ANALIZA: Të ndahet Shkupi nga Tirana. Si po lobon Hungaria për integrimin e Shqipërisë në BE

14 Maj 2021, 16:03Politika TEMA

Deklarata e Komisionerit të Zgjerimit Oliver Varheiy për nisjen e negociatave me Shqipërinë, ndërkohë që Maqedonia e Veriut punon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Bullgarinë ka shqetësuar Bashkimin Europian.

Ky propozim do t’i mundësonte Shqipërisë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në qershor, duke nisur kështu hapjen e kapitujve, por u hodh poshtë nga një sërë vendesh anëtare, përfshirë edhe Gjermaninë dhe Austrinë. Të dyja këto vende këmbëngulën që Maqedonia e Veriut nuk duhet të presë për bisedimet e anëtarësimit, ndërsa Shqipëria të ecë përpara. Berlini dhe Viena nuk kanë tregues se si mund të ecin Tirana dhe Shkupi së bashku, nëse Bullgaria nuk heq veton ndaj Maqedonisë së veriut. Komisioni Europian bëri të njëjtën gjë, duke thënë se nuk kishte propozuar kurrë ndarjen e dy vendeve. Nëse nuk erdhi nga BE-ja, atëherë nga erdhi kjo kërkese?

Burimet diplomatike thonë për Gazetën Si së ajo që po mundohet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, duke hedhur idenë e shkëputjes nga Maqedonia e Veriut, është Hungaria. Vendi i Europës Lindore po punon prej vitesh për përparimin e procesit të anëtarësim të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar vazhdimisht se Hungaria ka interesa të mëdha politike dhe ekonomike në rajon dhe se destabiliteti i tij prek në mënyrë të drejtpërdrejtë Budapestin zyrtar.

Hungaria ka qene shteti më i zëshëm kur bëhet fjalë për zgjerimin e BE-së. Ajo është i vetmi vend i katërshes së Vishegradit që kufizon Ballkanin. Qeveria e kryeministrit hungarez Viktor Orban ka këmbëngulur se do të kryesojë kauzën e zgjerimit të BE-së dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe u përfshi në një luftë diplomatike më Bashkimin Europian për të marrë portofolin e zgjerimit, i cili iu caktua pas një sërë përplasjesh zotit Varheliy.

Komisioneri mori detyrën duke premtuar përshpejtimin e agjendës së zgjerimit, duke deklaruar mes të tjerash se nën udhëheqjen e tij, deri në vitin 2025 vendet e para nga Ballkani Perëndimor do të bëheshin pjesë e unionit.

Komisioneri mund të ketë kuptuar se ky premtim mund të jetë i vështirë për t’u realizuar, pasi shumë vende kërkojnë vazhdimisht shtyrjen e të gjitha vendimeve që lidhen me këtë proces, por deri më tani ka bërë thirrje të vazhdueshme për nisjen e bisedimeve me vendin tonë. Diplomati hungarez njihet për marrëdhëniet e ngushta me kryeministrin Viktor Orban, i cili e propozoi atë në këtë post.

Varheliyi ishte zgjedhja e dytë e Orban për postin e komisionerit të zgjerimit pasi Komiteti i Çështjeve Ligjore i Parlamentit Europian refuzoi ish-ministrin e drejtësisë Laszlo Trocsanyi për shkak të lidhjeve të tij të dukshme me partinë në pushtet të Orban Fidesz dhe konfliktet e saj politike me Brukselin.

Nga ana tjetër, Varheliyi, nuk ishte anëtar i partisë së kryeministrit hungarez dhe nuk kishte shërbyer në kabinetin e Orban, por disa eurodeputetë vunë në dyshim pavarësinë e tij para se parlamenti ta miratonte për postin.

Diplomati i lartë duket se ishte një zgjedhje e mirë menduar nga ana e Orban pasi ai ka kaluar 25 vite duke u marrë me politikën e BE-së në Komisionin Europian dhe në ministri të ndryshme. Ai gjithashtu ka punuar për pranimin e Hungarisë në BE, eksperiencë e cila duket se po e ndihmon për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Istvan Szent-Ivanyi, ish-deputet hungarez dhe ekspert i marrëdhënieve rajonale thotë për mediat rajonale se propozimi për ndarjen e dy vendeve mund të ketë ardhur edhe për faktin se Varheliyi është i vendosur të demonstrojë disa përparime zyrtare mbi zgjerimin e rajonit.

