Ushtria e Rusisë do të formojë 20 njësi të reja në perëndim të vendit për të kundërshtuar atë që pretendon se është një kërcënim në rritje nga NATO.
Lajmi u bë me dije nga ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu, i cili u shpreh se veprime të tilla “shkatërrojnë sistemin ndërkombëtar të sigurisë dhe i detyrojnë të marrim kundërmasat përkatëse”.
I pyetur të hënën në lidhje me planet e Rusisë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vuri në dukje se “Rusia gjatë viteve të fundit ka investuar shumë në aftësi të reja, nga sistemet e armëve konvencionale te ato bërthamore” dhe “ka qenë e gatshme të përdorë forcën ushtarake kundër fqinjëve, në Gjeorgji, në Ukrainë”.
“Kjo është një nga arsyet kryesore pse NATO gjatë viteve të fundit ka rritur gatishmërinë e forcave të saj të armatosura,” u tha ai gazetarëve përpara takimit të së martës me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të aleancës.
Aktualisht, mijëra trupa të NATO-s, disa anije luftarake dhe dhjetëra aeroplanë po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake që shtrihen përtej Atlantikut, përmes Evropës dhe në rajonin e Detit të Zi.
NATO thotë se stërvitjet nuk kanë për qëllim Rusinë, por stërvitjet e “Defender 21” po simulojnë përgjigjen e organizatës ushtarake me 30 kombe ndaj një sulmi ndaj cilitdo prej anëtarëve të saj.