Nga Devi Sridhar, The Guardian
Kur Covid-19 filloi të përhapej me shpejtësi në janar 2020, qeveritë në të gjithë botën nuk ishin të përgatitura për të përballuar situatën e Covid-19. Pa një vaksinë ose trajtime për sëmundjen, apo madje pa qasje në testime masive, e vetmja zgjedhje me të cilën po përballeshin udhëheqësit politikë ishte gjetja e një opsioni më pak të dëmshëm.
Kishte katër qasje që qeveritë e ndryshme zbatuan gjatë fillimit të pandemisë. Kina, Zelanda e Re, Vietnami dhe Tajlanda zgjodhën të eliminojnë virusin me koston e ndalimit të udhëtimeve ndërkombëtare. Singapori, Hong Kongu dhe Koreja e Jugut “shtypën” virusin përmes testimit rigoroz, gjurmimit dhe izolimit duke shmangur bllokimet e ashpra.
Suedia lejoi që virusi të përhapej në popullatë përpara se të kuptonte se sistemet shëndetësore nuk mund të përballonin dot fluksin e pacientëve me Covid-19. Ndërkohë, vendet europiane përfshirë Anglinë dhe Francën arritën të mbanin nën kontroll virusin përmes një cikli masash bllokimi duke mbajtur kufijtë kryesisht të hapur.
Para zhvillimit të vaksinave, mënyra më efektive e këtyre strategjive ishte eliminimi, ose “zero Covid”, një shembull i vendeve të tilla si Zelanda e Re, Tajvani dhe Kina.
Por mjetet që bota ka në dispozicion kanë ndryshuar rrënjësisht në 15 muajt e fundit. Tani bota ka vaksina, trajtime dhe testime masive të sigurta dhe efektive, të cilat i japin mundësinë qeverive të ri-mendojnë strategjitë e tyre fillestare dhe të formojnë një plan më të qëndrueshëm për të ardhmen.
Pa masa bllokimi në vend, virusi mund të rritet në mënyrë eksponenciale, ndërsa frika nga virusi bëri që njerëzit të ndryshonin sjelljen e tyre, duke rezultuar në dëme ekonomike. Vaksinat tani po adresojnë këto tre probleme.
Nëse qeveritë janë në gjendje të vaksinojnë 80-90% të popullsisë së tyre, Covid-19 do të bëhet gjithnjë e më shumë një çështje e shëndetësore e menaxhueshme, ashtu si sëmundjet e tjera që mund të parandalohen, siç janë fruthi ose pertusis (kollë e mirë).
Ne e dimë që vaksinat ndihmojnë duke ulur shtrimet në spital dhe vdekjet. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve zbuluan se personat e moshuar të vaksinuar me vaksina mARN (Pfizer dhe Moderna) kishin 94% më pak të ngjarë të shtroheshin në spital sesa njerëzit e së njëjtës moshë që nuk ishin vaksinuar, raporton abcnews.al
Një studim në Skoci zbuloi se pas javës së katërt të dozës së parë, vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca ulën rrezikun e shtrimit në spital përkatësisht deri në 85% dhe 94%. Hulumtimet e hershme nga Universiteti Yale gjithashtu tregojnë se vaksinat kanë efekte pozitive edhe te personat që vuajnë nga Covid i zgjatur. Rreth 30-40% e personave që janë vaksinuar kanë raportuar shenja përmirësimi.
Nëse vaksinat në të vërtetë parandalojnë njerëzit të vdesin ose të sëmuren rëndë, atëherë fundi i pandemisë është shumë afër për vendet që kanë shënuar nivele më të larta të fushatës së vaksinimit, testimeve dhe trajtimeve.
Një studim i punonjësve të kujdesit shëndetësor në Skoci që nuk është shqyrtuar ende nga kolegët sugjeron se vaksinat mund të jenë në gjendje të parandalojnë transmetimin. Izraeli ka treguar sukses në fushatën e vij të vaksinimit, gjithashtu edhe SHBA-ja dhe Britania.
Gjithashtu këto vende po mendojnë vaksinimin e grupmoshave nga 12 deri në 15 vjeç, SHBA ka autorizuar tashmë vaksinën Pfizer për këto grupmosha.
Pra, kur do të mbarojë pandemia? Covid-19 nuk do të përfundojë menjëherë. Gjatë historisë, pandemitë kanë përfunduar kur sëmundja pushon të dominojë jetën e përditshme dhe tërhiqet nga sfidat shëndetësore.
Duke përjashtuar një variant të ri të tmerrshëm, vendet e pasura të tilla si Britania dhe SHBA mund t’i japin fund pandemisë brenda disa muajsh, mbase edhe javë. Ky nuk është rasti në vendet e varfra në Amerikën Latine, Afrikën nën-Sahariane dhe Azinë Jugore.
Për vendet që nuk kanë mundësi të paguajnë vaksinat, teknologjitë ose trajtimet për Covid-19 kjo do të ketë efekte negative pasi popullatat do të jenë të bllokuara nga shpërthimet që shkaktojnë kaos në spitale dhe vrasin punonjës shëndetësorë dhe njerëz të pambrojtur dhe të moshuar.
Tani është detyra e vendeve më të pasura që po dalin nga pandemia për të ndihmuar kombet më të varfra dhe për t’u siguruar që ata të kenë burimet e nevojshme. Vetëm kur Covid-19 të mos dëmtojë më jetën e njerëzve dhe institucionet shëndetësore ne mund të themi që pandemia ka mbaruar. Përktheu Sonila Backa-abc