“Varheliyi ka qenë komisioner për dy vjet dhe po kërkon përparime konkrete. Më në fund u njoftua marsin e kaluar se negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u hapën, por asgjë nuk ndodhi. Që nga nëntori, Bullgaria po bllokon procesin”, thotë ai.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto, i cili vizitoi Shkupin javën e kaluar shmangu dhënien e komenteve mbi deklaratat e Varheliyi. I pyetur në një konferencë shtypi nëse deklaratat e tij të fundit korrespondojnë me qëndrimin e qeverisë hungareze, Szijjarto shkurtimisht tha se të dyja palët, si Varheliyi ashtu edhe kabineti hungarez “janë mbështetës të përkushtuar të integrimit euro-Atlantik të rajonit.

“Kryeministri bullgar Bojko Borissov i rezistoi presionit nga senatorët amerikanë dhe personalisht nga kancelarja Gjermane Merkel, për heqjen e vetos dhe nuk u dorëzua,” thotë Szent-Ivayi. “Në rrethana të tilla, e vetmja mënyrë logjike përpara do të ishte të konsiderohej hapja e bisedimeve të paktën me Shqipërinë. Në fund të fundit, ky vendim duhet të merret nga Komisioni Europian në fund të majit. Nëse Shqipëria vlerësohet e përgatitur, do të ishte e padrejtë ndaj Tiranës të presë për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.”

Hungaria, mbështetëse e Shqipërinë në rrugën e integrimit

Budapesti, por edhe vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Juglindore kanë këmbëngulur se hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një domosdoshmëri për të ruajtur besueshmërinë e BE-së në rajon. Hungaria ka qenë shumë e vendosur për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në krye të agjendës, duke u mbështetur në dy argumente kryesore, së pari solidariteti dhe së dyti siguria e Europës Juglindore.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë ka vizituar disa javë më parë Shqipërinë dhe ishte shumë i drejtpërdrejtë me mendimin e tij:

“Bashkimi Evropian duhet të fillojë bisedimet e pranimit me Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Péter Szijjártó pas bisedimeve me Olta Xhaçkën në Tiranë. “Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është në sigurinë kombëtare dhe interesin ekonomik të Hungarisë që gjërat duhet të shkojnë mirë në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye ne jemi të përkushtuar ndaj integrimit europian”, shtoi ai.

Ministri do të deklaronte gjatë konferencës me Ministren Xhaçka se Hungaria po u kërkon vendeve “më pak të ndjeshme ndaj zgjerimit dhe kauzës së  Ballkanit Perëndimor” si dhe Brukselit të bëjmë përparime në integrimin e vendeve të rajonit duke përmendur edhe investimet e fundit hungareze në Shqipëri.

Në vitin 2019, ministri i Jashtëm hungarez ishte po ashtu inicuesi i një letre nga katër vendet e Vishengradit ku Bashkimit Europian i kërkohej nisja e negociatave me vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Duke i mundësuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëjnë hapin tjetër në procesin e integrimit, BE do të riafirmojë angazhimin e saj për stabilitetin, sigurinë, demokracinë dhe prosperitetin e rajonit. Dhe do të pranojë faktin se vetëm përmes integrimit të Ballkani perëndimor BE do të jetë e plotë dhe interesat e saj afatgjata të mbrohen siç duhet”, thanë ministrat në një deklaratë.

Pas një sërë përpjekjesh për të përshpejtuar këtë proces, qeveria e kryeminstrit Orban ka fajësuar madje në të kaluarën Komisionin Europian se po përpiqet të parandalojë zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor.

“Komisioni Europian ka penguar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, duke ndikuar jashtëzakonisht shumë në sigurinë dhe të ardhmen e Eropës”, do të deklaronte Ministri Szijjártó në margjinat e një takimi me homologët e tij të BE-së në vitin 2019. Szijjártó këmbënguli se “Hungaria dhe BE-ja kanë interesa ekonomike, strategjike dhe politike” për integrimin e Ballkanit Perëndimor, por se unioni po bllokonte qëllimisht këtë perspektivë.

Për më tepër, edhe gjatë kohës që Hungaria kishte udhëheqjen e presidencës së Këshillit të BE, ruajti si përparësi integrimin e Ballkanit Perëndimor. Por, kur Brukseli hartoi strategjinë për perspektivën e zgjerimit në fillim të vitit 2018, Orban ishte ndër liderët më këmbëngulës në këtë drejtim, duke sugjeruar që Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e veriut dhe Serbia të merrnin pjesë në proceset e politikbërjes përpara pranimit në BE.

4 komente në “ANALIZA: Të ndahet Shkupi nga Tirana. Si po lobon Hungaria për integrimin e Shqipërisë në BE”

  1. Kok palari says:

    Gjepura dhe justifikime te rendomta , dicka do ndodhe , do gjendet nje justifikim , dje qe Hollanda ,pardje Greqia , pastaj radhen e mori Franca , u bene bajat me keto justifikime dhe qe mos te mari nje shtet i vetem urejtjen e nje kombi per mosfillimin filluan goditjet indirekte gjasme tedyja shtetet duhet te fillojne njeherazi bisedimet , dhe doli Bullgaria me nje justifikim te pakuptueshem qe : kemi kontradikta me Maqedonine e Veriut dhe vene veto , kush vendos veto ????????Bullgaria …..keshtu digjet dhe Shqiperia …….ma pak fjale kot me kot , bjeri defit , perfundimisht nuk na duan , nje jete do rime tedera te presim se mos hapet , si maci se mos na hapin dhe futemi dhe ne brenda ……me kot ama , dyert e BE per Shqiperinenuk jane per tu hapur kurre …….deri dje kish zgjedhjet Makaroni ,pastaj Merkeli ,me vone ngulte kembe Hollanda me preteksin e peshtire te lendeve narkotike , kur dihet boterisht qe Hollanda eshte deri ne fyt e mbytur me hashash , skane fajin ata fajin e kane keta kulishet tane , kur sfutin ndonje Kine tu qi ropt , ose dhe Turqine po keshtu dhe Ameriken …….sillini kinezet ose arabet neShqiperi dhe ktheini mrahet pergjithmone BE …….BE dhe monedha euro eshte shume shume e shtrenjte per Shqiperine …….jepini nje drejtim te pakten se brezat e arxhshem presin , prezin pernje dite dhe jete me te mire …….beni dicka , ka jete dhe pa BE ………

    1. ben says:

      Problemi ketu eshte Franca. Ky vend nuk do shtimin e aleateve te Gjermanise ne BE. Nuk eshte aspak sekret se Gjermania ka qene historikisht mbeshtetese e shqiptareve ne Europe. Franca dhe sahanlepiresja e saj Hollanda nuk kane bythe ti kundervihen gjkermanise as ekonomikisht dhe as politikisht, prandaj kane luajtur rolin e prostitutes me Rusine qe perkrah sllavet dhe shtetet ortodokse, fqinje te Shqiperise.
      Hungaria, si trashegimtarja e Austro-Hungarise, qe ka qene bashke me Gjermanine mbeshtetesja e shtetit shqiptar te krijuar ne 1912-ten, ben pjese ne klanin gjerman, prandaj kerkon qe te shtyje lopen BE qe te filloje negociatat me Shqiperine dhe M. e Veriut.
      Sa i perket Bullgarise, pamvaresisht se eshte shtet sllav, nuk besoj se e ben bllokimin e ketij shteti per hir te interesave te Frances apo Rusise.
      Fakt eshte se te ashtuquajturit “Maqedone” te veriut jane bullgare 24 karat dhe gjuha e tyre eshte bullgarishte e paster. Kombi i sotem, qe e quan veten “maqedonas” nuk kane asgje te perbashket me maqedonasit e lashte. Eshte qesharake se si keta ardhacake, qe okupuan keto territore me shume se 1000 vjet mbas vdekjes se Aleksandrit te Madh, kerkojne te identifikohen me figuren e tij dhe te popullit antik maqedon.
      Maqedonia e sotme qe njihet se fundi me emrin “Maqedonia e Veriut” u krijua nga Tito me kushtetuten Jugosllave te 1960-tes. Me kete veprim Tito perligji krijimin e nje pseudo-populli, duke i bere nje dem kolosal marrdhenieve bullgaro-jugosllave te asaj kohe. Duhet tu kujtoj se ne ate kohe, Tito e kishte nxjerre Jugosllavine nga ombrella e influences Sovjetike, duke krijuar nje shtet qe mbahej me borxhet e perendimit dhe marrdheniet me ish shtetet qe mbeten nen influencen sovjetike nuk ishin aspak te mira. Mbeshtetja e perendimit i dha mundesi Titos qe te bente ndryshimet administrative duke ndryshuar apriori deri edhe vete nacionalitetin e nje pjese te ndare te kombit bullgar per te perligjur perfundimisht aneksimin e trevave bullgare nga Serbia mbas armepushimit te Luftes se Dyte Ballkanike, kur Serbia, ne aleance me Greqine munden ushtrite bullgare duke i marre kesaj te fundit shume territore te banuara nga bullgare.

  2. Non-limit...................?????????? says:

    ne se HUngaria bene nje GJe te tille Bravo(Ku shkrimi eshte Pergjithesues)..por pse nuk Lobon vete Shqiperia???Apo mos do te Prishe “Qejfe” me Zaev????Po sikur Bullgaria (Dhe me te drejte)…asnjehere nuk njehe pretendimet e Shkupit???Do te prese edhe Shqiperia???????????

    1. ben says:

      Shqiperia nuk eshte anetare e BE-se dhe nuk ka mundesi qe te ndikoje zyrtarisht tek anetaret e bashkimit. Ne te kunderten, Hungaria eshte anetare me te drejta te plota dhe mundet ta beje lobimin ne menyre zyrtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje