Bilushi i Metës njihet me arsyet e shkarkimit të presidentit

7 Qershor 2021, 19:54Antena TEMA

Bilushi i Metës mori sot zyrtarisht akuzat mbi të cilat do mbështet shkarkimi i Ilir Metës.

Pasi u hodhi një lexim të shpejtë, arriti në përfundimin se akuzat lartësojnë figurën e presidentit dhe Gjykata Kushtetuese do t’i sanksionojë ato, si sjellje të detyrueshme për presidentët pasardhës:

“Të dashur miq!

Lexova sot atë të ashtuquajturën akuzë që Parlamenti i ka bërë presidentit Ilir Meta.

Në mendimin tim, ajo është një nga përmendoret që kundërshtarët i kanë ngritur presidentit.

Ato sjellje, për të cilat ata akuzojnë presidentin, janë në fakt detyrimet e presidentit në një vend sovran dhe të pavarur.

Më lejoni të citoj vetëm disa prej tyre

Ata akuzojnë presidentin për “Thirrjet publike për veprime të dhunshme (neni 223 i Kodit Penal)”.

Po çfarë është kjo? Kjo është thirrje për protesta, për të zgjuar shpirtin rebel të shqiptarit në shekuj.

Siç ka thënë Sami Frashëri, një fëmijë që fle rritet, por një popull që fle, vdes.

Dhe Ilir Meta është patrioti që e zgjoi këtë popull nga gjumi.

Populli i 2 Marsit do shpëtojë Shqipërinë.

Ata e akuzojnë presidentin për “Përpjekje për të krijuar krizë dhe incidente diplomatike me SHBA-në”.

Kjo është absurd. Shqipëria shekullin që shkoi ka qenë alat me Kinën, Bashkimin Sovjetik dhe SHBA.

Me dy të parat është prishur pa u dënuar asnjë njeri.

Si mund të dënohen për prishje me të tretën!

Këtë vetëm disa shpirtëshitur në Ambasada mund ta bëjnë.

Ata akuzojnë presidentin për ‘Cenimi i imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë”.

Dhe ku e bazojnë këtë akuzë?

Tek fakti që presidenti ka dalë me një qen ne video në Bosnjë, duke përshëndetur macen Sasha në Tiranë.

Me këtë duan të thonë që macja është agjente ruse, kurse qeni ka qenë agjent serb.

Këto janë fakte që turpërojnë ligjvënësit, jo presidentin.

Ata akuzojnë presidentin për “Përkrahje e strukturave paralele shtetërore si struktura paramilitare e PD-së për mbrojtjen e votës.”

E kanë fjalën për vrasjen e Elbasanit.

Po si mund të akuzosh presidentin që në fund të fundit i është vrarë kryetari i LSI!

Ai nuk ka bërë thirrje të rrëmbehen armët. Atë e ka bërë Berisha.

Ai ka bërë thirrje të rrëmbehen cfurqe, kazma, lopata, çfarë të kishin në shtëpi.

Po kështu ka akuza pa fund për shkelje të neneve të Kushtetutës. Me ato do merret Gjykata Kushtetuese.

Jemi të lumtur që kjo Gjykatë do kthejë në precedent kushtetuese sjelljen dinjitoze të Ilir Metës, që më pas çdo president të ketë të drejtë të sillet si ai”.

1 komente në “Bilushi i Metës njihet me arsyet e shkarkimit të presidentit”

  1. Liro liken!! says:

    Hahahahhahahhaha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje