Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie shtetërore, pas aksidentit me autobus në Kroaci, që ka lënë të vdekur 10 persona dhe mbi 40 të plagosur.
Autobusi me targa të Kosovës ka dalë nga rruga, në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci, rreth orës 6:00 të mëngjesit të së dielës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë.
Autobusi me targa Kosove ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë, mirëpo përgjumja e drejtuesit bëri që mjeti të dilte nga rruga dhe të rrëshqiste për më shumë se 100 metra. Shoferi është arrestuar.