“Vettingu në polici është mungesë vullneti politik, njerëz të caktuar brenda mazhorancës nuk kanë dashur”, janë fjalët e ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj, i intervistuar në A2 CNN.
Xhafaj shpjegon procedurat, dhe shmang paralelizmin me vettingun e gjyqësorit:
“Vettingu në polici është diçka e zakonshme në çdo polici, dhe ne nuk e kishim. Nuk ka polici në vendet e konsoliduara që nuk i nënshtrohet vlerësimit periodik.
Nuk kishte lidhje fare me Vettingut e gjyqësorit, sidomos për policët e thjeshtë, do largoheshin ata që ishin dukshëm të papajtueshëm me atë rol. Ndërkohë, vettingu ishte më i thelluar për drejtuesit, sepse ato ishin modeli. Fatkeqësisht ky proces ka dështuar, është shtyrë në kohë thonë disa, dhe nuk është pozitive”.
Sipas tij, “besueshmëria e policisë cenohet në këtë mënyrë, po ashtu edhe forca goditëse, duke pasur brenda saj elementë që nuk meritojnë të jenë aty brenda, edhe për lidhjet okulte me bandat kriminale.
Vettingu do të vendoste një standard tjetër, dhe jam i keq ardhur që kjo u keqinterpretua dhe më pas u përfol në mënyrë të qëllimshme”, dhe shton në fund se “koha do të më japë të drejtë”.
Ish-ministri i Brendshëm, sot deputet i PS, Fatmir Xhafaj ka një vizion mbi korrupsionin në Shqipëri.
“Le të jemi të ndershëm në këtë pikë, përtej retorikës politike dhe raporteve të Brukselit që janë copy-paste i viteve të mëparshme. Korrupsioni tek ne nuk është perceptim, është gangrenë reale. Natyrisht, nuk janë të gjithë kështu, prandaj kemi nevojë që ta ndajmë këtë çështje. Shumica nuk është e korruptuar por perceptohet si e tillë”, thotë ai për A2 CNN.
Sipas tij, “problemi më i madh nuk është te ryshfeti i mjekut, por te personi me kollare, personi me pushtet, sepse dëmton shtetin. Ky është qëllimi jonë kur ngritëm SPAK, shqetësimi ynë”.
Ndërkohë, sipas ish-ministrit, kjo nuk është e vetmja gjë. “Shoqëria shqiptare dhe media duhet të ndërgjegjësohet dhe jo me disa pseudo gazetarë investigativë, kemi nevoje që të ndërtohet një shtresë e gazetarëve investigativ, jo thjesht për të marrë një certifikatë. Ju të A2 CNN keni një cikël (Investigo) shumë të mirë, dy-tri media të tjera po bëjnë një punë po aq të mirë”.
Por kjo nuk do të thotë që sipas tij nuk janë bërë hapa përpara. “Procesi i deregullimit ka qenë një hap shumë i mirë i qeverise, digjitalizimi me e-Albania, janë nisma që kanë ulur korrupsionin. Edhe opozita nuk mund ta mohojë që kjo është një rrugë që duhet ndjekur”.
Por sipas Xhafajt këto janë hapa ende të pamjaftueshme. “Ne kemi nevojë për një reformë lidhur me agjencitë ligjzbatuese, si kontrolli i larte, parandalimi i pastrimit të parave, një seri drejtorisë antikorrupsion, kanë nevojë të jenë më të pavarura dhe eficente, sepse praktikisht disa prej tyre mbledhin informacione por nuk janë ndëshkuese”, përfundon ai.
Zoti Xhafaj ! deshtimi i vetingut ne polici deshtoj nga mafija e krimineleve dhe banditeve qe jane ne radhe te policis! Ti bone detyren ! Por ky eshte shteti qe po drejtoheh nga keto kriminel te policis.