Për një imazh më realist të gruas!

23 Maj 2021, 20:33Blog TEMA

Nga Mimoza Kelmendi

Edhe në Gjermani, sipas statistikës së fundit janë vrarë nga (ish-bashkëshortët apo partnerët) 150 gra brenda një viti. Një studim për të gjitha vendet e BE tregon se një e treta e grave përjeton dhunë fizike apo seksuale, shumica nga bashkëshorti apo partnerët.

Dhe vetëm një e treta e grave të prekura denoncon në polici apo kërkon ndihmë në organizatat humanitare. Ndjekja penale është nga e pamjaftueshme deri tek e parëndësishme. Viktimat nuk e gjejnë shpesh drejtësinë në sistemet e dominuar nga burrat dhe kjo është një arsye, pse pak prej tyre e denoncojnë dhunën.

Për shumë burra, gratë janë ende objekt gjuetie. Partneriteti në nivel të barabartë është larg.

Prej më shumë se 150 vjetësh burra dhe gra luftojnë për barazinë në mes gjinive. Por kush beson se kjo beteje ka përfunduar tashmë, gabon.

Sipas „Gender Gap Report“ të World Economic Forum, (Forumit Ekonomik Botëror) (WEF), i cili shqyrton prej vitit 2006 mangësitë në barazinë e shanseve mes burrave dhe grave në mbarë botën, nuk është bërë akoma as gjysma e rrugës. Nëse vazhdohet me këtë zhvillim, nevojiten edhe 133 vjet të tjera deri në barazinë e plotë gjinore, thotë raporti. Pra deri në barazinë e plotë të burrit dhe gruas ka ende një rrugë të gjatë.

Në Global Gender Gap Report 2021 të publikuar nga World Economic Forum, që ka për temë barazinë mes gjinive, vendin e parë e zë për të 12 herë rradhazi Islanda, e ndjekur nga Finlanda, Norvegjia, Suedia dhe Nikarugua. Në fund të listës së 156 vendeve renditet Afganistani. Për këtë renditje janë marrë në konsideratë indikatorë nga fushat e ekonomisë, arsimit, politikës dhe shëndetësisë.

Në media ka ndërkohë shenja të shumta pozitive, që diçka po lëviz dhe ka më shumë gra në drejtim. E megjithë këtë zhvillim pozitiv, grate vazhdojnë të jenë jo të prezantuara sa duhet në pozicionet drejtuese dhe vendimarrëse të mediave. Dhe kjo megjithëse numri i gazetareve në dhjetëvjeçarët e fundit është rritur shumë. Gazetaret në përgjithësi janë më të arsimuara se kolegët e tyre meshkuj, por megjithatë fitojnë shumë më pak para.

Kjo shpjegohet edhe nga pozicionet më të larta hierarkike, por shumica e tyre shkojnë në shtëpi me më pak para, vetëm për shkak të gjinisë. Në një kohë që moderatorët gjysëm të thinjur fitojnë përmes prestigjit, koleget e tyre të së njëjtës moshë zhduken nga ekrani. Në diskutime apo intervista për krizën e Pandemisë u bë e qartë: Mediat preferojnë që bashkëbiseduesit të jenë meshkuj dhe ekspertizën ta bëjnë meshkujt.

Pamja e jashtme për gratë vazhdon të luajë rol të madh, tepër të madh, më duket mua. Por çfarë imazhi kemi ne për gratë dhe si duam që gratë të prezantohen në media?

Në televizion serviren stereotipe të stilit të vjetër dhe misogjen. Gratë janë ndërkohë sipërmarrëse shumë të suksesshme, por mungon heroi, dashuria e madhe, që i shpëton jetën dhe që ia bën atë të plotë. Pa atë ajo nuk mund të jetë e lumtur. Prezantimi stereotip i gruas në media dhe prezenca e mangët e grave, të cilën e përjetojmë në të përditshmen tonë, ndikojnë në preceptimin tonë dhe çojnë pashmangërisht në krijimin e një imazhi të shtrembëruar. Me çfarë imazhi për gruan rriten të rinjtë sot?

Vajza me sy të mëdhenj, modele tejet elegante të të brendshmeve në çdo reklamë nëper rrugë, floke shumë të gjata dhe buzë të trasha, fytyra me botox dhe çanta të shtrenjta, ikona të muzikës që e teprojnë me liritë jo vetëm me veshje, por edhe në stilin e të kërcyerit, etjer..etjer. A janë këto idealet e vajzave tona të reja dhe a presin djemtë e rinj partnere të këtij formati?!

Realiteti i shumë grave në Gjermani ka në shumicën e rasteve tjetër pamje. Shumë prej tyre duan të jenë partnere të barabarta me burrat, në të njëjtën kohë edhe nëna të mrekullueshme fëmijësh me edukatë dhe shkollim të përsosur dhe natyrisht të suksesshme në profesion. Ky është trari, që përpiqen të kapërcejnë shumë gra, por jo pak prej tyre rrezohen, dhe pasojat janë burnout, depresione, apo sëmundje trupore.

Shumë më tepër gra se burra humbasin në profesion, për të rritur fëmijët, apo për t’u kujdesur për pjesëtarë të familjes, që janë të sëmurë, në raste të shumta edhe të dyja së bashku! Këtë kontribut të pashoq për shoqërinë ato e paguajnë me pauza në civitë e tyre, me mungesë të sigurimeve shoqërore dhe me varfëri në pleqëri.

Temat mbi gruan shpesh injorohen në redaksitë apo shtyhen mënjanë si tema të pakicave sociale. Përse gjejnë kaq pak vend temat: Mbingarkesa e grave, Koordinimi familje-punë Roli i patnerit apo i rrethit familjar…etjer…etjer. Tema si lodhja dhe vetësakrifikimi për t’u shërbyer familjarëve të sëmurë nuk janë as të këndshme dhe gjejnë vend vetëm në orët e vona të transmetimit nëpër TV. Përse nuk guxojnë gazetarët që t’i tematizojnë këto tema?

Realiteti i jetës nuk sjell kuota. Ndaj ka akoma shumë për të bërë. Por gratë janë të njohura edhe për durimin dhe forcën për t’u angazhuar për synime të rëndësishme. Ne e bëjmë këtë vazhdimisht për të tjerët dhe duhet të mësojmë ta bëjmë më shpesh për vetën tonë. Sikurse pati deklaruar kryediplomatja amerikane: “M’u desh shumë kohë për të pasur një zë që të dëgjohet dhe tani që e kam, nuk do të hesht.”

1 komente në “Për një imazh më realist të gruas!”

  1. Plus says:

    Zonje e nderuar!
    Te mungon realiteti, te mungojne provat, te mungoje numrat.
    Keshtu shprehet Psikologu me i madh i koherave tona, Dr Jordan B Peterson.
    Eshte psikologu qe nuk ka kanal televiziv kombetar apo kanal televiziv shume i madh, qe nuk i referohet apo qe kerkon te kete opinionin e tij. I cili shprehu hapur per here te pare dhe deklaron ne cdo menyre te mundur: nuk e kam hasur ne studimet dhe kerkimet e mia “pabarazine gjinore”.
    Me fakte
    Me kerkime
    Me studime nderunversitare
    Me kryqezime faktesh ne te gjithe boten(e perparuar kuptohet)
    Na kini ‘merzitur’ me hamendesite tuaja.
    Heren tjeter, meqenese paske privilegjin te kesh zë dhe nuk do ndalosh, referou tek ata qe dine e jo tek mendimet e tua.
    E kote te te them sesi vepron islanta e filanda vetem e vetem se ti tejkalon shpejtesine e makines me 1 km ne ore, pale te te fus ne mendimet se perse norvegjia kerkonte shkakun shoqeror se perse dikush vrau 85 te rinj.
    Qetesohu he tu befsha, te kam xhan, perdore zerin tend me arsye dhe fillo te gjesh gjera qe motivojne, he te keqen.
    Me u vrane kaq e aq, nuk eshte “ze”, eshte thjesh percjellje lajmi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje