Fjalori dygjuhësh i termave bazë të kimisë (shqip-anglisht, anglisht-shqip)

29 Janar 2021, 12:37Kulturë TEMA

Serisë së gjatë të fjalorëve terminologjikë të gjuhës shqipe i bashkohet edhe “Fjalori i termave bazë të kimisë” (FTBK) dygjuhësh (shqip-anglisht, anglisht-shqip) me autorë Dhimitër Haxhimihali, Dritan Topi dhe Eduard Andoni, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, i vitit 2019. Ky fjalor hartuar nga një grup specialistësh të fushës së kimisë në bashkëpunim me gjuhëtarë pasqyron pasurinë leksikore të përftuar deri më sot në terminologjinë e kimisë. Qëllimi i hartimit dhe i botimit të këtij fjalori ka qenë dhënia e ndihmesës në plotësimin e detyrave themelore që dalin para çdo terminologjie, sikur edhe para terminologjisë së kimisë, siç janë: sistemimi, rregullimi, standardizimi dhe shqipërimi i saj, në përputhje me zbatimin e parimeve dhe kritereve terminologjike për hartimin e çdo fjalori të këtij lloji. E tërë kjo punë shërben për përshtatjen e mëtejshme të termave të kimisë në nomenklaturën kimike dhe me zhvillimin e gjuhës standarde shqipe për mënjanimin e përdorimit të panevojshëm të një vargu termash të huaj që vazhdojnë ende të përdoren nga specialistët e kësaj shkence.

Puna për hartimin dhe botimin e këtij fjalori është mbështetur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike mbi bazën e një projekti, të ideuar dhe të bashkërenduar nga prof. Dhimitër Haxhimihali.

Autorët prof. Dh. Haxhimihali, prof. D. Topi dhe prof. E. Andoni kanë shfrytëzuar përvojën e derisotme të përftuar në këtë fushë, të pasqyruar në radhë të parë në fjalorin “Terminologjia e kimisë” (Tiranë 1963), në “Fjalorin e kimisë” (Tiranë 1984), në “Nomenklaturën kimike” në gjuhën shqipe, I (Tiranë 1989); gjithashtu janë shfrytëzuar edhe mjaft studime të kryera nga autorë shqiptarë në fushën e terminologjisë së kimisë, si dhe një varg veprash e burimesh të tjera leksikografike që pasqyrohen në bibliografinë në fund të fjalorit përkatës. Autorët janë mbështetur, gjithashtu, në përvojën e gjatë vetjake universitare dhe akademike në shkrimin e komunikimin shkencor në fushën e kimisë. Puna e redaktorëve, sidomos e prof. Agron Duros si kryeredaktor me përvojë të gjatë në fushën e përpunimit të terminologjisë shkencore – teknike në gjuhën shqipe, ka qenë me shumë dobi për rregullimin, standardizimin dhe sistemimin e lëndës. Ndihmesë të vlefshme kanë dhënë edhe konsulenti leksikograf prof. Emil Lafe dhe sekretarja shkencore dr. Vilma Proko (Jazexhiu). Gjithashtu, autorët u janë mirënjohës recensuesëve prof. S. Durrësi dhe prof. V. Ristani për vërejtjet dhe këshillat e tyre që ndihmuan në përmirësimin e veprës.

Ky fjalor është hartuar veçanërisht me synimin për të qenë i dobishëm për specialistët e fushës së kimisë, pedagogë, mësues e studentë, si dhe specialistë të fushave të tjera, duke qenë se termat e kimisë shënojnë koncepte bazë të degëve të dijes, sikurse edhe matematika, fizika, biologjia, etj. Ky fjalor do i shërbejë gjithashtu edhe studiuesve të terminologjisë shqipe, përkthyesve të vendit e të huaj, gazetarëve, gjithë atyre që ligjërojnë e shkruajnë shqip në fushën e kimisë dhe që dëshirojnë të përdorin termat e saj në forma të standardizuara, siç paraqiten në këtë vepër.

Fjalori i termave bazë të kimisë (FTBK) (shqip-anglisht, anglisht-shqip) vjen si vijimësi e fjalorit të parë të termave të kimisë   “Terminologjia e kimisë” (FTK), i botuar në Tiranë më 1963. Ai solli një varg kontributesh të rëndësishme në shqipërimin, njësimin dhe zhvillimin e terminologjisë shqipe të kimisë, ndër të cilat mund të shënohen si më të rëndësishme, njësimi në një shkallë të kënaqshme i terminologjisë së kimisë në komunikimin e dijeve të kimisë në fushën e arsimit dhe të shkencës, si dhe prurja e një vargu të gjatë termash të rinj të krijuar me brumë të shqipes (si: tretësirë, provëz, ndajthithje, shpërthithje, etj.) tashmë të rrënjosur në përdorim, duke mënjanuar kështu nga përdorimi terma të huaj të panevojshëm (përkatësisht solucion, epruvetë, adsorbim, desorbim), etj.

