Koha për një socializëm të ri ekonomik

23 Tetor 2021, 09:31Ekonomia TEMA

Nga Alqi Bllako*

Matematika është shkencë ekzakte. Ekonomia nuk është. Nëse do të ishte, nuk do të garohej edhe për prodhim të retorikës ekonomike. Megjithatë, të dhënat që aktiviteti ekonomik gjeneron në aspektin sasior dhe atë kohor janë një bazë e mirë për të kuptuar prirjet dhe për të tentuar t’i afrohemi sadopak reales. E rëndësishme është që çdo politikë ekonomike të bazohet në të dhëna empirike, të cilat nëse vihen në kontekstin e duhur nuk të lejojnë të gabosh.

Në përditshmërinë e debatit politik dhe ekonomik është e vështirë, por jo e pamundur, të dalim nga korniza e “sa mirë po veprojmë ne dhe sa keq vepruat ju” dhe anasjellas. Ajo që mund të na bashkonte është: “mundemi të bëjmë më mirë”.

Unë besoj se shumë gjëra janë bërë mirë, por ka të tjera të cilat mund të bëhen më mirë.

Politika fiskale përgjatë dy mandateve të Partisë Socialiste është mbështetur në parimin e drejtësisë: duke synuar një shpërndarje jo uniforme të barrës, ku ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë. Synimi i këtij shkrimi nuk është aspak të argumentojë në mënyrë empirike benefitet e një qasjeje të tillë, pasi mjafton që dikush të shfletojë vetëm disa nga qindra studimet mbi këtë temë për t’u bindur. Por, synon të hapë nje debat të ri mbi qëndrueshmërinë, shkallën e drejtësisë dhe konceptin real të pabarazisë sistemike.

Shqipëria klasifikohet si një vend më barrë fiskale jo të lartë krahasimisht me mesataren e vendeve të OECD-së, por edhe me vendet e rajonit, nëse i referohemi totalit të të ardhurave në raport më PBB-në. Në vitin 2019, viti i fundit normal para pandemisë, ishte 24.7%.

Pavarësisht dëshirës utopike për taksim sa më të ulët dhe shpenzime publike sa më të larta, mendoj që ky është nivel jo i lartë i barrës fiskale. Përkundrazi! Megjithatë, këtu fillon edhe analiza e parë.

Praktikisht politika fiskale synon të gjenerojë të ardhurat e mjaftueshme për financimin e shpenzimeve publike që stimulojnë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse duke krijuar në të njëjtën kohë sa më pak efekte shtrembëruese.

Sigurisht, pavarësisht jo-profesionalizmit tonë të shpeshtë i cili përkthehet në propozime afatshkurtra ditore, mujore apo stinore mbi nivelin e taksave, ka një debat shumë të gjerë akademik si mbi sistemin optimal të taksimit, gjithashtu edhe mbi nivelin optimal të taksës.

Të pretendosh të financosh jo vetëm politikat sociale gjithmonë në rritje, por edhe të ndërtosh infrastrukturë të munguar por të domosdoshme si pararojë e zhvillimit, sigurisht pa prekur borxhin, për më tepër referuar nivelit ku termeti dhe pandemia e sollën, përbën së paku një sfidë të rëndësishme politike dhe menaxheriale.

Përtej taksës, ka një të vërtetë universale në ekonomi që shpeshherë e harrojmë; për të garantuar rritje ekonomike të qëndrueshme një vend duhet të jetë në gjëndje të rrisë jo vetëm sasinë e mallrave të prodhuar, por edhe shumëllojshmërinë:

Së pari, Shqipëria ka nevojë të menjëhershme të shtojë nëpërmjet diversifikimit portofolin e produkteve për eksport. Sasia dhe llojshmëria e produkteve që Shqipëria eksporton sot janë të pamjaftueshme për të garantuar qëndrueshmëri.

Së dyti, Shqipëria ka nevojë të shtojë e të orientojë investimet e huaja direkte drejt prodhimit të produkteve apo shërbimeve komplekse, që kërkojnë “know-how”, i cili vështirë të gjëndet brënda kufijve kombëtare, si dhe kapital të konsiderueshëm.

Pa këta elementë, jo vetëm nuk mund të garantojmë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike por as mundet të jemi konkurrues si në tregun rajonal ashtu dhe me gjerë. Ministria përgjegjëse për zhvillimin ekonomik duhet të marrë rol primar dhe më aktiv në këtë proçes.

Në të njëjtën kohë, mosrritja e barrës fiskale krijon presion të shtuar mbi nevojën e mirë-menaxhimit të të ardhurave. Jo vetëm që investimet publike duhet të jenë të mirë prioritizuara dhe sa më efikase, por edhe incentivat apo subvencionet qeveritare duhet të adresohen kryesisht drejt sektorëve apo produkteve specifike që sjellin diversifikim të mallrave apo shërbimeve për eksport. Në këtë mënyrë do të garantojmë jo vetëm qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike, por edhe rritje më të shpejtë të të ardhurave.

Qëndrueshmëria është njëra anë e medaljes, të cilën praktikisht duhet ta kishim targetuar dhe zgjidhur prej vitesh por ku ende ka paqartësi dhe moskoordinim në orientim. Nëse nuk arrijmë të garantojmë së paku rritje ekonomike të qëndrueshme, e kemi të pamundur të kalojmë te ajo që përbën fazën e dytë të analizës, shkallën e gjithëpërfshirjes në këtë rritje ekonomike, si përbërës i domosdoshëm për zbutjen e pabarazisë si dhe fokusi kryesor i këtij shkrimi.

Problemi i parë lidhur me pabarazinë qëndron tek arsimi!

Debati mbi arsimin ka qënë kryesisht i fokusuar tek meritokracia e pranimit në Universitete – element ky tashmë mendoj i targetuar me sukses – duke u fokusuar jo mjaftueshëm tek cilësia. Besoj se, dhe jam krejtësisht i hapur ndaj kundërshtimeve, se arsimi ynë i lartë është tërësisht jo cilësor, sa i përket aftësisë për të zbutur pabarazinë sistemike.

Studimet tregojnë se ka një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të fortë midis nivelit dhe cilësisë së arsimimit dhe pabarazisë, si në raport më nivelin e të ardhurave, ashtu edhe në raport me pasurinë e grumbulluar.

Një i ri/e re që vjen nga një familje me të ardhura të ulta ose mesatare, hequr rastet përjashtimore, ka probabilitet shumë më të lartë të fitojë të ardhura mbi mesataren nëse vjen nga një formim akademik cilësor!

Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave mesatare, pabarazia në nivelin e pasurisë së grumbulluar, në rastin më të mirë, nuk ka shënuar përmirësimin e kërkuar e të synuar.

Mungesa e formimit cilësor akademik së bashku më mungesën e tregjeve të kapitalit, e cila kufizon ndjeshëm dhe rrit koston e financimit, vështirësojnë dhe mbyllin hapësirat e të rinjve për të zhvilluar start-up-e inovatore që jo vetëm rritin gamën e produkteve dhe shërbimeve për eksport, por njëkohësisht zbutin pabarazinë sa i përket pasurisë neto të trashëguar dhe grumbulluar duke e kthyer këtë të fundit në pabarazi sistemike.

Thënë këtë, mendoj se parimi i drejtësisë në sistemin fiskal duhet të zhvendoset nga koncepti i të ardhurës dhe pronës drejt pasurisë neto të trashëguar dhe grumbulluar.

Parimi i taksimit të pronës nuk e lufton pabarazinë sistemike pasi nuk merr në konsideratë burimin e financimit të saj; ndërkohë që taksimi i pasurisë neto të grumbulluar e bën këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Taksimi progresiv për pasuri neto mbi një nivel të caktuar, që normalisht duhet të jetë një nivel dysheme i konsiderueshëm do të krijojë një xhep të nevojshëm për financimin e politikave më të drejtpërdrejta për zbutjen e pabarazisë sistemike.

Një politikë e tillë mund të ishte financimi i drejtpërdrejtë në formë granti progresiv të çdo çifti të ri mbi 25 vjeç, me një nivel të ardhurash nën mesatare, me një vlerë ‘lump-sum’ të cilën mund ta përdorë për zhvillimin e një aktiviteti ekonomik, financimin e një banese të parë, etj. Shembulli ilustron faktin se shpërndarja e pasurisë duhet të jetë më e drejtpërdrejtë për të ndikuar zbutjen e pabarazisë. Ndihma sociale apo çdo formë tjetër e ngjashme ka pothuajse zero kontribut në formimin e kapitalit duke mos ndikuar aspak pozitivisht në luftën ndaj pabarazisë sistemike.

Konceptet e qëndrueshmërisë, drejtësisë në shpërndarje dhe eleminimit të pabarazisë sistemike janë mjaft të gjëra, por janë njëkohësisht baza mbi të cilat duhët të ngrihet dhe formësohet debati mbi një socializëm të ri ekonomik!

Hapat e parë janë padiskutim formësimi i një sistemi akademik cilësor dhe ndryshimi i qasjes ndaj konceptit të drejtësisë fiskale dhe rishpërndarjes. Të tjerat do t’i trajtojmë në vijim…

*Deputet i PS

12 komente në “Koha për një socializëm të ri ekonomik”

  1. aman alqi na trego si doli matematika per rrogen 10 milion lek te babaait tend te inceneratori…hahahahaha

  2. I papuni.... says:

    Pa te shohim se cila eshte ideja jote per “arsimin cilesor”!!! Meqe bashkohem me ty se universitetet tona dhe formimi akademik qe ato prodhojne jane MYSYBET, do pres te degjoj nese rruget e tua qe te cojne drejt arsimit cilesor jane te njejtar rrugica qe ka ndjekur Rama keto 10 vjet apo jane te ndryshme nga ato qe shpall shefi yt!!! E di pse jam kureshtar cdo te na thuash?? Sepse qekur thua se sistemi aktual i pranimeve ne universitet eshte i “suksesshem”… ky eshte nje tregues se edhe “venue”-te e tjera qe ti mund te propozosh si “cuarese” drejt arsimit cilesor, mund te jene po aq Ramaiste ne permbajtje sa vete modeli aktual i cetntralizuar i pranimeve ne universitete!!!

  3. Karlindi Qorri says:

    Flm shume alqi na e mbushe mendjen…po ne spak do pergjigjesh kaq qarte?

  4. Kris 1 says:

    Me pelqen studimi.Hidh uje dhe hidh uje nje dite shosha do te mbushet.

  5. 17nentori says:

    E ka shume mire me idete qe ka. Edhe menyra se si shkruan eshte per tu admiruar. Drejtshkrim dhe shprehje te qarta se cfare do te artikuloje.
    Problemi i vetem eshte se kujt ja thote keto togfjalesha. Vetem ne Paris blihen lulet me para. Ketu i hane gomeret.

  6. Patrioti says:

    Ore kokrra e hajdutit qe e bere agjensine e ujesjellesave si fondacioni i sudes, shpjegoja spak kete socializimin tend kur te japesh llogari per inceneratoret.

  7. Agim says:

    Zoti Ballto. Nga fotua dukesh I ri dhe i kuruar, ( I tapinisur , thone ne Korce.)..Ta them kete nisur nga shkrimi juaj : teper pretencioz, teme interesante por veshtire se lexuesi, edhe me I specializuari , te kupton e te ndjek. Fraza llibrash e interneti, qemtuar ne manuale, ne internet etj , por thene per te mos kuptuar asgje.Mungon natyrshmeria, duket se as vete s’dini se c’shkruani, ne mos plagjature, nje corbe frazash..- ky eshte shkrimi juaj. Ruajwni rinine tuaj. Shkuar me natyrshëm , me thjesht, me shqip, me qarte dhe me me MEND!..,

    1. 17nentori says:

      Ke shume te drejte Agim. Shkrimi mund te ishte i perkryer ne cdo vend tjeter te botes por ketu tek ne, ku lulet i hane gomeret, i bie autoreve ti natyralizojne shkrimet edhe per gomeret se ndryshe jane vetem corbe frazash.

    2. Kris says:

      Nuk eshte faji i Bllakos nese nuk e ke kuptuar, sigurisht shkrim jo per te gjithe por me vlere.

  8. John says:

    Pordhë me rigon….Një grumbull idesh të vjetra, të huazuara nga lindja në perëndim pa asnjë lloj vlere konkrete për situatën shqiptare.

  9. Arber says:

    Na shpjego pak nje matematike te thjeshte: Cfare ndodh kur ben 26 tendera ne nje vit, merr 20% dhe e le arken bosh pasi iken, sic e le ti pasi ike nga drejtorlleku i AKUM? Edhe Cenua iku se e pa qe skishe lene gje aty. Teori me socializma mos na bej se e nise te PD, e vazhdove me LSI dhe po ha corben e prishur te PS tani.

  10. Student Horr i dhjetorit says:

    Artikull i shkelqyer. Perdoret per te fituar grada shkencore. Ja bejne nenen ekonomise dhe financave te ketij vendi e ne krahun tjeter marrin graden profesor ne ekonomi. Duhet te jete i aferm i Anastas Angjelit ose i dr.prof. Lefter Kokes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje