Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi jashtë dyerve të kryesisë së Kuvendit se mbledhjet online me justifikimin e pandemisë janë një mënyrë e maxhorancës për të hequr transparencën në këto mbledhje, por shtoi se PD nuk do e lejojë këtë gjë.
“Është mohuar e drejta e fjalës, është qartazi mënyrë për të hequr transparencën e qytetarëve për të kuptuar cilat janë aferat korruptive që Rama do të kthejë në ligj. Ne jemi këtu që mos të lejojmë që kjo të mohohet.
Do të respektojmë kushtetutën dhe mandatin që na ka dhënë populli. Do të garantojmë transparencën mbi çdo shkelje të Ramës dhe nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që nëpërmjet këtyre mjeteve për arsye pandemie, nuk do zhvillohen mbledhjet. Ne do ta refuzojmë dhe nuk do të lejojmë Ramën që ta kontrollojë këtë shtet”, u shpreh Bylykbashi.
Ai përsëriti qëndrimin e opozitës se do të marrë pjesë fizikisht në komisione. Sipas tij bojkoti nuk mund të jetë vendim i Ramës.
“Qëndrimi jonë është i qartë ne do të marrim pjesë në komisionet dhe opozita do të vazhdojë me të njëjtin qëndrim. Bojkoti nuk mund të jetë kurrë një vendim i Ramës ne jemi prezentë. Edi Rama po i mohon opozitës mundësinë që të marrë pjesë dhe të kundërshtojë aferat që ai përpiqet të kthejë në ligj”.