Pas qëndrimeve të Zeni.TV rreth takimit Balla- Rushaj me Ambasadën amerikane, Muli i shqetësuar pyeti analistin Peka se çfarë sjellë ky takim për të ardhmen e foltores dhe çfarë fshihet pas tij.
Analisti Peka i tha shpjegimin e tij:
“Takimi u zhvillua në një ditë që Edi Rama u nis për në Beograd me Vuçiq, ku do të diskutohet ndarja e Kosovës dhe shpopullimi i Shqipërisë, që nuk mund të bëhen pa një konsensus nga opozita në Shqipëri dhe meqë Berisha e ka bërë të qartë në foltore se nuk do ta tolerojë këtë gjë, atëherë banka e Linda Ramës i ka dhënë reklamë Lapsit, që Lapsi të ndikojë tek Batoni, që Batoni të ndikojë tek Vuciq, që Vuciq të ndikojë tek Rama, që ky i fundit t’i thotë pengut të vet Lulit, që ta mbështesin këtë nisëm.
Pra është një ekuacion i gjatë, i cili presupozon një aksion më të gjerë, duke çuar Sorosin tek Albini në Beograd, me qëllim që Albini të heqë dorë nga rezistenca dhe t’i bashkohet Edi Ramës, me kusht që të fitojë në Prishtinë, dhe pas kësaj të ndikojë në gjashtë bashkitë që do hyjnë në zgjedhje në Shqipëri t;i jepen Lulit, me qëllim që të dobësojnë foltoren, e cila nga ana e vet, ka marrë info se Xho Bajden kur ka mësuar që Doktorin e kanë futur në listë të zezë, ka hequr nga detyra Palmerin dhe i ka dhënë një detyrë më të lartë, që të mos merret më me këto çështje, dhe i ka çuar sinjal Kokalarit që të mos e shqetësojë këto kohë sa të mbarojë Samiti i Klimës, se pastaj do meret me çështjen e Doktorit, duke e detyruar Pentagonin t’i blejë një nëndetëse Francës, me qëllim që Franca të mos i japë gjyqin Doktorit dhe të zbuten raportet me SHBA.
Pra është një çështje pak e koklavitur, por që ne po e e ndjekim dhe jemi afër zbardhjes.
Ish-deputeti Ruli, që dëgjoi me vëmendje shpjegimet e Pekës, i shkruajti Mulit:
-Po mirë mo bir, si ka mundësi që ju arrini të kuptoni këto që thotë Peka dhe nuk arritët 15 vjet të kuptoni kush është Luli!