Bilushi i Metës bën thirrje të mbrohet birra "Peja" nga shteti shqiptar

9 Gusht 2021, 20:17Antena TEMA

Pas deklaratës bombastike që ka bërë birra “Peja” për bojkotimin e “Panairit të Birrës” në Korçë, Bilushi i Metës bëri thirrje të mbrohet birra “Peja” nga një hakmarrje e mundshme e shtetit shqiptar:

“Të dashur miq!

Unë personalisht e kam takuar disa herë pronarin e birra Pejës, se është dhe mik i presidentit Meta.

Ai është një njeri kokulur, punëtor, që ka bërë shumë për biznesin shqiptar në Kosovë.

Ai është i vetmi që ia ka futur Serbisë duke e dëmtuar atë, pasi përfiton nga politika e tregtisë së saj me Kosovën, që i jep me çmime të ulëta mallrat.

Për këtë, ai importon gjithçka nga Serbia, që nga mielli e deri tek elbi për birrën.

Gjesti i tij kundër Edi Ramës ishte një akt madhështor patriotizmi.

Ai kërkon t’u bëjë me dije shqiptarëve se kë birrë duhet të zgjedhin, birrën patriotike që ai nuk ia jep Goran Bregoviçit ta pijë, si birrat e tjera shqiptare që Edi Rama si i papërgjegjshëm, i lejon t’i pinë serbët, grekët, maqedonasit, rusët e kushdo tjetër.

Pas kësaj, ne e dimë që do të fillojë hakmarrja e shtetit ndaj birrës “Peja”.

Ajo do të kontrollohet nga tatimet, do të bllokohet në doganë e gjëra të tjera.

Ne si LSI por dhe si opozitë, duhet ta bëjmë atë simbol tonin.

Në çdo konferencë shtypi duhet të dalim me një birrë “Peja” përpara, dhe gjatë pushimeve verore, duhet të pimë vetëm birrë Peja.

Tit Vasili ka vendosur ta ndërrojë atë foton duke ngrënë fara me një foto duke pirë birrë Peja.

Këto dhe gjeste të tjera të rëndësishme pro këtij patrioti të madh, duhet të na bëjnë krenarë, se mbështesim çështjen kombëtare dhe i japim mbështetje një tregtari që mund të vazhdojë ta zhvatë Serbinë me importe”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje