Persida Asllani: Si ka ndryshuar leximi i veprës së Kadaresë; Hudhri: Lexuesit më të mirë të tij, ata nën 30 vjeç

1 Shkurt 2021, 13:34Kulturë TEMA

Emisioni “Java në RTSH” erdhi me një minutazh special kushtuar 85-vjetorit të Ismail Kadaresë, ku emra të njohur të letërsisë komentuan veprën dhe rolin e shkrimtarit të madh.

Analisti Preç Zogaj u shpreh në nisje të emisionit se Kadare është i vetmi personalitet që Shqipëria ka dhënë për elitën e shkritmarëve në rang botëror.

Ndërkohë, përgjegjësja e Departamentit të Letërsisë në UT, Persida Asllani, solli detaje rreth qasjes së studentëve sot ndaj veprës së Kadaresë dhe mënyrave të leximit.

E pyetur se si studiohet sot vepra e Kadaresë në Universitetin e Tiranës ajo tha se Kadare jo vetëm është pjesë qëndrore e studimeve, por edhe temë në studimet master apo doktoraturë.

“Vepra e Kadaresë zë një vend qendror në modernitet, por në radhë të parë ajo studiohet për t’u vendosur në rrjedhat e letërsisë shqipe dhe për të parë ndikimet që ajo ka sjellë në raport me proceset letrare dhe zhvillimet e zhanreve. Duke sjellë kështu një qasje komplekse por edhe të lëvizshme. Në këtë kuptim, vepra e Kadaresë është një paketë e plotë studimore” – tha Asllani duke apeluar për studentët që t’i rikthehen veprave dhe të mos mjaftohen me një lexim.

Ajo shtoi se ka një diferencë të madhe mes leximit të Kadaresë në kohën kur dilte vepra në botim me format e sotme.

“Për fatin e mirë, leximet bashkëkohëse ishin lexime alegorike dhe mes rreshtave që tentonin të lexonin një rrjedhë të dytë dhe të identifikonin një mundësi shprehje të pamundshme përmes formave të tjera, aq sa mundej në kushtet e një prej diktaturave më të skajshme të Europës. Sot, kemi kaluar nga rrafshi alegorik në atë simbolik” – tha Asllani.

Për botuesin Bujar Hudhri ky 85-vjetor është edhe një lloj bilanci për veprën e shkrimtarit, i cili është ngritur gjithnjë dhe më lartë në sytë e publikut.

Ai tha se lexuesi më i mençur i Kadaresë është brezi nën 30 vjeç, dhe për këtë Hudhri pati një argumentim.

“Lexuesi i vërtetë i Kadaresë është nën 30 vjeç pasi ata janë rritur në kushte më të mira se ne, janë inteligjentë dhe nuk kanë paragjykime. Fëmijët tanë e perceptojnë më mirë veprën e tij sesa të tjerët që u rritën politikisht” – tha botuesi i ‘Onufrit’.

Ndërsa pedagogia e letërsisë, Edlira Macaj, theksoi rëndësinë e rileximit të veprave.

“Unë insistoj tek ideja e rileximeve sepse letërsisë është e vërtetë që nuk i ndryshon thelbi, por i ndryshon mënyra se si do ta lexojnë brezat e rinj. Duhet një mënyrë e zgjuar për t’iu afruar lexuesit. Si mund ta arrijmë këtë? Ne themi gjithmonë që me cilësinë e arsimit duhet të shkojmë drejt Perëndimit, por për këtë na duhet metodologjia. Në Letërsi në futemi në studimin e thellë të veprës, por ama një lexues që studion për shembull Juridik ka një tjetër mënyrë leximi” – tha Macaj.

Për analistin Lorenc Vangjeli, Kadare ishte nga të parët njerëz që i treguan shqiptarëve se i përkasin Europës. Vangjeli pati edhe një urim special këtë 85-vjetor teksa shtoi se duhet t’i jepet Kadareja Nobelit dhe jo Nobeli Kadaresë…

“Mirënjohja nuk është një bimë që rritet shpesh në viset tona, por Kadareja e meriton mirënjohjen e thellë të secilit prej nesh. Ishte nga të parët që na tregoi se ne jemi europianë. Unë dua të bëj një urim, jo për Kadarenë por për Nobelin. Do të shpresoja shumë që t’i jepet Kadareja Nobelit dhe jo Nobeli Kadaresë” – tha Vangjeli.

Për më tepër ndiqni emisionin e plotë:

3 komente në “Persida Asllani: Si ka ndryshuar leximi i veprës së Kadaresë; Hudhri: Lexuesit më të mirë të tij, ata nën 30 vjeç”

  1. REALE says:

    Une e njohe Kadarene qe me “Princeshën Argjiro” apo Kêngën e Dhoqinës qe me vone e ben Doruntina. Dhe keshtu vazhdoi kjo pune deri sot qe veprat e djeshme i riboton duke i rikorigjuar sot. KJo s’me pelqen fare. Kadare eshte vertete shkrimtar i madh brenda tufes se shkrimtareve shqiptare qe s’jane te paket, por hyjnezimi qe po i bejne, eshte i tepert, per mendimin tim. Morali sot e demton demokracine, si thone ata qe e prishen ate, prandaj letersia apo dhe historia ze shume pak vend ne ekonomine e tregut. Gjerat duhet te ecin paralel, por mbi te gjitha eshte shendeti dhe ekonomia. Kisha bere nje vrejtje ne nje komentin tim dhe dikush me kritikonte se isha bere xheloz me Kadarene! Une s’jam as shkrimtar e as poet dhe s’kam pse te behem xheloz se as dhe me intereson fare sot, por marre pjese me mendimin tim sepse kam nje parim ne jeten time: ne radhe te pare duhet te jeshe njeri (human) , pastaj artist, shkrimtar, historian apo dhe çfaredo lloji tjeter profesioni apo detyre administrative. KJo me ka udhehequr ne jeten time personale, familjare dhe shoqerore; Kadarese i mungon diçka serioze qe s’eshte nevoja per ta thene se te gjithe e dine por e anashkalojne ne kohen e sotme. Po natyra s’na lejon te ndryshojme rapôrtet e mases ne shoqeri . Megjithate ne nderi na ngrihet kur ka emer nje shqiptare ne arenen boterore.

    1. Homeri Shqyptar says:

      Nder komentet e vetme qe ja vlen t’lexohet dhe u be gjate qe nuk kam lexuar nje kritike letrare te mirefillte e korrekte..pergezime dhe shpresoj te shkruani me shume dhe pse Tema ka dale pak prej Temes

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje