Nora Gjakova ka folur pas fitimit të medaljes së artë në Lojërat Olimpike që po mbahen në Tokio.
Xhudistja nga Peja mposhti në finale francezen Sarah Leoine Cysique, për të realizuar ëndrrën e saj, por edhe për t’i sjell Kosovës medaljen e dytë të artë në këto lojëra.
““Nuk e di, ende më duket e pabesueshme. As kualifikimin në finale nuk e besova, veç kur pashë trajnerin (Driton Kuka) që festonte e besova. Është e pabesueshme! Ndjenjë e papërshkueshme! Erdha të fitoj, por nuk i dihej dhe nuk e besoja që do fitoja medalje olimpike. Shpresoj që ky të mos jetë fundi i karrierës sime, do mundohem të bëj sërish përpara.
Falënderoj gjithë ekipin, faleminderit Tonit (trajneri), që është ai që ka bërë gjithçka për sukseset tona. Falënderoj Majlindën që na hapi rrugën, sepse ndryshe nuk do i ëndërronim dhe arrinim këto suksese të mëdha. Në Rio 2016 isha me normë, por dëmtimi nuk më lejoi të jap maksimumin.
Ka qenë një ditë me shumë emocione, jo vetëm për mua, por edhe për vëllanë, Akilin. Kjo që kemi arritur sot është e jashtëzakonshme. Doja që edhe Akili të ishte medalist, për sërish po e çojmë një medalje në shtëpi. E kam ëndërruar këtë fitore. Falënderoj trajnerin, që ka punuar 20 vite me ne dhe ka dhënë kontributin kryesor për të marrë këtë triumf të madh”, tha Nora Gjakova.