Zhvillimet e vrullshme që kanë ndodhur prej më se gjysmë shekulli nga botimi i atij fjalori, kanë bërë të nevojshme që terminologjia e kimisë të përpunohet më tej në disa aspekte. Ka mjaft çështje të tejkaluara nga pikëpamja e zhvillimit të emërtesës kimike, si dhe e zhvillimit të gjuhës standarde shqipe; në FTK hasen edhe terma të vjetëruar e të dalë nga përdorimi, në disa raste edhe zgjidhje jokonsekuente. Të gjithë këta faktorë e kanë bërë të nevojshëm ndërmarrjen e hartimit të një fjalori të ri që përmban termat bazë të kimisë, të zgjeruar e të plotësuar, me synimin për një përparim të mëtejshëm në standardizimin e terminologjisë së kësaj fushe. Për këtë doli e domosdoshme që në këtë fjalor të ri, si gjuhë e huaj të merrej anglishtja, që është gjuha kryesore e komunikimit shkencor në botë edhe si gjuha standarde origjinale e botimeve të IUPAC-ut (International Union of Pure and Applied Chemistry, Bashkimi Ndërkombëtar i Kimisë së Pastër e të Zbatuar) që boton rregullat e emërtesës kimike.

Ky fjalor përmban më shumë se 7000 terma njëfjalësh e togfjalësh të përzgjedhur nga fushat e shumta të kimisë, duke marrë prej tyre ata terma që shënojnë koncepte bazë të saj dhe që gjejnë përdorim të shpeshtë në komunikimin shkencor në këtë fushë. Si gjuhë e parë në fjalor është gjuha shqipe, kurse si bazë referimi për saktësimin e kuptimit të termave është anglishtja, çka e bën FTBK të parin fjalor shqip-anglisht dhe anglisht-shqip të termave të kimisë tek ne. FTBK përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë shqip-anglisht dhe e dyta anglisht-shqip. Termat janë renditur sipas alfabeteve përkatëse. Në pjesën shqip-anglisht termat shqip paraqiten me shkronja të zeza të drejta (bëjnë përjashtim grupet funksionale, rrënjoret dhe parashtesat shumëzuese që jepen me kursive për t’i dalluar si të tillë), kurse ata anglisht – shkronja të zeza kursive; në rastet kur është quajtur e nevojshme, janë dhënë shpjegime sqaruese me shkronja të zakonshme.

Sinonimia është një dukuri që haset shpesh në terminologjinë e kimisë, veçanërisht në emërtimin e komponimeve. Në këto raste përparësi i është dhënë trajtës shkencore, si më e përdorshme në literaturë. Në pjesën shqip-anglisht termi sinonimik dytësor jepet pranë termit parësor pas shënimit “ose”, ndërsa te zëri i termit sinonimik dytësor vendoset shënimi “shih” që të çon te termi parësor, p.sh.: klorur hekuri (III) ose klorur ferrik, krahas me klorur ferrik shih klorur hekuri (III), po kështu acid acetilsalicilik ose aspirinë dhe asperinë shih acid acektilsalicilik. Për termat sinonimikë që kanë dalë si pasojë e shtrembërimit të ndonjë termi të huaj, është marrë termi ndërkombëtar, p.sh.: kamfur (e përfshirë edhe në fjalorët shpjegues të shqipes) është lënë jashtë, duke dhënë vetëm termin kamfor/ë –a.

Ndonëse terminologjia e kimisë është e ndërkombëtarizuar në një shkallë krahasimisht të lartë, janë bërë përpjekje për të mënjanuar huazimet e panevojshme, sidomos ndër termat e rinj, duke ofruar në vend të tyre terma të formuar me brumin e gjuhës shqipe dhe që shprehin saktë shkencërisht përmbajtjen e termit (konceptit). Për këtë qëllim janë aktivizuar prapashtesat fjalëformuese specializuese: -esë, -atë, -a, -inë, të cilat tregojnë produktin e cilësuar, si p.sh.: përqendres/ë –a, (concetrate); përzhurin/ë –a nga përzhuritj/e –a (inceneration), kimikat/ë –a, (chemicals); dendësat/ë –a, -at (condensate); filtrat/ë –a (filtrate) etj.

Shqipërimet janë disa llojesh: a) si krijime të propozuara për herë të parë në këtë fjalor për zëvendësimin e termave të huaj, si: përzhurit, përzhuritës/e -ja, përzhuritj/e –ja (incinerate, incinerator, inceneration), rrënjor-i (për rrënjë / radikal), e përthithura (absorbate), shpërgrimcoj-i (disperse); b) rimarrje të shqipërimeve të mëparshme, si dëftor –i, -ët (indicator), ose edhe të termave që nuk janë aktivizuar më parë në komunikimin shkencor, si: pluskim –i për flotim etj.; c) janë lënë jashtë shqipërime të bëra më parë në fjalorë, por që nuk kanë hyrë për arsye të mosshenjimit të saktë të koncepteve kimike, si thartor për acid, ose që nuk kanë qenë të qëlluar si terma shkencorë, si shpërkoqje për disgregim.

Vend të veçantë zënë në fjalor shqipërimet në formën e termave kompozita hibride, në të cilat gjymtyrët e dyta të kompozitës përbëhen prej termash shqip, të paraqitur në mikrosistem fjalëformues dhe përkatësisht sipas modeleve: matj/e –a për metri –a, matës –i për metër dhe matës, -e (mb.) për metrik, ndërsa gjymtyrët e para të këtyre shqipërimeve hibride përbëhen nga elemente të huaja termformuese, por të përndryshuara në mënyrë që termat kompozita të shqipëruar të shënojnë konceptin përkatës në mënyrë të qartë e të motivuar, p.sh.: potencialmatj/e –a (nga potencialmetrí) dhe më tej: potencialmatës-i, potencialmatës, -e (mb.) dhe kështu për çdo term të tipave të mësipërm. Ndonjëherë termi i shqipëruar paraqitet si kalk për të gjithë termin e huaj kompozitë si: peshëmatj/e –a (nga gravimetri) dhe peshëmatës –i, peshëmatës, -e (mb.).

Parashtesat shumëzuese me prejardhje nga greqishtja e vjetër (mono-, di-, tri-, tetra-, petra-, penta-, heksa-, hepta-, okta- etj.) ose latinishtja (bi-, bis-, ter-, kuater- etj.), që përdoren në emërtimin e komponimeve kimike dhe që herë-herë janë shqipëruar në këtë fjalor janë dhënë në greqisht ose latinisht, në përputhje me udhëzimet e nomenklaturës së IUPAC-ut, si p.sh.: dioksid karboni, tetraklorur –i, -et, bikarbonat (shih hidrogjenkarbonat) etj. Por, nëse nuk shënohen komponime kimike, atëherë këto ndajshtesa janë shqipëruar, si p.sh.: njëbazik, -e, dyvalen, -e etj. Në shkrimin, përkatësisht edhe në shqiptimin e termave me parashtesën heksa- (hexa-) është ndjekur trajta me ks-, e cila ka përhapje shumë më të gjerë në përdorim, si, p.sh., heksan –i (jo hekzan) etj.

Në përcaktimin e gjinisë gramatikore të termave të karbohidrateve, që në anglisht mbarojnë me –ose (si cellulose, fructose, glucose) është zgjedhur forma e gjinisë femërore, e cila ka përhapje më të madhe, si, p.sh., celuloz/ë –a, fruktoz/ë –a, glukoz/ë –a etj.

Është normëzuar shkrimi i emërtimeve të të gjitha elementeve kimike, në veçanti për disa elemente kimike që marrin (ose jo), mbaresën –ium, p.sh.: alumin/aluminium; magnez/magnezium, etj.; po kështu edhe disa jone, si: amon/amonium; okson/oksonium, etj. Në këto raste është ndjekur zgjedhja e bërë ne FTK që e ruan mbaresën latine –ium, kur rrënja e fjalës është njërrokshe dhe e heq tek ato emërtime që e kanë rrënjën shumërrokshe, me pak përjashtime në raste të veçanta (për të shmangur keqkuptimet).

Emërtimi i kripërave të tipit silikofluorur, platinbromur, platinklorur, si edhe për acidet përkatëse, është bërë në trajtat fluorosilikat, bromoplatinat, kloroplatinat, që tanimë janë ngulitur në literaturën tonë kimike e që janë në pajtim me emrat e pëlqyer ose sistematikë sipas IUPAC-ut.

 

Përgatiti: Prof. as. dr. Juljana KUME (mbështetur në Parathënien e veprës (FTBK), Redaksia)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje