Kastrioti-Partizani, Daja: Është një ekip pragmatist, vjen pas një serie rezultatesh pozitive; Ndreu: Minimumi të mos dalim pa pikë

12 Shkurt 2021, 16:48Sport TEMA

Partizani do të sfidojë këtë të shtunë në Kamëz skuadrën krutane e cila në fazën e parë në ndeshjen hapëse të kampionatit i mposhti të kuqtë. Në konferencën për shtyp para kësaj sfide, Daja jo vetëm që analizoi kundërshtarin por bëri me dije se do të ketë disa minuta edhe për Ferhan Hasanin në këtë sfidë.

“Edhe pse jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë në fundin e fazës së parë, pra pozicionohemi të dytët. Në fazën e dytë kemi 5 pikë më shumë se në fazën e parë. Kemi pasur më shumë stabilitet dhe ngritje. Pesë pikët më shumë do të thotë që gjërat kanë ardhur në përmirësim”.

Kastrioti? “Është një ekip pragmatist. Vjen nga dy fitore dhe ka moral të mirë, njësoj si ne. Kemi vetëm rezultate pozitive në vitin 2021. Në dy fazat e para, kemi një ndeshje të humbur dhe një të fituar ndaj tyre. Është një ndeshje e vështirë. Nëse nuk do të jemi me motivimin e duhur, do e vështirësojmë situatën.Kastrioti ka një tjetër moral, është i qetë, nuk është nën presion për të bërë sforco të mëdha. Duhet të jemi të përqendruar dhe të motivuar maksimalisht gjatë 90 minutave, në mënyrë që edhe ato pak problemet e terrenit t’i minimizojmë duke shtuar dozën e dyluftimeve dhe të përqendrimit në maksimum”, tha Daja.

Krutanët do të provojnë të përsëriten edhe në ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit, teksa trajneri Ramadan Ndreu për mediat thekson se ndaj të kuqve pret minimumi një pikë, ndërsa shton se ekipi ka moralin lartë.

“Kam besim sepse jemi në ritëm, ka katër-pesë ndeshje skuadra po luan shumë mirë. Kështu, edhe në këtë ndeshje me Partizanin, pavarësisht se kemi një skuadër shumë të fortë përpara, sidomos manovrën sulmuese e ka shumë të mirë dhe është një skuadër që luan shumë shpejt, do mundohemi që nëpërmjet stërvitjeve në dispozicion ta përgatisim ndeshjen me shumë kujdes dhe minimumin të mos dalim pa pikë”, u shpreh Ndreu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje