i lidhte për gjithe jeten.  Kështu unë dhe ime motër, Ksenia u rritëm në një mjedis të ngrohtë, plot dashuri e humor.

Çfarë do të kujtonit më shumë në periudhën e fëmijërisë? Cila është historia e prindërve tuaj pasi ata kanë qenë të mbijetuarit nga Holokausti?

Babai quhej Josef por të gjithë e njihnin me shkurtimin Cefi. Ai lindi në Vlorë me 1922 në një familje me origjinë hebraike. Hebrenjtë ishin vendosur në Vlorë qysh nga mesi i shek të XIX-të dhe origjina e shumicës së tyre ishte nga Janina në Greqi.  Ata kishin  marrëdhenie të shkëlqyera me banorët e Vlorës së asaj kohe.

Të ishe bijë e Cefit ishte diçka e bukur dhe e ndërlikuar njëkohësisht. Nga njëra anë ai të rrethonte me dashuri, ngrohtësi e humor dhe nga ana tjetër ishte kërkues e serioz për sa i përket studimit. Ai të vinte para përgjegjësisë që në moshë fare të re, ndoshta kjo si rezultat i asaj që ka ndodhur historikisht me hebrenjtë që studimi dhe zotësia ishin mjeti më i rëndësishëm për mbijetesë në çdo rrethanë. Kështu që në moshë të re në studiuam piano dhe violinë, gjuhë te huaja dhe sipas babait duhej mesuar cdo gje tjeter praktike qe mund te na hynte ne pune ne cfarëdo situate në jetë.

Si fëmijë e më pas, mbajmë mend që na kushtonte shumë kohë. Fliste me ne për tema nga më të larmishmet dhe nuk mbaj mënd të kemi folur për ndonjë argument e ta gjeje të papërgatitur. Në fakt të jetoje me të ishte sikur të jetoje me një enciklopedi të gjallë, me dijen pranë vetes në çdo kohë e në çdo fushë.

Nga ana tjetër fëmijeria jonë ishte e mbushur me gëzime që më duket se femijet e soëtm i njohin më pak. Kujtoj me nostalgji shtyllen e drunjtë të elektrikut të rrugës ngjitur me shtëpinë tonë. Ajo shtyllë e vjetër ishte qendra e cdo aktiviteti qe nga kukamcefti e deri tek loja luftash apo me cingla. Sa emocione, sa të thirrura dhe sa sekrete fëminore jane thenë nën ate shtyllë te shtrenjtë e më pas me mamatë që dilnin në dritare na thërrisnin të hynim brenda se na prisnin detyrat e shtëpisë, studimi ne piano apo violinë.

Të ishe bijë e Cefit dhe e Alikit do të thoshte në rradhë të parë të jetoje një “jetë të dyfishtë”, të dije mirë që në moshë fare të re çfarë duhet thënë jashtë e çfarë ishin bisedat brenda katër mureve të shtëpisë. Ai, së bashku me mamanë, na bënë të ishim të vetëdijëshme që në moshë fare të re, për faktin se jetonim nën një diktaturë ku shtypeshin të drejtat e njeriut dhe fjala e lirë, në një shoqëri ku mbretëronte frika dhe terrori.

Por kjo nuk e stepi që brenda intimitetit të familjes të jetonim një realitet krejt të ndryshëm nga ai që na rrethonte. Më vonë, kur u rrita, e pyeta se si e kishte marrë përgjegjësinë e rëndë që në një nga diktaturat më të egra që ekzistonin tu fliste fëmijve në moshë kaq të njomë për të vërtetën e tij, për lirinë e fjalës dhe mendimit. Përgjigja ishte shumë e shkurtër : “Nuk desha të rris brënda mureve të familjes sime dy skllevër, dy të verbër !”

Cila është historia e prindërve tuaj pasi ata kanë qenë të mbijetuarit nga Holokausti?

Ndonjëherë, pas pune, ai kthehej në shtëpi i shoqëruar nga një mik. Quhej Shyqyri Myrto. Ishte një burrë i dobët me gjyslyke, shumë i sjellshem, e që kuptohej menjëherë që të dy prindërit e mi kishin për të një dashuri dhe respekt të veçantë. Për ne ishte xhaxhi Shyqyriu, «bab Cyli», i cili vinte nga Durrësi, të cilit ne i hidheshim në krahë ta përqafonim fort. Shpesh na tregonte se si në kohën që gjermanët kishin pushtuar Shqiperinë dhe rreziku që u kërcënohej hebrenjve u rrit shumë, Cefi, së bashku me motrën e tij Eriketa (Keti), vendosën të ikin nga Vlora. Fëmijët e tjerë të familjes u strehuan në shtëpinë e Qamil Xhyherit një nga personat me më influencë të Vlorës së asaj kohe.

Në fillim Cefi dhe Keti gjetën strehim në Tiranë dhe më vonë, kur gjendja u bë akoma më e rrezikshme dhe gjermanët po kërkonin me këmbëngulje hebrenjtë, motër e vëlla ikën nga Tirana dhe u fshehën pranë familjes së mikut të tij Shyqyri Myrto në Kavajë. Megjithë rrezikun e madh që i kërcënohej gjithë familjes së tyre të madhe, prindërit e tij hapën dyert e shtëpisë dhe të zemrës. Ata jetuan të fshehur pranë kësaj familjeje deri kur gjermanët u shporrën nga vendi. Në sajë të ndihmës, vetëmohimit dhe guximit të këtyre njerëzve të mirë Josefi dhe e motra, Eriketa, mundën të mbijetonin dhe të ktheheshin pranë familjes së tyre.

Kur je e vogël këto tregime të duken si libër me aventura, aq më tepër që kjo histori mbaroi me një “fund të lumtur” dhe që në fund të fundit është e qartë për të gjithë se miku duhet ndihmuar, por me kalimin e viteve e duke u rritur, përmasat e kësaj vepre bëheshin gjithmonë më të qarta dhe më të jashtëzakonshme.

Kur shkelët për herë të parë në Izrael?

Në 1990, pas rënies së murit të Berlinit e me erërat e reja që po frynin në Europën Lindore, për herë të parë në jetën time u pajisa me pasaportë dhe m’u dha mundësia të udhëtoj jashtë vendit. Ky qe një rast i rrallë që më në fund do të mundja të shihja botën jashtë Shqipërisë, atë botë që e kishim parë vetëm nëpërmjet ekranit të televizionit italian qe ishte dritarja jone drejt botes se largme. Kete rast une e shfrytëzova gjithashtu për të vizituar në mënyrë sekrete Izraelin. Në atë periudhë nuk egzistonin marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve dhe për më shumë Izraeli konsiderohej nga rregjimi totalitar i Tiranës si një nga vendet më reaksionare të botës. Izraeli paraqitej si xhandar i USA-s në Lindjen e meseme etj etj.

Në atë vizitë të parë, sekrete e të paharruar që bëra në Izrael, ndër të tjera në Jeruzalem vizitova Institutin dhe Muzeun e Holokaustit të quajtur” Yad VaShem”

(«Në kujtim të një emri”)

Aty kuptova më thellë ato që babai na kishte treguar e shpjeguar kaq herë. Kuptova aktin e jashtëzakonshëm dhe heroik, humanizmin, mikpritjen dhe dashurinë e një populli të tërë, të pasur e të varfër, intelektualë e anëtarë të qeverisë apo njerëz fare të thjeshtë, myslimanë e të krishterë, qytetarë apo fshatarë. Kuptova atë dritë shprese e mirësie që ndriti sado pak në periudhën e errësirës së thellë europiane të Luftës së Dytë Botërore. Para stendave të muzeut, aty ku shiheshin tmerret e papërshkrueshme që kishin kaluar hebrenjtë, aty ku tregoheshin ingranazhet e pamëshirshme të makinës së genocidit nazist të planifikuara për shfarosjen në masë të një populli të tërë, aty kuptova madhështinë e asaj që kishte ndodhur në Shqiperinë e vogël.

Brenda vetes u ndjeva krenare!

Por stendat e muzeumit heshtnin e nuk e tregonin këtë. Ky fakt ishte fare i panjohur për botën e lirë dhe për Izraelin në veçanti.

Aty realizova thellë shqetësimin e babait … “Bota duhet ta dijë”!

Babai më kishte pregatitur një listë me emrat e shqiptarëve që kishin strehuar hebrenj të Shqipërisë si edhe të ardhur nga vende të ndryshme të Europës, listë të cilën ua dorëzova autoriteteve të Jad VaShemit gjatë asaj vizite të paharruar.

Ky do të ishte edhe fillimi i procesit të njohjes dhe dhënies së titullit “Fisnikë mes Popujve” shqiptarëve që kishin strehuar e shpëtuar hebrenj. Ky do të ishte gjithashtu edhe fillimi i procesit të njohjes nga bota të atij akti të jashtëzakonshëm që kishte ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ky do të ishte edhe realizimi mirënjohjes së tij!

Cila ishte jeta juaj nën diktaturë?

Gjatë gjithë jetës ai e ruajti këtë mirënjohje të thellë dhe nuk e humbi edhe kur pas luftës regjimi komunist i sapovendosur i përmbysi jetën atij dhe gjithë familjes së tij. Nuk e humbi mirënjohjen ndaj shqiptareve të mirë edhe kur diktatura, si familje e pasur që ishin, i xhveshi nga çdo pronë materiale, kur të jatin Rafael Jakoel, një tregëtar i aftë e i ndershëm e burgosën pa asnjë arësye dhe familja për disa vite rresht nuk dinte gjë për fatin e tij. Me gjithë veshtirësitë e panumërta vazhdoi të kontribuojë me të gjitha energjitë e tij!

Vetëm një herë e pashë të thyhej… kur na u mohua e drejta e studimit. Kishim “biografi të keqe”! Gjyshi, Rafael Jakoel, duke qenë se ishte i pasur para lufte ishte shpallur “kapitalist”! Ishte fundi i viteve ’70-te, diktatura kishte arritur një nga kulmet e saj dhe për të disatën herë dyert e Akademisë së Arteve, të ëndrrës sime për të vazhduar studimin e pianos dhe muzikës, dyert e dijes, që për të ishte thelbi i jetës, na u mbyllën mua dhe motrës time. Ëndrra për t’u bërë pianiste u ndërpre nga labirinthet e burokracisë totalitare-kafkiane të ushqyera nga një ideologji e nga njerëz të dështuar. Kjo ishte një goditje e madhe që ai dhe mamaja e vuajtën shumë, por ata nuk rreshtën se luftuari që të na shihnin të diplomuara.

Cili është edukimi juaj në Shqipëri? 

Më vonë unë do të diplomohem për Gjuhë Letërsi në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Me ardhjen në Izrael studiova dhe u diplomova në Shkollën e turizmit.

Si bashkëpunoni me ish kongresistin Joe Di Guardi i cili është i pari së bashku me kongresistin Tom Lantos pas vitit 1990 drejtues i komisionit për të drejtat e Njeriut në Kongresin Amerikan të cilët vizituan Shqipërinë?  Ata e ndërkombëtarizuan se çdo Hebre që shkeli në tokën shqiptare gjatë pushtimit nazist i shpëtoi holokaustit.

Pak para ardhjes sonë në Izrael, me 1990, babai, Josef Jakoel dhe Refik Veseli , i pari ” Fisnik mes Popujsh” shqiptar që u njoh nga Jad Vashemi, themeluan shoqatën e Miqësisë Shqipëri- Izrael e cila  është aktive deri më sot.  Pikërisht ne atë periudhe babai u njoh edhe me kongresistin Joe Dio Guardi i cili së bashku me kongresistin Tom Lantosh (ai vet një i mbijetuar i Holokaustit) dhe u bëi të ditur për atë akt të jashtëzakonshëm që kishte ndodhur ne Shqipëri.

Ata arritën të marrin në dorëzim nga arkivat shtetërore nje listë të hebrenjve që u shpëtuan nëShqipëri të cilën e dorëzuan ne Muzeumin e Holokaustit ne Jeruzalem. Keshtu per here te pare u nderkombetarizua ajo”epope” me fjalet e tim eti, ai mësim i madh guximi moral që Shqiperia e vogël dhe e” prapambetur” u dha kombeve të ”ndricuara” të Europës.

Ju jeni kryetare e Komunitetit Shqiptaro-Hebre në Izrael, si ka funksionuar deri tani dhe cilat janë disa nga projektet tuaja midis dy vendeve miq?

Sapo erdhëm në Izrael më 1991, babai dhe anëtarët e tjerë të komunitetit ngritën organizatën e “Hebrenjve nga Shqiperia” që sot eshtë organizata e Miqësise Izrael- Shqipëri dhe objektivi ynë kryesor është forcimi i marrëdhënieve midis dy popujve e dy vendeve duke venë në pah gjithnjë marrëdhëniet historike të jashtëzakonshme midis shqiptarëve dhe hebrenjve Jemi gjithashtu në marrëdhënie me ata hebrenj ose familjet e tyre që jetuan e shpëtuan në Shqipëri. Fatkeqësisht izolimi gati 50 vjecar i Shqipërisë beri të pamundur mbajtjen  e kontakteve për një kohë shumë të gjatë dhe shumë, shumë prej tyre nuk janë më në jetë. Megjithatë janë shkruar libra me kujtime dhe bërë disa filma dokumentarë që perjetesojnë këtëfenomen te rrallë të shpetimit të hebrenjve në Shqiperi.

Vjet në Izrael u mbajt Forumi Ndërkombëtar i Holokaustit në përkujtim të 75-të vjetorit të çlirimit të Aushvicit-Birkenau.  Çfarë vendi zinte Shqipëria në këtë Forum ndërkombëtar?

Vjet u mbajt në Izrael Forumi Ndërkobmbëtar i Holokaustit,nje event i rrallë  ku morën pjesë udheheqesit nga ate gjitha vendet e botës. Sigurisht që Shqipëria zinte vendin e nderit …Sa vende mund te krenohen se të gjithë hebrenjte vendas dhe te ardhur nga te katër anët e Europës u shpëtuan? Presidenti i Shqiperise Ilir Meta u prit personalisht nga presidenti i Izraeli Reuven Rivlin i cili i shprehu edhe një herë personalisht mirënjohjen dhe admirimin për popullin shqiptar.

Sapo ka dalë libri “Izraelitët në Shqipëri” botimet “Çabej” shkruar nga ati juaj Jozef Jakoel në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit si ndiheni për këtë botim dhe më konkretisht cilët janë personazhet kryesor?  Po në Anglisht është botuar?

“Izraelitët në Shqipëri” i shkruar në 1990, është libri i parë për historinë e komunitetit hebre tëShqipërisë dhe gjithashtu është shkruar nga një hebre vlonjat,lindur e rritur në Vlorë që ngjarjet e treguara i ka jetuar e vuajtur në lëkurën e tij . Kjo është nje deshmi e dorës së parë ku përshkruhet jeta e komunitetit, zakonet, ritet, feja, festat gjithcka qe e ka berë popullin hebre, edhe pse të shpërndarë nëpër botë 2000 vjet rrjesht, të ruajë identitetin e tij të vecantë.

Për mua personalisht ishte përmbushja e ëndrrës, realizimi i amaneteti te tij se” bota duhet ta dije”.  Me këtë rast dua të falenderoj Agron Alibalin për ndihmën a pakursyer në pëegatitjen për botim si edhe Brikena Cabej që e pëegatiti për shtyp dhe që me profesionalizëm dhe dashuri bëri te mundur realizimen e këtij projekti. Projekti i ardhshëm do te jetë botimi në italisht i përkthyer nga vet autori si edhe përkthimi e botimi në anglisht.

Libri doli në shtyp me 27 Janar të ketij viti, në ditën ndërkombetare përkujtimore të Holokaustit dhe pikërisht ne kete dite u firmos mënë fund marrevshja midis Ministrise se Kultures, Këshillit Kombetar të Muzeumeve dhe Bashkise së Vlores per fillimin e punimeve per krijimin e muzeumit hebraik në Vlorë. Një përkim i bukur dhe kuptimlote! Besoj se ky libër do të jete një bazë e rendësishme dhe do të kontribuojë në hartimin e përmbajtjes së muzeumit.

Jemi në kohën e pandemisë botërore, si është gjendja e komunitetit shqiptaro hebre në Izrael?  Po me vaksinimin si jeni pasi kam lexuar që Izraeli i ka marrë masat më parë nga gjithë shtetet e botës?

Deri tani në Izrael janë vaksinuar me vaksinën e dytë 25% e popullsisë .Vaksina më e përdorur këtu është ajo e shoqërisë Pfizer. Gjendja e komunitetit është mjaft mirë.Deri tani nuk kemi patur asnjë të prekur nga Covid 19.Të gjithë personat mbi 60 janë tashmë të vaksinuar edhe me vaksinen e dytë dhe presim që edhe më të rinjtë tëvaksinohen. Edhe pse të vaksinuar, mundohemi te gjithe të respektojme rregullat e vëna nga Ministria e Shëndetësise.

Komuniteti shqiptar në  Izrael konsiderohet si një nga më të sukseshmin për sa i përket absorbimit te tij në shoqëri.  Krenaria jonë kuptohet qe janë te rinjte, fëmijët tanë të cilët mbi 90 e ca përqind kanë mbaruar universitetin, punojnë në shuma fusha të rëndesishme, shërbejnë në ushtrinë e vendit me detyra të ndryshme dhe janë pjesë organike e zhvillimit të vendit.

Së fundi cila është familja juaj dhe sa ka ndikuar kultura dhe tradita shqiptare në familjen tuaj si hebrenj?

Im shoq quhet Jehuda dhe familja e tij jeton prej 8 brezash në Izrael. Ai ishte shume kurjoz dhe interesuar për Shqiperine dhe kështu u njohëm. Është nga ata persona jo të pakët që “”ra në dashuri” me Shqipërinë dhe shqiptarët që në momentin e parë. Ai ka mësuar dhe flet pak shqip ndërsa vajza që vazhdon studimet për inxhinjeri industrial e që quhet Shirli, flet dhe kupton mjaft  mirë shqip. Ajo shpesh më thotë:”Sa mire mami që kemi këtë gjuhën tonë të vecantë për të thënë sekrete pa patur frikë se na kuptojnë të tjeret!!!! Si familje dhe si komunitet ne festojmë çdo vit festën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe jemi të lidhur me njeri tjetrin me qindra fije familjare dhe miqësore.

*Autorja e intervistës është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e shkollave shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

Bisedoi Kozeta Zylo

20 komente në “Bota duhet ta dijë çfarë kanë bërë shqiptarët”

  1. Bravo says:

    Shume interesant kjo histori! Bravo qe kujotini dhe keni mirnjohje per Shqiperine!

    1. Pordhe me rigone.... says:

      Te besosh apo pretendosh se muslims shqipfoles “ndihmuan” evreet eshte Cmenduri!!!

  2. Zaho says:

    Suksese kudo qe jeni ,kam njohur hebrenj ne Vlore me mbiemer Koreta,njerez me te mire nuk behen,intelektual ,te edukuar ,te dashur dhe korrekt

  3. Rrespekt te gjitheve juve.
    Beni shume mire qe kte Vlere ta Rreklamoni e zhvilloni me tej ,
    per ti treguar Botes e njerezimit se cdo te thote Njeri !!!!!!!!!!!!!

  4. Shenjestra says:

    Jame dakord me te gjitha sa u than ne kete shkrim shume te mire per hebrenjet.Respekt per henrenjet. Por me le pershtypje vetem nje diçka qe po e them. Eshte per t’u çuditur,Enver Hoxha me qeverine e tij te asaj kohe dha nje ndihmes shume te madhe,njerezore me çamet dhe Hebrenjet,duke i shpetuar nga kthetrat e genocidit grek dhe holokausti,e persekutimi gjerman.Nga te dy keto lloj kombi (çam-Hebrej) shahet,dhe hidhet poshte si nje gje pavlere,sikur nuk ka bere asgje dhe kur vjen puna meritat na i mere sot Ilir Meta i cili ka mare pjese ne samit.Kesaj i thon te mohosh buken dhe te permbysesh kupen qe ke ngrene te miku.Hodha lumin e te dhjefsha kalin.

    1. Miti says:

      Enveri nuk beri asgje per hebrenjte, se kur nazistet i perndiqnin Enveri fshihej maleve per vete. Keshtuqe mos i ngaterro gjerat. Per shqiptaret e çamerise beri ate qe do bente çdo qeveri shqiptare, i strehoi.

      1. REALE says:

        Edhe sot mosmirenjohja eshte norme e skalitur ne dyerte e padrejtesise, prandaj shume ketu ne komente por dhe jashte e mohojne pa ditur te verteten, vetem per te ftohur epshin e tyre te mosemirenjohjes. Portofoli tyre, por une jam dakort me “shinjestra” plotesisht. Enver Hoxha u dha çameve dhe hebrebjeve vendet me te mira i mbrojti nga kasapana greke dhe gjermane, por mbi te gjitha pakenaqesia duhej te qendronte tek mua dhe jo tek ata: u dha bregdetin, banim dhe toka qe une i kerkova dhe s’e merrja dot. U dha shkolle, pune dhe nenshtetesi shqiptare. Do thote dikush qe u denuan ca! Njesoj si une dhe tjeret; para ligjit te barabarte me ate barazi qe ishte ne ate sistem. Prandaj keta, ne menyre te veçante çamet dolen te pa bese e si duket s’ka dale kot ky llaf. Por te pa bese dolen dhe nje pjese e komunisteve te Enver Hoxhes…. dhe i shikojme sot atje ku s’e meritojne. Kjo bote keshtu eshte, e pa sinqerte, seicili per vete, zoti per te gjithe, por me qense zoti eshte ne vend te tij, njerezit jane kthyer ne homofage, per te mos thene kanibale. E keqja e madhe qendron se keta qe flasin s’dine asgje te vertete se s’e kane jetuar por u a kane vene ne dispozicion “komunistet” dhe ata qe moren thaset me para. Kalofshi nje mbremje te mire sonte!

  5. Velo says:

    Historia e sjelljes së popullit Shqiptar për mikpritjen dhe mbrojtjen e Hebrejve gjat luftës së dytë botërore, veç të tjerash tregon instinktin human që ka egzistuar brenda popullit tonë. Ne jemi popull human, pavarësisht keqkuptimeve dhe incidenteve të tranzicionit.

  6. Niku says:

    Brockulla me brire dhe pordhe shqiptare…. Ata (pak) hebrenj qe u shpetuan ne Shqiperine “fashiste te Musolinit” dhe me vone hysmeqare te Rajhut te Trete, shqipot e bene per verdhushkat e cifuteve dhe asgje me teper…

    1. Taulant says:

      Pse flet gjepura.
      Shqiptaret mbrojten Italianet mbas 1943 qe mbeten ne Shqiperi dhe nuk i dorezuan tek Gjermanet.
      Edhe me Cifutet te njejten gje ben.
      Ndersa ne Evrope i dorezuan gratis tek Gjermanet.
      Jane fakte qe nuk mohohen.

      1. Pokeristi says:

        Te lumtë Liçi!
        E meriton plotesisht qenien shqiptaro-ebrei.
        Ne kete intervistë te çiltër e te sinqertë ku misherohen cilesi te perbashketa e te veçanta si te shqipetarëve ashtu dhe te ebrejve mbetesh mbi te gjitha zonje,ne kuptimin e thelle te kesaj fjale.

    2. ben says:

      Niku-ti duhet te jesh shoku i atij “profesorit” hajvan me zile qe nuk beson ne keto histori qe kane ndodhur vertet. Familja ime eshte njera nga ato familje shqiptare qe mbrojti hebrenjte gjate luftes dhe kurre nuk kemi kerkuar kompensime, bile as qe jemi mburrur ndonjehere per kete akt, qe eshte ne traditen e shqiptarit. Vemje si puna jote dhe atij gomarit qe e quan veten “profesor” jeni halete e Shqiperise.
      Respekte kesaj zonjes per fjalet e mirenjohjes ndaj vepres humane te shqiptareve.

  7. Predatori says:

    Njerëz të mirë!

  8. Shqipe-Free says:

    Respekt zonja Jakoel Felicita….me vjen keq qe nuk Studjove per Pjano ne ate Kohe,e kuptoj dhimbjen tuaj,sepse e kame provuar vete si Shqipetare i THjeshte akoma edhe pa qene “I deklasuar”,ose “Kulake”..por ja qe ashtu ishte Koha ,me vjen MIre qe keni Mbijetuar…
    Ne Gjermani nje Shkolle Mbane Emrin e Refik Veselit(Familjen e te cilit e njohe)…u vendose para disa Vitesh pas 2000-shit..
    Populli Shqipetare ka qene dhe do te jete gjithmone Mike me POpullin Hebre,ishte POlitika e nje Diktatori ajo qe Prodhonte nga do dhe kudo “Armiqe” te Brendshem dhe Jashtem….Zoti qofte me ju(Shalom)…

    1. Moisi Golemi says:

      Ngadalë or avdall. Kjo zonja na thënka se nuk e paska lënë sistemi të futet në Artet e Bukura, kurse nga ana tjetër, thotë që u diplomua për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Po të ishte për pengesë, përse nuk e penguan të futej edhe në Universitetin e Tiranës?? A bluani ndopak perpara se të flisni broçkulla, apo jo??

      1. Ilirjan says:

        Insituti I arteve, sic quhej atehere, nuk ishte nje shkolle dosido. Nuk ishte si te shkoje per histori, inxhinjeri e cfardo tjeter. Kishte shume, ama shuuume konkurence dhe te pakte ishin ata qe pranoheshin. Ka qene mendoj, edhe per shkak te mundesise teper te kufizuar, qe zonja ne fjale nuk ka mundur te hyje, apo nuk eshte as lejuar te konkuroje ndoshta. Nga gjithe shkolla e mesme artistike, apo lice, ishin 2- 3 osé edhe hic, qe kalonin pragun cdo vit. Nuk kishte shkolla te tjera me konkurs te tille te rrepte. Gjithsesi, duhet te ndihemi shume krenare per ate qe populli yne ka treguar, dhe shume dashuri e urimet me te mira per hebrenjte tane, sepse tanet jane, dhe Jane ambasadoret me te shkelqyer te popullit shqiptar.

  9. marku says:

    E kam patur mesuese muzike ne Lezhe,perfekte ne te gjitha aspektet ! Ishte meuesja ime me e dashur megjithese me ka rrahur me shume se te tjerat duke me bere te besoj se vertet “dajaku ka dale nga xheneti” saqe edhe sot e kesaj dite e mbaj mend me nota simfonine e nente te Bethovenit!Ruaj nje respetkt te vecante per “zysh Licin”,ajo mbetet gjithmone e bukur ne te gjitha drejtimet!

  10. Tironci says:

    Pak rendesi ka cfare flasin njeri apo tjetri, rendesi ka qe zonja ka lindur ne Shqiperi, dhe sigurisht me gjithe vuajtjet qe ka kaluar si shume nga ne, perseri e ka dashurine per vendin e ” saj”, shkruajta keshtu se per mua ajo eshte me shume Shqiptare se Izraelite, dhe kudo ku do shkoje te jetoje deri ne fund te jetes se saj, ajo gjithmone kur te kete dhimbje apo festa ne Shqip do bertasi. Do ishte shume e keshillueshme qe ne fund te jetes se saj , nje dite te kthehet ne atdhe, pra ne vlore atje ku i ka lindur koka. Me behet shume qejfi dhe respekt qe i ka mesuar edhe vajzes Shqip. A ka me bukur se kur do me share dike, sharjet ne Shqip jane me te njohurat ne bote. Nuk ka djale te ri ne gjermani qe nuk di me sha ne ship nga nona apo robt. Kur ka shajt nji shoku cunit tim ne nje ndeshje futbolli e ai osht gjysem gjermon e gjysem brazilion me ka ikur truri, jom dhi tu qesh. Keshtu edhe puna e kesaj zonjes, ve bast se goca e saj ne shqip e ben mekatin e sharjes. Paci shendet e lumturi familjare.

  11. muzikanti says:

    Kane kaluar shume vjet…Por kujtoj qe fotografine e katert e kam bere une… le ta gjeje Lici kush jam. Kisha pasion fotografine ne rinine time. Kenaqem qe ajo e ka ruajtur.

  12. Nik says:

    Zoti t’ju bekoj ju familjen dhe Israelin!Jeni populli qè keni vuajtur mè shumè nè botè ndaj persekutimeve ,edhe ne si shqiptar vijm mbas jush si histori dhe praktikèn e dhunès ndjekur ndaj nesh duke e ndar shqipèrin nè pesè pjesè.Kam miq dhe mike hebrenj nga Vlora me tè cilèt dègjohem dhe sot mbas kaq vitesh larguar.Pèrshèndetje patriote me zemèr vlore ,ju adhuroj si popull sepse mbijetuat dhe dèshmuat se tè bashkuar nuk ju thyen asnjè .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje