Fitorja minimale e kombëtares shqiptare përballë Hungarisë ka hapur llogaritë e grupit I kualifikues të Botërorit të Katarit. Goli i shënuar nga Armando Broja e ka pozicionuar ekipin tonë kuqezi në vendin e tretë me 9 pikë, një më pak se Polonia që nga ana e saj shpartalloi me shifrat e thella 7-1 San Marinon, rivalin tonë të së mërkurës.
Buksa ishte protagonist me një tripletë golash në minutat e fundit për të sigluar fitoren polake që e pret një sfidë e vështirë ndaj Anglisë. Një rezultat negativ ndaj ‘Tre Luanëve’ e kombinuar dhe me fitoren e kuqezinjve tanë ndaj San Marinos, do e ngjiste ekipin e trajnerit Edi Reja në vendin e dytë.
Pozicion që të dërgon në play-off të Kupës së Botës për zonën Europiane dhe i arritshëm për kombëtaren tonë, që pas San Marinos, do bëj vajtje-ardhje mes Hungarisë, Polonisë, Anglisë dhe në fund Andorrës.
Ndaj këtyre të fundit, Anglia e kishte fare të thjeshtë. Edhe pse Sauthgejt kishte vendosur të linte disa titullarë pushim, nënkampionët e Europës arritën që të triumfonin pastër 4-0 dhe të konsolidonin pozitat në krye të grupit me 15 pikë të plot.