Vidhnin kartat ID të pacientëve dhe merrnin kredi, Apeli lë në burg infermieren e spitalit psikiatrik, arrest shtëpie për shitësen

13 Tetor 2021, 15:22Kronika TEMA
Vidhnin kartat ID të pacientëve dhe merrnin kredi, Apeli lë

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla e parë për infermieren e spitalit psikiatrit në Tiranë, Elisabeta Bardhollari dhe shitësen Orjada Hoxha.

Për Bardhollarin u dha masa e sigurisë të arrestit me burg, ndërkohë që për Orjada Hoxhën masa e arrestit të shtëpisë, pasi ka tre fëmijë të mitur.

Këto dy shtetase u arrestuan pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën nëpërmjet mashtrimit përvetësuan rreth 40 milionë lekë pajisje elektroshtëpiake.

39-vjeçarja Bardhollari mësohet se ishte e punësuar si infermiere në spitalin nr.5 në Tiranë, ndërsa 32-vjeçarja Hoxha, punonte si shitëse në një subjekt privat që tregtonte pajisje elektroshtëpiake.

Si rezultat i hetimeve rezulton se infermierja vidhte kartat e identitetit të pacientëve që shkonin për trajtim dhe më pas ia jepte Hoxhës. Kjo e fundit i përdorte kartat e identitetit për të marrë kredi, me qëllim për të blerë pajisje të ndryshme në dyqanin ku punonte.

Bardhollari dhe Hoxha përdornin një institucion financiar për të tërhequr para përmes aplikimeve online duke përdorur mjetet e identifikimit pa dijeninë e pacientëve.

Rasti u zbulua pas denoncimit të bërë nga një qytetar në polici. Nëpërmjet bankës së nivelit të dytë ku merrej kredia, u identifikua fillimisht Hoxha, 32 vjeçe. Pasi u arrestua ajo pranoi veprimet që kishte kryer duke argumentuar se gjithçka e kishte bërë në mirëbesim.

1 komente në “Vidhnin kartat ID të pacientëve dhe merrnin kredi, Apeli lë në burg infermieren e spitalit psikiatrik, arrest shtëpie për shitësen”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje