Presidenti Meta dhe ministri i Mbrojtjes Peleshi bënë homazhe për “Nderin e Kombit”, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakun

22 Mars 2021, 13:39Sociale TEMA

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi, bëne sot homazhe në nder të Komandantit të Komandës Mbështetëse, Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme për shkak të COVID-19.

Gjatë homazheve të zhvilluara në Ministrinë e Mbrojtjes, Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të pajetë, u shprehu personalisht ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe la një shënim në Librin e Zisë të hapur me këtë rast të dhembshëm.

Duke i dorëzuar bashkëshortes së Gjeneral Brigade Ndriçim Sallaku, Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Presidenti Meta theksoi edhe njëherë se ndarja nga jeta e njërit prej kuadrove më të spikatur të Forcave tona të Armatosura, këtij personaliteti të jashtëzakonshëm, intelektuali të shquar e modeli të rrallë qytetarie, është një humbje e madhe për familjen e Tij dhe ushtrinë shqiptare.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka marrë pjesë sot në homazhet për lamtumirën e fundit të gjeneral Ndiçim Sallakut, i cili humbi jetën dy ditë më parë në një spital në Turqi ku po kurohej për COVID-19,

Peleshi e konsideron një humbje të madhe ndarjen nga jeta të gjeneralit, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

“Sot i dhamë lamtumirën jo vetëm një gjenerali të Forcave të Armatosura, por mbi të gjitha një njeriu me aftësi të jashtëzakonshme organizative.

Pusho në paqe gjeneral!”, shkruan ministri Niko Peleshi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje